Prokurorja: Kemi prova materiale që Nagip Krasniqi i ka dërguar projekte Dejona Mihalit
Ish-kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, dhe Isuf Zejna, në seancën e sotme janë deklaruar të pafajshëm lidhur me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.
Krasniqi akuzohet për veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”, ndërsa Isuf Zejna për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.
Në seancë, prokurorja e rastit, Fikrie Zejnullahu, përmendi edhe mesazhet që Krasniqi ka shkëmbyer me Dejona Mihalin, për të cilat Gazeta Nacionale kishte raportuar më herët.
“Edhe për komunikimet mes të akuzuarit Nagip Krasniqi dhe disa nga zyrtarët e partisë në pushtet, Vetëvendosje, në përgjithësi e në veçanti me Dejona Mihalin si përfaqësuese e partisë, person jozyrtar, kishte komunikime të shpeshta dhe jo vetëm kaq, por i akuzuari Krasniqi i dërgonte referenca dhe projekte, të cilat në mënyrë të kundërligjshme ishin të pajisura me autorizim nga i akuzuari, i cili jepte opinione.” – tha ajo.
Në fjalën hyrëse, i pandehuri Krasniqi deklaroi se i gjithë ky rast është i montuar dhe, sipas tij, prokuroria ka pasur tendenca ndaj tij.
“Me aktin e arrestimit tim dhe mbajtjen në paraburgim për pesë muaj, është bërë dënim pa u zhvilluar gjykimi. Ka dhjetëra raste të tjera me aktakuza ndaj zyrtarëve publikë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ku nuk ka pasur arrestime, dhe kjo tregon se çfarë tendencash ka pasur prokuroria në këtë rast.” – tha ai.