Si u kapën nga kamerat Naim Murseli dhe Granit Plava në ditën e vrasjes së Liridona Ademajt
Në seancën e sotme ndaj Naim Murselit, Granit Palvës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, janë shfaqur pamjet nga kamerat e sigurisë.
Fillimisht, në pamjet të cilat i prezantoi Prokuroria, shihet Naim Murseli duke dalë nga shtëpia dhe duke hipur në veturën Range Rover.
Më pas, i akuzuari Murseli shkon në një pompë derivatesh, ku para tij arrin Granit Plava me veturën Seat, ndërsa pas tij mbërrin edhe Naim Murseli.
Plava del nga vetura e tij dhe hipën në veturën e Naim Murselit, nga ku më pas largohen të dy së bashku.
Në pamje të tjera, shihet edhe Liridona Ademaj, e cila së bashku me fëmijët e saj arrin në shtëpinë në Bërnicë.
Më vonë gjatë ditës, Granit Plava dhe Naim Murseli shkojnë sërish te pompa e derivateve, ku bisedojnë me njëri-tjetrin dhe i akuzuari Murseli i jep Plavës një pije.
Prokuroria e rastit prezantoi gjithashtu pamje nga restoranti, ku Naim Murseli së bashku me Liridona Ademajn dhe fëmijët e tyre kanë darkuar për herë të fundit së bashku. Në restorant kishte shkuar edhe i akuzuari Granit Plava, i cili ishte ulur përballë tyre.
Në njërën nga pamjet e lëshuara nga restoranti, shihet edhe i akuzuari Murseli duke bërë një veprim me dorë në drejtim të Plavës, që sipas Prokurorisë ishte një shenjë.
Pamjet tregojnë edhe momentin e largimit të Murselit dhe Plavës nga restoranti drejt Bërnicës, ku ndodhet shtëpia dhe në afërsi të së cilës ka ndodhur vrasja.
Në Gjykatë u lëshua edhe një audio-incizim, në të cilin dëgjohet krisma e armës dhe britmat e fëmijëve.