Rrëfimi nga Banjska e Zveçanit: Një muaj nga sulmi që cënoi sigurinë e Kosovës
Një muaj më parë, më saktë më 24 shtator, ka ndodhur sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku ra në krye të detyrës një polic i Kosovës dhe tre terorristë të grupit të armatosur që udhëhiqej nga Milan Radojiçiqi, ish-nënkryetar i Listës Serbe. Çfarë u pa në Banjskë një muaj pas sulmit terrorist?
Një muaj pas sulmit, Banjska duket krejt ndryshe nga dita kritike. Qetësia tashmë mbizotëron dhe nuk ka të shtëna me armë, ndërsa Policia e Kosovës vazhdon të jetë e stacionuar në atë pjesë të veriut të vendit.
Këtë të marte, në Banjskë të Zveçanit ka qëndruar gazetarja e Nacionales, Gentiana Hasani, e cila raporton për situatën në të cilën gjendet sot ky fshat që ishte arenë e ballafaqimit të Policisë së Kosovës me terroristët e udhëhequr nga Radojiçiq.
Ndryshe, sot Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme, ka folur për mundësinë e një sulmi tjetër ndaj Kosovës. Duke folur për situatën e sigurisë në veri të Kosovës pas sulmit të Banjskës, Sveçla deklaroi se ka informacione se edhe grupe të tjera janë duke u trajnuar për sulme të ardhshme ndaj shtetit kosovar.
Madje, ai ka përmendur me emër e mbiemër Milan Radojiçiqin, i cili e pranoi pjesëmarrjen në sulmin terrorist të Banjskës, dhe Zvonko Veselinoviqin, biznesmen kontravers.
“Kemi informata inteligjente se grupe të tjerra janë duke u trajnuar, se jo vetëm Radoiçiqi por edhe Veselinoviq do të jenë pjesë e sulmeve të ardhshme nëse ne do t’i lejojmë të ndodhin ato, me të vetmin qëllim që të shkaktojnë një situatë të re në terren ku pozicioni i Serbisë do të përmirësohej në raport me qëllimin e tyre për ta shkatërruar Kosovën.” – tha Sveçla, transmeton Koha.
Dje kryeministri Albin Kurti publikoi një shkrim relativisht të gjatë, në të cilin shkroi se sulmin terrorist në Banjskë e krue “Klani i Novi Sadit”, i cili, sipas Kurtit, udhëhiqet nga ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq.
“Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin”, shkroi Kurti në Facebook të hënën.
Ndryshe, të enjten është paralajmëruar një takim në mes Kurtit dhe Aleksandar Vuçiqit, president i Serbisë, pasi BE-ja ka njoftuar se u ka dërguar ftesat për një takim.
“Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u ftuan në takime në mbështetje të dialogut në margjinat e Këshillit Evropian më vonë këtë javë” – deklaroi Peter Stano, zëdhënës i BE-së, për Klankosova.tv.