“Targa, targa, targa” — Marrëveshja e Kurtit që na humbi më shumë se 1 vit - NACIONALE

“Targa, targa, targa” — Marrëveshja e Kurtit që na humbi më shumë se 1 vit

1 vit më parë

nga Festim Gërguri

Çështja e targave Kosovën e la kaps për 1 vit e dy muaj.

Ishte kjo deklaratë e Kurtit që bënë serbët t’i bllokonin rrugët në veri vitin e kaluar.

"Pra, këto janë tabelat tona që janë të përkohshme për ata që vijnë me tabela të tjera, ndërkaq ka dhjetë vjet që qytetarët tanë paguajnë për këto tabela që janë poshtë. Ne nuk i duam as këto as këto, por derisa të ketë këso, do të ketë edhe këso".

BE-ja dhe SHBA-ja bënin thirrje që të ulen tensionet, e Vuçiqi kërkonte të hiqej njësia speciale nga veriu i Kosovës. Ndërsa Kurti thoshte se targat hiqen vetëm nëse i heq edhe Serbia.

Pas dhjetë ditëve tension, Lajçak njoftoi se më në fund është arritur një marrëveshje, ku simbolet shtetërore në targa do të mbulohen me ngjitës.

Vuçiq u shpreh i kënaqur me marrëveshjen, ndërsa Kurti tha se tash e tutje Serbia do të mësohet me reciprocitet.

Muaj kaluan, asgjë nuk ndryshoi, pos që në një natë korriku, Policia u njoftua se targat RKS në Mitrovicë ishin mbuluar me ngjitës “KM” dhe stema e Kosovës ishte mbuluar me atë të Serbisë.

Kurti njoftoi se nga 1 gushti do të nisë edhe riregjistrimi i makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia.

Rrugët në veri u bllokuan përsëri, ndërsa SHBA-ja kërkoi shtyrjen e zbatimit të këtij vendimi për 30 ditë. Kurti kësaj radhe lëshoi pe.

Më 5 tetor, MPB njoftonte se 8 makina ishin kthyer në regjistrimin RKS, ndërsa vazhdimisht raportohej për djegien e veturave me targa të konvertuara.

SHBA-ja dhe BE-ja i kërkuan Kurtit që të shtyhet zbatimi i vendimit për targa përsëri, por kryeministri refuzoi. Supërfuqitë perëndimore u shprehën të zhgënjyera.

Faza e parë për zbatimin e vendimit ishte qortimi, por këtë gjë refuzoi ta bënte Drejtori i Policisë në Veri, Nenad Gjuriq, i cili më pas u shkarkua.

Qindra serbë nga komunat veriore dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë edhe deputetët e Listës Serbe.

Borrell njoftoi se prapë nuk ka marrëveshje, e fajin për këtë ia la Kurtit, ndërsa presidentja Osmani akuzoi Borrellin për njëanshmëri.

Gjermania dhe Anglia e quajtën absurde të përshkallëzohet situata për targa, e ambasadori i SHBA-së në Beograd e lavdëroi Vuçiqin.

Në Kosovë SHBA-ja kërkoi të shtyhet zbatimi i vendimit edhe për 48 orë, e Kurti kësaj radhe pranoi.

Brenda kësaj kohe, pala kosovare dhe ajo serbe arritën marrëveshje; Kosova nuk do t’i regjistrojë veturat me targa serbe, as Serbia nuk do të lëshojë targa të reja.

Pas një viti e dy muajve, targat serbe vazhdojnë të qarkullojnë në Kosovë.

Lajme të ngjashme