“A është dokumenti sekret kur ia keni dhënë furragjisë”: Hajdari del nga Gjykata, bën pak propagandë dhe akuzon Prokurorinë Speciale - NACIONALE

“A është dokumenti sekret kur ia keni dhënë furragjisë”: Hajdari del nga Gjykata, bën pak propagandë dhe akuzon Prokurorinë Speciale

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Ministrja në detyrë e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, ka dalur nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ajo nuk është përgjigjur në insistimin e gazetarëve, nëse një dokument është sekret dhe të cilin e ka pasur edhe një ‘furragji’, pra Ridvan Muharremi.

Në vend të kësaj, Hajdari ka zgjedhur të bëjë propagandë e ta akuzojë Prokurorinë Speciale.

“Sot ishit prezentë në seancë, unë isha në seancën gjyqësore në Gjykatën Themelore për aktakuzën nga Prokuroria Speciale për rezervën, përkundër që ndihem krejtësisht e pafajshme, sepse është një proces tendencioz nga Prokuroria Speciale e Kosovës, duke shkelur çdo procedurë ligjore, duke qenë në kundërshtim me Ligjin për Rezervat dhe Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar. Më e rëndësishmja është të theksoj që qytetarët të mos brengosen për rezervën shtetërore, të cilën e kemi rritur në qeverinë Kurti 2, në kohën më të vështirë. Në kohën kur kufijtë ishin të mbyllur, dhe në kohën më të vështirë, kur nuk kishte eksport të produkteve bazike për qytetarët tanë. Në këtë kohë të vështirë ne siguruam rezervën”, tha Hajdari.

Hajdari theksoi se Prokuroria Speciale ka bërë veprime të paligjshme.

“Për këtë proces që është tejet i rëndësishëm për qytetarët tanë, për sigurinë e popullit, Prokuroria e shkeli ligjin, përkundër që kemi pasur e jemi në proces gjyqësor me operatorët që nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre. Prokuroria Speciale nuk po e përfill ligjin, po vazhdon pa përfillur procedurat të ligjit. Ashtu si unë e mbrojtja ime jemi të bindur për këto veprime të paligjshme, këtë do ta dëshmojmë deri në fund”, tha ajo më tutje.

E pyetur pse ia dha dokumentet Ridvan Muharremit pa pasur certifikatë, ajo tha se nuk i lejohet të flas.

“Ju sot jeni larguar nga seanca, sepse ka qenë e mbyllur, nuk më lejohet asgjë të deklarohem për procesin në seancë të mbyllur”, tha Hajdari.

Avokati i Rozeta Hajdarit, Florent Latifaj, ka theksuar se dokumentet në rastin e rezervës shtetërore, nuk mund të shihen as nga gjyqtarët e as prokurorët.

Ai ka harruar se me ato dokumente, Rozeta Hajdari bashkëpunoi me ‘furragjinë’ Ridvan Muharremi.

“As ne avokatët, as policët nuk kemi të drejtë t’i shohim këto dokumente. Madje, sipas ligjit, qasje nuk duhet të ketë as prokurori dhe as gjyqtari,” ka deklaruar Latifaj në seancë.

“Po tentohet që dokumentet të na jepen edhe neve, që edhe ne të bëhemi pjesë e një procesi të paligjshëm që përbën edhe vepër penale. Konsideroj që pa u bërë deklasifikimi i dokumenteve, asnjë seancë të mos mbahet e hapur,” ka thënë Latifaj.

Lajme të ngjashme