“A ishte UÇK-ja e organizuar apo jo” – Dëshmitari britanik përballet me dëshminë që ia ka dhënë Prokurorisë
Tre dëshmitarë janë dëgjuar vetëm ditën e sotme në gjykimin ndaj krerëve të UÇK-së. I pari ishte ish-anëtari i LDK-së e ish-komandanti i UÇK-së si dëshmitar i 24-të. Më pas, u kthye të dëshmojë me video-lidhje dëshmitari i mbrojtur i 23-ti me radhë. E më pas, vazhdoi një dëshmitar britanik duke e dërguar numrin e dëshmitarëve në këtë proces në 25. Nacionale sjell të përmbledhur zhvillimet e sotme në Hagë.
Si pjesë e misionit të OSBE-së në vitet 1998-1999 kishte ardhur në Kosovë. 24 vjet më pas, oficeri britanik Douglas Young ka rrëfyer në Gjykatën Speciale të Hagës të gjitha detajet e punës së tij në Kosovë gjatë kohës së luftës.
Para se dëshmitari të fillojë me përgjigje, Prokuroria e Specializuar e bëri publike një rezyme të shkurtër me detajet, raporton Nacionale.
“Ka shërbyer si nënkolonel rezervist i ushtrisë britanike dhe është dislokuar si pjesë e misionit të vëzhguesve diplomatik dhe si pjesë e misionit të OSBE-së, në vitin 1998-1999. Është larguar nga Kosova në mars të vitit 1999 para se të fillonte fushata bombarduese e NATO-s dhe u kthye duke shërbyer në radhët e KFOR-it nga 2001 deri në prill 2002″, ka prokurorja nga ZPS-ja.
E pasi që prokurorja përfundoi pyetjet në seancë private, seanca u hap me pyetjet e avokatit të Rexhep Selimit. Avokati e pyeti dëshmitarin lidhur me një deklaratë të tij dhënë Prokurorisë, se “UÇK-ja ishte e organizuar”
Young ka thënë se kjo është e dalë nga konteksti meqë sipas tij organizimi i UÇK-së nuk mund të krahasohej me “një ushtri moderne e cila e kontrollon territorin e saj”. Megjithatë, tha se UÇK-ja nuk ishte as “krejt organizim gueril e pa komunikim”,
“E keni nxjerrë nga konteksti kur keni thënë shumë e organizuar, nuk them që nuk e kam përdorur atë term, atë frazë, por organizmi i tyre nuk mund të krahasohet për shembull me një ushtri moderne e cila kontrollon territorin e saj. Kjo është pjesë e kontekstit të një organizate ushtarake e cila ishte në zhvillim e sipër nga njëra anë dhe ndryshim e sipër nga ana e tjetër”, ka thënë dëshmitari.
E dëshmitari e ka pranuar edhe një tjetër gabim në dëshminë e tij që kishte dhënë në Prokurorinë e Specializuar. Kjo ndërlidhej me takimet që kishte pasur me Ekrem Rexhën, i njohur si komandant Drini.
Young kishte thënë fillimisht se ishte takuar dy herë me Drinin, e sot e përmirësoi duke thënë se është takuar vetëm një herë.
“Po kjo është e saktë. Mesazhet që kam parë, që në fillim thashë që kisha takuar dy herë Drinin dhe pastaj mu bë e qartë që nuk ishte kështu, dhe u përpoqa ta kuptoja çfarë kisha thënë. Jam i saktë kur them se e kam takuar Drinin. Mua më kujtohet biseda në gjuhën angleze me Drinin. Nuk kam takuar ndonjë komandant tjetër”, ka thënë dëshmitari.
“Në deklaratën tuaj kishit bërë gabim, kishit besuar se e keni takuar dy herë, dhe nuk e keni takuar dy herë, ishte gabim?”, pyeti avokati.
“Po ishte gabim, dhe e kam korrigjuar”, u përgjigj dëshmitari.
Ai UÇK-në e përshkruajti si organizatë të disiplinuar e me njerëz të dedikuar.
“Bëhej fjalë për një organizatë të disiplinuar, njerëz të dedikuar ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj së ardhmes”, tha dëshmitari britanik.
Ai ka thënë se nuk e di kur ishte krijuar shtabi i përgjithshëm, dhe deklaroi se nuk ka pasur takim me anëtarë të zinxhirit komandues, por me një preson ndërmjetës.
“Sigurisht se kam takuar pjesëtarë. Nuk më kujtohet ndokush tjetër të kem takuar, përveç personit me të cilin mbanim ndërlidhje me OSBE-në. E kam përmendur këtë person në deklaratën time, personi i caktuar që të mbante ndërlidhje”, deklaroi dëshmitari.
Dëshmitari u pyet edhe për një takim me Fatmir Limajn, lidhur me ndalimin e Ymir Xhafiqit.
‘‘Një prej pikave të mia në këtë takim ishte që unë isha atje i autorizuar nga komandant Drini që dëshironte të kisha qasje të paktën me pa personin e ndaluar dhe sa kuptoja kisha mbështetjen e tij dhe ja thash këtë. Limaj m’u përgjigj se personi i ndaluar ishte jashtë kompetencës së komandantit të zonës dhe ishte nën kompetencën e Shtabit të Përgjithshëm’’, tha ai.
Sot dëshminë e tij e ka vazhduar edhe dëshmitari 24 që ishte anëtar i LDK-së dhe komandant i UÇK-së.
Nacionale sjell disa nga përgjigjet e tij:
Avokati Emmerson: Në lidhje me oficerët e policisë serbe në Kosovë, a e ekzistonte një perceptim se oficerët e policisë vinin maska në operacione të cilat shpesh çonin në pretendime keqtrajtimi dhe torture nga policia serbe.
Dëshmitari: I nderuar avokat, e nderuar gjykatë, ne kemi një përvojë të keqe me Serbinë, jo vetëm në përdorim të maskave, ajo bën tregti me trupa të njerëzve, me kufoma tona, ka bartur, ka vrarë, masakruar, madje 15-16 vende në Serbi janë me trupa të Kosovës.
Dëshmitari: Veç sa për identifikim sepse serbët mund të përdornin gjithçka…
Avokati Emmerson: Nga fundi i 97 deri qershor 98, kur kishte sulme nga UÇK psh siç ka pasur sulme në postat e policisë serbe ose në operacione të izoluara ushtarake brenda Kosovës, anëtarët e UÇK që realizonin këto operacione vinin maska apo jo?
Dëshmitari: Po, ishte e zakonshme dhe e nevojshme ndoshta për ta, unë nuk kam bartur.
Avokati Emmerson: A u ulë përdorimi i maskave nga UÇK nga qershori 1998?
Dëshmitari: Po, po. Megjithëse kjo ka qenë vlerësim i secilës zonë, secilit territor, secili individ në atë kohë ka vendosur vet, qysh ata kanë vlerësuar, ka qenë një vlerësim aty për aty.
Dëshmitari: Në popullin tim merret si term i ulët, injorues, komplet popullin, jo vetëm te unë.
Avokati Kehoe: Nëse një person duhet të lante hesapet me ndonjë person në fshat, mënyra për ta poshtëruar këtë person ishte duke e etiketuar si kolaboracionist apo jo?
Dëshmitari: Nëse do me nënçmu fort thuaj kolaboracionist.
Avokati Emmerson: Gjykatësi Barte dhe gjykatësi Metro ju petën nëse ju vet aso kohe kishit hetuar çështjen e kidnapimit të Jakup Kastratit dhe Cen Deskut, dhe ju thatë jo, dhe a ishte përmendur më gjatë bisedave pas luftës, ju prap u përgjigjet jo. Në atë kohë, pse nuk bëtë vet një hetim duke pasur parasysh zonën tuaj, dhe pse nuk u përmend më kjo gjë në bisedat që keni pasur pas luftës?
Dëshmitari: Nuk ishte në zonën time, i takon komunës së Malishevës, dhe e dyta nuk kam pasur mandat të hetoj unë. Vetëm pas luftës i kam takuar.
Avokati Emmerson: Sa kohë kishte kaluar nga koha e zhdukjes së tyre, deri në momentin që u takuat, sa kohë kishte kaluar.
Dëshmitari: Në momentet e para pas luftës ne jemi takuar.
Avokati Emmerson: Pse nuk ishte çështja e ndalimit të tyre nga pyetjet e tuaja kryesore kur diskutuat luftën? Tema e zhdukjes së tyre pse nuk ishte për ju nga temat kryesore kur biseduat pas luftës, të dy gjykatësit ishin vërtetë të interesuar ta dinin, pse nuk e keni diskutuar me ta pas luftës?