Shfaqja e pamjeve të momentit kritik, ndërhyrja e policisë e dëgjime të dëshmitarëve: Çka ndodhi këtë javë në gjykata?
Për fajde apo për banesa?
Në mars të vitit 2023, dy vëllezërit, Musafë dhe Avni Mustafa, dyshohet se kanë privuar nga jeta Rexhep Tahirin. Në bazë të aktakuzës, deri të vrasja erdhi për shkak të fajdeve. E gjitha ngjarja ka ndodhur në një restorant të një hoteli në lagjen Arbëria në Prishtinë.
Këtë javë u mbajt edhe seanca e radhës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, saktësisht në departamentin për Krime të Rënda, ku gjatë kësaj seance u shfaqen edhe pamje nga dita kritike.
Sipas aktakuzës dy vëllezërit, Mustafë dhe Avni Mustafa kishin shkuar tek restoranti që të kryenin një pjesë të pagesës së fajdes tek viktima Rexhep Tahiri.
Më pas aty, viktima dhe dy të akuzuarit ishin ngritur nga tavolina ku kishin qenë të ulur, dhe në bazë të pamjeve të njëjtit po bisedonin me agresivitet mes vete.
Në pamje po ashtu shihet qartë që viktima gjatë gjithë kohës mbanë dorën në gjepin e jaknes së tij, ku aty edhe mbanë një mjetë të ftoft, thikë.
Pas që viktima dhe dy të akuzuarit ishin duke biseduar me tensione të larta mes vete, aty gjendja del jashtë kontrollës dhe të njëjtit kishin filluar që të përleshen.
Viktima, Rexhep Tahiri kishte nxjerrë thikën dhe kishte sulmuar vazhdimisht vëllezërit Mustafa, sa ishin brenda restorantit, ku në pamjet shihet që njëri nga vëllezërit kishte nxjerrë armën, mirëpo që aty nuk kishte shkrepur.
Disa momente më pas, dy vëllezërit kanë dal jashtë nga restoranti, ku menjëherë pas tyre kishte shkuar edhe viktima, i cili iu kishte vërsulur duke i sulmuar me thikë, dhe gjatë përleshjes së tyre, Avni Mustafa dyshohet se kishte nxjerr armën dhe kishte privuar nga jeta tashmë të ndjerin Rexhep Tahirin.
Në seancën e së mërkurës, avokati i palës së dëmtuar në këtë rast, ka deklaruar se çështja në këtë mes nuk ishte për shkak të fajdeve, por për shkak të banesave.
Ndërsa nga ana tjetër, avokati i të akuzuarve, ka thënë se dy klientët e tij kishin qenë në vetëmbrojtje.
Çfarë thuhet në aktakuzë?
Sipas aktakuzës së ngritur me 11 tetor 2023 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë i akuzuari Avni Mustafa me datë 19 mars 2023 rreth orës 13.20 në afërsi të hotelit “Adria” në Prishtine për shkak të një konflikti pronësor që dyshohet të jetë fajde e ka privuar nga jeta të ndjerin Rexhep Tahiri duke e goditur një herë me revole në regjionin e gjoksit.
I akuzuari Mustafë Mustafa në kohën dhe vendin e njëjtë akuzohet për veprën “pjesë marrje në rrahje” dhe “ mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ndërkaq i akuzuari Leutrim Mustafa akuzohet për veprën penale “manipulim me prova” pasi që në aktakuzë thuhet se ka pranuar nga Mustafë Mustafa çantën e tani të pandehurit Avni Mustafa në të cilën ishte revolja e tipit “Zastaava” me të cilën ishte kryer vepra penale dhe të njëjtën e kishe fshehur në zyrën e tij.
Vrasja në Viti
Këtë javë u mbajt seanca për vrasjen në Sudovinë të Vitisë, ku të akuzuar janë pesë persona. Ky rast është në rigjykim, pasi apeli e kishte kthyer sërish nga e para. Seanca e kësaj jave u përcoll me emocione të forta, ku vajza e të ndjerit, M.I shpërtheu ndaj të akuzuarëve derisa po dëshmonte për rastin.
Prokuroria Themelore në Gjilan, në nëntor të 2019-ës, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Besmir, Samet, Fisnik, Ismet dhe Hizri Ismajli, me arsyetimin se të njëjtit, në maj të vitit 2019, në fshatin Sadovinë me dashje dhe në bashkëkryerje, për motive pasurore-pronësore, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin M.I.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të pandehurit me mjete të forta si drunj dhe shufra metalike, e godasin tani të ndjerin në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar gërvishtje dhe gërvishtje lëkurore, për çka i njëjti nga familjarët transportohet në Shtëpinë e Shëndetit në Viti, e më pas si rast urgjent dërgohet në Qendrën Emergjente të Spitalit Regjional në Gjilan.
Avokatët e të dënuarve Samet e Fisnik Ismajli në ankesën e tyre në Gjykatën e Apelit kishin përmendur disa deklarata kontradiktore nga disa dëshmitarë. Ata kishin përmendur se disa dëshmitarë fillimisht kishin thënë se viktimën e kanë goditur Sameti e Fisniku, e më pas kanë thënë më duket se e kanë goditur.
Avokati i Samet Ismajlit, Kujtim Kërveshi, kishte cituar video-incizimin duke theksuar se klienti i tij nuk shihet duke goditur viktimën. Megjithatë, Gjykata e Apelit vendosi ndryshe. Aty përmendet se Samet Ismajli shihet teksa i ka sjellur shkopinjtë në vendin e ngjarjes. Sipas avokatit, kjo në asnjë moment nuk e vërteton se klienti i tij e ka goditur viktimën.
Gjykata e Apelit kishte konstatuar se tre të dënuarit kanë marrë pjesë në vrasje, duke refuzuar ankesën e avokatëve.
Kumrije Temaj i dëgjon me dhimbje rrëfimet e dëshmitarëve për djalin që e humbi në mënyrë misterioze
Kumrije Temaj, nëna e vetmuar po vazhdon beteën e saj me drejtësinë.
Ajo edhe këtë javë ishte në seancë për vdekjen e djalit të saj, që humbi jetën në moshë të re.
Përderisa rasti gjykohet për ‘rrezikim të trafikut pasi vdekja u cilësua si aksident, Temaj beson se djalin ia vranë.