137 viktima të pranuara deri më tash në rastin e Thaçit dhe të tjerëve – Çka do të thotë kjo? - NACIONALE

137 viktima të pranuara deri më tash në rastin e Thaçit dhe të tjerëve – Çka do të thotë kjo?

3 vjet më parë

nga Besian Beha

Intensifikimi i procesit në Gjykatën Speciale në rastin e krerëve të UÇK-së, ka hyrë në fazën e fundit para gjykimit. Bazuar në zhvillimet e fundit, Dhomat e Specializuara kanë njoftuar dje se trupi gjykues ka vendosur t’i pranojë si viktima në këtë rast edhe 84 persona të tjerë.

Në total numri i viktimave që janë pranuar në rastin e Thaçit dhe të tjerëve, ka shkuar në 137. Kurse, 86 kërkesa janë refuzuar deri më tash, raporton Nacionale.

“Trupi Gjykues II nxori vendimin e pestë mbi pjesëmarrjen e viktimave në çështjen Thaçi dhe të tjerët. Tetëdhjetë e katër parashtrues të kërkesave u pranuan si viktima pjesëmarrëse në proces gjyqësor. Ata do të përfshihen në grupin ekzistues 1 (i cili numëronte 53 viktima pjesëmarrëse) dhe do të përfaqësohen nga përfaqësuesi i njëjtë i viktimave. Kjo e çon numrin total të viktimave pjesëmarrëse në 137 në këtë çështje. Tetëdhjetë e gjashtë kërkesa u refuzuan në vendimin më të fundit”, thuhej në njoftimin e Gjykatës Speciale.

Viktimat që paraqiten në Gjykatën Speciale janë dy lloje: direkte ose indirekte. Viktimat direkte janë ata që pretendojnë se kanë qenë vetë subjekt i krimeve të pretenduara të luftës, përfshirë ndalimet, torturat dhe vepra të tjera për të cilat akuzohen krerët e UÇK-së.

Kurse, viktimat indirekte janë familjarë të personave që kanë qenë subjekt i krimeve të pretenduara nga Ushtria Çlirimtare e Kosoës. Viktimat indirekte në raste të tilla, duhet të dëshmojnë në mënyrë të qartë lidhjen farefisnore me personin që pretendohet se ka qenë subjekt i krimeve në aktakuzë.

Shifrat e sakta nuk dihen, megjithatë bazuar në raportet e Zyrës së Viktimave mbi të cilat ka raportuar Nacionale deri më tash, dominojnë viktimat indirekte. Pra, familjarët e personave që pretendojnë se ndaj të afërmëve të tyre ka pasur krime lufte.

Në procesin që do të fillojë me datën 3 prill, një numër nga këto viktima potencialisht mund të jenë edhe dëshmitarë kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit. Kjo lejohet edhe me rregulloret e Gjykatës Speciale, sepse një viktimë mund të dëshmojë për krimet që pretendohet se janë të kryera nga personat e akuzuar.

Ngjashëm ka ndodhur edhe me rastin e Salih Mustafës.

Viktimat indirekte

Gazeta Nacionale ka raportuar në vazhdimësi për viktimat e pretenduara që kanë aplikuar e janë pranuar nga Gjykata Speciale. P.SH si paraqitet dhe çfarë fakte ofron një viktimë indirekte, pra familjar i dikujt që pretendon se mund të jetë keqtrajtuar, ndaluar apo vrarë në luftë.

“Parashtruesi Viktima-247/06 pretendon se është viktimë indirekte e zhdukjes me forcë dhe ndalimit të paligjshëm të një anëtari të ngushtë të familjes. Anëtari i ngushtë i familjes supozohet se ishte dërguar në një nga vendet e paraburgimit të përmendura në Aktakuzën e Ndryshuar të konfirmuar në periudhën përkatëse. Aplikuesi pretendon se ka pësuar dëm mendor dhe material. Aplikanti tregoi se nuk kishte ndonjë dokumentacion mbështetës”, thuhej si shembull në një nga raportet.

“Aplikantët Viktima-254/06 dhe Viktima-259/06 janë anëtarë të së njëjtës familje. Ata pretendojnë se janë viktima indirekte të zhdukjes me forcë të një anëtari të familjes së ngushtë nga UÇK-ja. Ngjarjet e përshkruara mund të lidhen me një nga vendet e krimit në aktakuzën e Ndryshuar të konfirmuar gjatë periudhës përkatëse. Ata treguan se nuk kishin ndonjë dokumentacion mbështetës”, thuhet në raport, transmeton Nacionale.

Ka shumë raste kur viktimat indirekte nuk ofrojnë dokumentacionin e kërkuar mbështetës dhe refuzohen. Refuzimet tjera ndodhin edhe për shkak se ka pasur shumë aplikime që janë bërë për krimet të cilat nuk ndërlidhen me kohën për të cilën akuzohen ish-krerët e UÇK-së.

Viktimat direkte

Viktimat direkte të paraqitura në Gjykatën Speciale janë persona që pretendojnë se kanë qenë subjekt i krimeve të ndryshme të luftës. Në mesin e dëshmive që iu kërkohen atyre, janë edhe ato mjekësore për pasojat që pretendojnë se i kanë pasur.

“Aplikuesi viktima-253/06 pretendon se është viktimë e drejtpërdrejtë e trajtimit mizor dhe torturës në territorin e Kosovës brenda periudhës së aktakuzës. Ngjarjet e përshkruara nuk duket se janë të lidhura me ndonjë vend paraburgimi siç specifikohet në Aktakuzën e Konfirmuar të Ndryshuar. Aplikuesi pretendon se ka pësuar dëmtim mendor dhe ka dorëzuar dokumentacionin mbështetës”, thuhej në një nga raportet.

“Parashtruesi Viktima-252/06 pretendon se është viktimë e drejtpërdrejtë e ndalimit të paligjshëm, trajtimit mizor dhe torturës nga UÇK-ja në një nga vendet e paraburgimit të përmendura në Aktakuzën e Konfirmuar të Ndryshuar gjatë periudhës përkatëse. Kërkuesi pretendon se ka pësuar dëm fizik, mendor dhe material. Aplikanti ka dorëzuar dokumentacionin mbështetës”, thuhet më tej aty.

Grupi prej 84 viktimash që janë pranuar ditën e djeshme, ka qenë grupi më i madh i pranuar ndonjëherë në Gjykatën Speciale. Kjo për shkak se gjykimi është afër, dhe numri i aplikimeve ka qenë dukshëm më i madh se zakonisht.

Lajme të ngjashme