Vendimi i parë i Speciales, dënohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj - NACIONALE

Vendimi i parë i Speciales, dënohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Dhomat e Specializuara të Kosovës, i kanë gjetur fajtor Hysni Gucatin e Nasim Haradinajn.

Gucait dhe Haradinaj janë dënuar me nga 4 VJET E GJYSMË BURGIM.

Trupi gjykues i kryesuar nga Charles Smith, e ka shqiptuar vendimin në seancën që u mbajt sot në Hagë.

Këtë vendim, Specialja e ka arsyetuar me faktet e prezantuara nga Prokuroria, se të akuzuarit i kanë rrezikuar proceset që po zhvillohen në Hagë, kanë frikësuar dëshmitarë dhe kanë zbuluar fshehtësitë zyrtare.

Të akuzuarve do t'iu llogaritet edhe koha 20-mujore e kaluar në paraburgim.

"TË AKUZUARIT JANË PËRGJEGJËS PËR VEPRA TË RËNDA PENALE TË DREJTËSISË. Megjithë lëshimin e urdhrave të gjykatës, ata vazhduan të shpërndajnë informacionin e mbrojtur që përfshinte emrat e dëshmitarëve të mbrojtur përmes konferencave. Ata e bënë këtë me entuziazëm dhe u zotuan se e bëjnë prap. Sjellja e të akuzurve ndikoi te një numëër i madh njerëzish kryesisht dëshmitarë", u shpreh Charles Smith.

Çka thuhet në aktakuzë?

Në aktakuzën e ZPS-së thuhet se me rastin e tri konferencave për shtyp dhe ngjarjeve të tjera të transmetuara, si dhe përmes shpërndarjes së mëtejshme, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj kanë zbuluar, pa autorizim, informacione të mbrojtura me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke përfshirë detajet identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm).

Aty thuhet se në mes prillit dhe shtatorit 2020, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj bënë deklarata abuzuese për dëshmitarët që bashkëpunojnë me ZPS-në, dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata ndër të tjera, gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.

“Në bazë të fakteve të paraqitura në paragrafët 4-22, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj mbajnë përgjegjësi penale individuale për çdonjërën nga veprat penale “Pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”, “Frikësimi gjatë procedurës penale”, “Hakmarrja”, “Shkelja e fshehtësisë së procedurës”. Sikurse përshkruhet në paragrafët 45-46, ata kishin dijeninë dhe synimin e nevojshëm për çdonjërën nga veprat penale”, thuhet në aktakuzë.

Çfarë kishte ndodhur?

Ishte 7 shtatori i vitit 2020, kur mediat u ftuan në një konferencë të jashtëzakonshme nga Organizata e Veteranëve të Luftës. Aty u prezantuan disa dosje të Speciales, për të cilat u tha se i kishte sjellë një person i panjohur, të cilit më pas iu dha nofka “Rrufeja”. Edhe dy konferenca të ngjashme u organizuan gjatë muajit të njëjtë, ku u publikuan dosje të tjera.

Një aksion me njësitet elite speciale të EULEX-it u organizua në zyrat e OVL-UÇK-së më 25 shtator 2020, ku u arrestuan Hysni Gucati e Nasim Haradinaj. Më 29 shtator e 1 tetor të vitit 2020, ata dolën para gjyqtarit të procedurës paraprake, ku u deklaruan të pafajshëm.

Gjatë gjykimit, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte paraqitur disa dëshmitarë, në mesin e të cilëve edhe punonjës të ZPS-së. Ata kishin treguar se pas publikimit të këtyre dosjeve, dëshmitarët kanë qenë të frikësuar dhe kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në punën e Gjykatës Speciale. Në mesin e dëshmitarëve të ZPS-së kishte edhe gazetarë, të cilët kishin publikuar këto dosje.

Në total, 14 dëshmitarë ishin të ftuar në këtë proces. Mbrojtja e Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt kishte ftuar 10 dëshmitarë, kryesisht veteranë e punonjës të OVL-UÇK-së.

Gjykimi ka zgjatur saktësisht 31 ditë të plota, kurse procedura paraprake 12 muaj e 12 ditë. Gjatë gjithë kësaj kohe, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj kanë qëndruar në paraburgim. /GazetaNacionale/

Lajme të ngjashme