Aktakuza e Prokurorisë për sulmin në Banjskë: Tentuan ta shkëpusin veriun nga Kosova, e t'ia bashkojnë Serbisë
Në bazë të aktakuzës së ngritur sot nga Prokuroria Speciale e Kosovës për sulmin terrorist të ndodhur vitin e kaluar në Banjskë të Zveçanit, thuhet se grupit terrorist kishte për qëllim shkëputjen e veriut nga Kosova.
Sipas aktakuzës, qëllimi i tyre ishte bashkimi i kësaj pjesë me Serbinë.
“Ndërsa, sa i përket pikës II të dispozitivit, kur të analizohet përgatitja paraprake e sulmit të datës 24.09.2023, numri i madh i pjesëmarrësve të grupit, numri i madh i armatimit i listuar si më lartë dhe mbështetjes logjistike, hartat topografike (në mesin e hartave ndodhet edhe harta e tërë pjesës Veriore të Republikës së Kosovës) në të cilat janë të përcaktuara pozicionet e grupit, pastaj deklarata publike e Milan Radoićić (e lexuar nga avokati i tij) i cili e merr përsipër organizimin në emër të “krijimit të kushteve për realizimin e ëndrrës së lirisë së popullit të tij serb në veri të Kosovës”, atëherë vijmë në përfundim që përmes dhunës së përdorur, grupi i strukturuar dhe i udhëhequr nga i pandehuri Milan Radoićić, kanë tentuar që të shkëpusin veriun e territorit të Kosovës që përfshijnë komunat e banuara me shumicë serbe dhe këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës, t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur, ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe popullatës civile, rrjedhimisht me këto veprime kanë kryer edhe veprën penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 126 paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 dhe 1.2 lidhur me nenin 118 të KPRK-së.”
