207 mijë euro: A do t’i kompensojë Kosova viktimat në rastin e Salih Mustafës? - NACIONALE

207 mijë euro: A do t’i kompensojë Kosova viktimat në rastin e Salih Mustafës?

3 vjet më parë

nga Besian Beha

207 mijë euro iu detyrohet ish-pjesëtari i UÇK-së, Salih Mustafa, viktimave në procesin ndaj tij. Pas dënimit me 26 vjet burg, Mustafa u obligua që të kompensojë viktimat nëpërmjet një urdhri të lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Hagës.

Megjithatë, duke marrë parasysh se Cali është vlerësuar se nuk ka mundësi buxhetore t’i kryejë këto dëmshpërblime, atëherë edhe dy mundësi janë opsion: e para që Kosova të krijojë një fond dhe t’i kompensojë këto viktima, dhe e dyta që Gjykata Speciale të dëmshpërblejë viktimat nëpërmjet shteteve kontribuuese.

Gjykata Speciale kishte ftuar Kosovën që të krijojë hapësirat ligjorë për krijimin e një fondi, nëpërmjet të cilit do të merrte si përgjegjësi kompensimin e këtyre viktimave. Megjithatë, deri më tash Ministria e Drejtësisë në Kosovë nuk ka pranuar ndonjë kërkesë lidhur me këtë temë.

Kështu kanë konfirmuar nga zyra për media e Ministrisë në një përgjigje për gazetën Nacionale.

Drejtori në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, deklaron për gazetën Nacionale se Kosova nuk ka ndonjë bazë ligjore që do të mundësonte zbatimin e urdhrit nga Gjykata Speciale.

“Mirëpo, në urdhrin për kompensim, Trupi Gjykues potencon se programi i Kosovës për kompensimin e viktimave të krimit mund të jetë një alternativë për zbatimin e Urdhrit për Zhdëmtim, me vërejtjen se shumat maksimale që mund të akordohen nga ky program janë më të ulëta se ato të përcaktuara në Urdhrin për Zhdëmtim. Kosova nuk ka ndonjë bazë ligjore që do të mundësonte zbatimin e këtij urdhri, andaj Gjykata Speciale duhet të gjejë mënyra që kompensimin e viktimave të krimit ta realizojë përmes një programi që do ta themelonte vet kjo gjykatë dhe të mbështetej financiarisht nga shtetet që e financojnë gjykatën”, ka deklaruar Miftaraj.

Sipas Miftarajt, krijimi i një institucioni paralel lidhur me kompensimin nuk do të garantonte efikasitet.

“Sa i përket veprimeve që do të duhej të ndërmerrte Qeveria e Kosovës ne lidhje me këtë vendim, mendoj se ky vendim do te duhet goditur me ankesë, pasiqë derisa Trupi Gjykues ka konstatuar se tani me i dënuari Mustafa nuk ka mundësi financiare të bëjë kompensimin e viktimave, ne këto rrethana viktimat do te duhej t’i drejtoheshin Komisionit për Kompensimin e viktimave i cili në bazë të kompetencave ligjore dhe profesionale do të caktonte edhe lartësinë kompensimit siç parashihet me ligj, dhe jo Gjykata të marr një vendim për kompensim i cili nuk bazohet ne legjislacionin ekzistues dhe ta obligojë Qeverinë qe të krijoj mekanizëm dhe legjislacion të cilin do t’ia përshtat vendimit te trupit gjykues”, tha më tutje Miftaraj për gazetën Nacionale.

Por, a mund të krahasohet fondi për viktimat me fondin që e ka Kosova për ndihmën financiare ndaj të akuzuarve nga Gjykata Speciale?

“Në urdhrin për kompensim përmendet edhe diskriminimi që do u bëhej viktimave në raport me të akuzuarit, pasi që në llogari të mbrojtjes së të akuzuarve po u shpenzuakan miliona, në këtë drejtim, mendoj se duhet pasur parasysh qe mbrojtja e te akuzuarve është e rregulluar me ligj te veçantë, pra për ketë kategori kemi rregullim ligjor, kurse për kompensimin e viktimave te krimit lidhur me rastet ne kompetencë të DhsK, nuk kemi një ligj te veçantë qe e rregullon ketë materie jo te obligohej Qeveria te krijoj mekanizma”, përfundoi Miftaraj.

Mustafa ishte dënuar për krime lufte e krime kundër njerëzimit me 26 vjet burgim.

Çfarë thuhej në urdhër?

Vendimin e kishte shpallur gjyqtarja e rastit.

“Cakton si shumë të zhdëmtimit 207 mijë euro për të cilën Mustafa është përgjegjës. Urdhëron Mustafën të paguajë 30 mijë euro viktimës 8, 80 mijë euro viktimës 9, 60 mijë euro viktimës 10, nga 10 mijë euro viktimave 5, 6 dhe 12, 5 mijë eruo viktimës 11, dhe 2 mijë euro viktimës 12. Kjo duhet të realizohet brenda afatit sipas afatit nga autoriteti përgjegjës”, kishte thënë gjyqtarja, raporton Nacionale.

“Trupi gjykues fton Kosovën të krijojë Kosovën mekanizëm për zhdëmtim të viktimave të Speciales. Urdhëron administratoren t’ia përcjellë Qeverisë së Kosovës këtë dokument. Rekomandon krijimin e një fondi me nismën e Speciales në rast se Kosova nuk përmbush detyrimet e saj ndaj viktimave brenda një kohe të arsyeshme”, tha kryegjyqtarja e rastit

E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kohë më parë kishte deklaruar se nuk ka bazë ligjore që Kosova të kompensojë viktimat në rastet e Gjykatës Speciale.

“Më duhet të theksoj se ne nuk mund të veprojmë në shpërputhje me legjislacionin që ka Republika e Kosovës. Ne e kemi Ligjin për kompensimin e viktimave të krimit dhe ky Ligj jep mundësi Komisionit përkatës, që është në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë që të kompensojnë viktimat e krimit. Mirëpo për veprat të cilat nuk ndërlidhen me luftën. Prandaj ne edhe kemi sqaruar se rregullimi aktual nuk e adreson këtë çështje…unë mendoj se nuk ka bazë ligjore për të bërë një gjë të tillë.” - ka thënë ajo.

Dënimi i Salih Mustafës prej 26 vjetësh, aktualisht është në fazën e ankesës në Gjykatën e Apelit.

Lajme të ngjashme