Familja e Thaçit nuk mori asnjë cent nga buxheti i shtetit për vizitat në Hagë – sa shpenzuan të tjerët? - NACIONALE

Familja e Thaçit nuk mori asnjë cent nga buxheti i shtetit për vizitat në Hagë – sa shpenzuan të tjerët?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Deri në tre anëtarë të familjes mund të kryejnë një vizitë në Qendrën e Paraburgimit të Hagës. Shpenzimet për udhëtimin, fjetjen e ushqimin, kompensohen nga buxheti i Kosovës. Megjithatë, që nga korriku, jo të gjithë familjarët kanë bërë kërkesë për kompensim. Bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, gazeta Nacionale ka siguruar se familja e ish-presidentit Hashim Thaçi, nuk ka shpenzuar asnjë cent nga buxheti i shtetit për vizitat në Hagë. Por, sa kanë shpenzuar të tjerët?

Vizitat e familjarëve të krerëve të UÇK-së në Hagë, janë të lejuara që nga muaji korrik i vitit 2020. Që nga atëherë, familjarët e Thaçit, Veselit, Krasniqit, Selimit e të tjerëve që po mbahen në Hagë, kanë realizuar shumë vizita në Qendrën e Paraburgimit. Pjesën më të madhe të këtyre shpenzimeve, i ka mbuluar buxheti i shtetit që është ndarë në përkrahje të të akuzuarve nga Specialja.

Gazeta Nacionale ka siguruar shumat me të cilat Ministria e Drejtësisë i ka kompensuar familjarët e krerëve të UÇK-së. Që nga korriku i vitit 2021 deri në prillin e këtij viti, nga buxheti i shtetit për vizitat në Hagë, janë ndarë 76 mijë e 399 euro. Në këto shpenzime, hyjnë ato për biletat e udhëtimit, fjetjes dhe ushqimit.

Nga shpenzimet që i ka siguruar Nacionalja, del se familja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ka bërë asnjë kërkesë për kompensim të vizitave që kanë realizuar në Hagë. Si rezultat, në listat e shpenzimeve, nuk figuron asnjë cent i shpenzuar nga buxheti i shtetit. Kjo, pavarësisht se vetë djali i ish-presidentit të vendit, kishte bërë publike se ka qëndruar në Hagë për ta vizituar babain.

Gazeta Nacionale ka tentuar të kontaktojë me ekipin mbrojtës dhe familjen e Thaçit, por ata nuk kanë pranuar të komentojnë rreth kësaj çështjeje.

SA SHPENZUAN TË TJERËT?

Më së shumti për udhëtime në Hagë, janë ndarë për familjen e Rexhep Selimit. Në vitin 2021 për bileta, fjetje e ushqim, familjarët e Selimit janë kompensuar me 14 mijë e 137 euro, kurse në vitin 2022, 6 mijë e 671 euro. Në total, për dhjetë muaj, familja Selimi ka shpenzuar 20 mijë e 808 euro.

Për bileta, fjetje e ushqim për vizitat në Hagë, ka shpenzuar edhe familja e Jakup Krasniqit. Në vitin 2021, familja Krasniqi ka shpenzuar mbi 11 mijë e 200 euro, kurse në vitin 2022, 7 mijë e 880. Në total, për më pak se një vit, për udhëtimet në Hagë, familja e Jakup Krasniqit është kompensuar me 19 mijë e 80 euro.

13 mijë e 240 euro ka shpenzuar nga buxheti i Kosovës për vizita në Hagë, familja e Hysni Gucatit. 7 mijë e 439 janë shpenzuar në vitin 2021 për udhëtimet në Qendrën e Paraburgimit, e 5 mijë e 801 euro janë shpenzuar deri në muajin prill të këtij viti.

Për në Hagë po del se janë kompensuar edhe familja e ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli. Në total për 10 muaj deri më tani, familja e Veselit ka marrë nga buxheti i Kosovës 6 mijë e 495 euro për vizitat në Qendrën e Paraburgimit. 3 mijë e 796 euro prej tyre në vitin 2021, e 2 mijë e 699 në vitin 2022.

I arrestuari i parë nga Specialja, Salih Mustafa, gjithashtu ka pranuar vizita nga familjarët. Për kompensimin e këtyre vizitave, Ministria e Drejtësisë ka kompensuar familjen Mustafa me 5 mijë e 893 euro.

Kurse për familjen e Pjetër Shalës, nga buxheti i shtetit për vizita në Hagë, janë ndarë 5 mijë e 560 euro.

Më së paku janë kompensuar familja e Nasim Haradinajt, të cilët për bileta, udhëtim e fjetje kanë marrë 5 mijë e 88 euro.

Nga ana tjetër, familja e Thaçit nuk ka përfituar asnjë cent nga buxheti i shtetit, për vizitat në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

ÇFARË THOTË LIGJI?

Këto shpenzime janë të rregulluara me Udhëzimin Administrativ për Përkrahjen e të Akuzuarve në Hagë. Nga Ministria e Drejtësisë, kanë bërë të ditur se ata e zbatojnë me përpikëri këtë udhëzim.

Sipas këtij udhëzimi, familjarëve të të akuzuarve u kompensohen shpenzime për tri ditë, ku përfshihet edhe dita e udhëtimit dhe ajo e kthimit. Këtu paguhen biletat e udhëtimit, ushqimi dhe fjetja.

“Biletën e aeroplanit, në lartësi të biletës së udhëtimit të klasit ekonomik, kur realizohet udhëtimi me aeroplan; 1.2. biletën e autobusit në lartësi të biletës së udhëtimit të klasit ekonomik, kur realizohet udhëtimi me autobus; 1.3. biletën e trenit në lartësi të biletës së udhëtimit të klasit ekonomik, kur realizohet udhëtimi me tren; 1.4. shpenzimet e taksive për relacionin nga aeroporti deri në hotel dhe anasjelltas si dhe nga hoteli deri në vendin ku mbahet personi i akuzuar potencial apo ku zhvillohet gjykimi dhe anasjelltas”, thuhet në udhëzim.

“Shpenzimet e fjetjes dhe ushqimit përfshijnë: Shpenzimet për fjetje në hotel në shumën prej tetëdhjetë (80) Euro për një natë. Shpenzimet për ushqim, në shumën prej pesëdhjetë (50) Euro për një ditë”, thuhet tutje.

“Shpenzimet administrative të ndërlidhura me udhëtimin përfshijnë: 1.1. Pagesën për vizë që ndërlidhet me udhëtimin; 1.2. Pagesën për sigurim shëndetësor që ndërlidhet me udhëtimin”, theksohet në udhëzim administrativ.

Lajme të ngjashme