29 pozita me ushtrues detyre, Auditimi ngre alarmin për shkelje të mëdha ligjore dhe mungesë transparence në MINT
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), e cila bën vlerësimin e punës së institucioneve publike, ka gjetur parregullsi të shumta edhe në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), e cila udhëhiqej nga Rozeta Hajdari.
Ndër gjetjet e ZKA-së në MINT, si edhe në ministri të tjera të Qeverisë Kurti, një praktikë që tashmë është bërë e zakonshme është mbajtja e posteve me vendime për ushtrues detyre/zëvendësim në 29 pozita.
Prej 29 pozitave që mbahën në kundërshtim me ligjin për Zyrtarët Publikë, i cili përcakton qartë se "pozita e lirë nuk mund të zëvendësohet me ushtrues detyre për më gjatë se një periudhë prej dy (2) viteve".
Nga këto 29 pozita, tre(3) zyrtarë janë duke e ushtruar pozitën si zëvendësues për peridhën më shumë se dy vite. Këto pozita janë duke u ushtruar për një periudhë prej 30-36 muaj.
Pra MINT nuk ka rapsektuar Ligjin për Zyrtarët Publikë, që përcakton se pozita nuk mund të mbahet me zëvëndësues për më shumë se dy vite.
Mbajtja e pozitave të punës me ushtrues detyre/zëvendësues
Sipas Ligjit Nr. 08/L-294 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë, përkatësisht neni 9, paragrafi 4 përcakton se pozita e lirë nuk mund të zëvendësohet me ushtrues detyre për më gjatë se një periudhë prej dy (2) viteve.
Nga të dhënat e pranuara nga departamenti i burimeve njerëzore, MINT mbante 29 pozita me vendime për ushtrues detyre/zëvendësim.
Ne identifikuam se në tri raste, zyrtarët ishin duke e ushtruar pozitën si zëvendësues për një periudhë më të gjatë se dy (2) vite. Pozitat me zëvendësues ishin duke u mbajtur për një periudhë prej 30-36 muaj.
Për më tepër, vendimet për emërim si zëvendësues për zyrtarët në fjalë, janë marrë në vitin 2023 mbi bazën e një legjislacioni tashmë të shfuqizuar si dhe nuk ishin bërë harmonizimet me ligjin e ri ligjor, përkatësisht me Ligjin për zyrtar publik (Ligjin bazik 08/L-197 dhe Ligjin 08/L-294 për ndryshime dhe plotësime të ligjit bazik).

Kjo ministri ka bërë edhe shkelje të tjera, siç ka theksuar ZKA, kjo ministri nuk e ka përdorur fare moduliin për menaxhimin e kontratave në sistemin e e-prokurimit.
Megjithëse ky sistem siguron transparencë më të madhe në menaxhimin e kontratave, MINT nuk e ka përdorur asnjëherë modulin përkatës të e-prokurimit për këtë proces.
Mos përdorimi i sistemit e-prokurimi për modulin e kontratave
Sipas Rregullores nr. 001/2022 të KRPP, konkretisht nenit 70.1 dhe paragrafit 70.24.f, administrimi i kontratave duhet të realizohet përmes platformës së prokurimit elektronik (E-prokurimi). Ky paragraf përcakton se Menaxheri i Kontratës është i obliguar të sigurojë që të gjitha regjistrat e menaxhimit të kontratës të përgatiten, mirëmbahen dhe arkivohen në modulin për menaxhimin e kontratës në sistemin e prokurimit elektronik.
Gjatë testimit të procedurave të prokurimit, verifikuam që procesi i menaxhimit dhe implementimit të kontratave në MINT nuk është zhvilluar përmes moduleve përkatëse të platformës elektronike të prokurimit publik, siç kërkohet me rregulloren në fuqi.
Kjo vjen kryesisht si rezultat i anashkalimit të detyrimeve ligjore, si dhe mungesës së njohurive dhe trajnimeve të mjaftueshme lidhur me përdorimin e moduleve elektronike për menaxhimin dhe vlerësimin e kontratave.

Duhet theksuar se MINT, dhe ministrja Rozeta Hajdari, në vazhdimësi kanë bërë shkelje si dhe keqpërdorime në këtë ministri.
Gjithashtu, është ngritur aktakuzë ndaj ish-ministres Rozeta Hajdari, si dhe ndaj tre të tjerëve, për keqpërdorimin e dyshuar të rezervave shtetërore.
Prokuroria kishte deklaruar se Hajdari, së bashku me dy zyrtarët Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, dyshohen se në bashkëkryerje i kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi për persona të tjerë dhe i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës gjatë muajve shkurt dhe mars 2022.
Buxheti i shtetit ka pësuar dëm prej rreth 3 milionë eurosh si pasojë e veprimeve të tyre, kishte deklaruar Prokuroria Speciale./Nacionale