Spiunoi te BIA serbe, ish-punëtorja e OSBE-së dënohet me 6 vjet burg nga Gjykata
Është dënuar me 6 vjet burg Jelena Gjukanoviq, pasi akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për veprën penale të spiunazhit.
Aktgjykimi është shpallur sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës nga kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, dhe anëtaret e trupit gjykues Avni Syla dhe Kujtim Krasniqi.
Gjukanoviq, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, akuzohet se, sa ishte punëtore e OSBE-së, kishte dhënë informacione te BIA serbe.
“Sot, në praninë e prokurorit special, të akuzuarës dhe avokatëve mbrojtës, në seancë të hapur dhe publike, në emër të popullit shpall këtë aktgjykim: Jelena Gjukanoviq shpallet fajtore për shkak të veprës penale të spiunazhit. Andaj, gjykata, bazuar në dispozitat e Kodit Penal dhe të Kodit të Procedurës Penale, e dënon me burgim në kohëzgjatje prej 6 vjetësh, i cili do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Në dënimin me burg i llogaritet edhe masa e paraburgimit nga 28 shkurti 2025 e tutje. I vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi. Lejohet ankesa brenda 30 ditësh nga dita kur pranohet aktgjykimi me shkrim. Gjykata, lidhur me këtë vendim, do të nxjerrë aktgjykim të detajuar me shkrim, ku do të paraqesë arsyet për secilën pikë të këtij aktgjykimi.” – njoftoi gjyqtari Beqiri.