Pamje alarmante: Autobusë të prishur për ushtarët e FSK-ës, kompania nuk përgjigjet - Ministria arsyetohet - NACIONALE

Pamje alarmante: Autobusë të prishur për ushtarët e FSK-ës, kompania nuk përgjigjet - Ministria arsyetohet

2 ditë më parë

nga Eriola Cacaj

Qeveria Kurti dhe Ministria e Mbrojtjes vazhdojnë të flasin për forcimin e kapaciteteve ushtarake, modernizimin e FSK-së dhe investimet milionëshe në mbrojtje, realiteti me të cilin përballen çdo ditë ushtarët e Kosovës tregon një pamje krejt tjetër. Transporti i pjesëtarëve të FSK-së vazhdon të mbetet në gjendje alarmante, me autobusë që kushtet e të cilëve nuk i përgjigjen standardeve që priten për një forcë moderne ushtarake.

Gazeta Nacionale ka siguruar disa pamje që dëshmojnë gjendjen në të cilën transportohen ushtarët e FSK-së.

Në njërin nga autobusët e angazhuar për transportin e ushtarëve nuk funksionon as matësi i shpejtësisë, duke ngritur shqetësime për sigurinë teknike të mjetit.

Në pamje të tjera shihen autobusë të prishur, të cilët kanë mbetur anash rrugës, duke nxjerrë në pah gjendjen e automjetëve që përdoret për transportimin e pjesëtarëve të FSK-së.

Këta autobusë janë pronë e kompanisë Arditi Tours, e cila ka fituar tenderin për transportin e ushtarëve të FSK-së nga qytetet e Kosovës drejt kazermave.

Tenderi trevjeçar i dhënë nga Ministria e Mbrojtjes arrin vlerën prej 2.6 milionë eurosh. Sipas kushteve të tenderit, kompania fituese duhet të disponojë autobusë jo më të vjetër se 17 vjet. Megjithatë, fotografitë e siguruara nga Gazeta Nacionale ngrenë pikëpyetje nëse ky kriter po respektohet në praktikë.

Se pjesëtarët e FSK-së kanë pasur pakënaqësi me transportin, këtë e pranon edhe vetë Ministria e Mbrojtjes.

Në përgjigjet për Gazetën Nacionale, Ministria ka konfirmuar se ka pranuar ankesa nga pjesëtarët e FSK-së lidhur me kushtet e transportit dhe se këto shqetësime janë trajtuar përmes menaxherëve të kontratës dhe takimeve me operatorin ekonomik.

Megjithatë, Ministria insiston se autobusët e angazhuar janë në përputhje me kriteret e tenderit. Sipas saj, aktualisht janë të angazhuar 29 autobusë, ndërsa kontrollet dhe mbikëqyrja kryhen vazhdimisht nga menaxherët e kontratës, Policia Ushtarake dhe institucionet përgjegjëse për kontrollin teknik të automjeteve.

Pranimi i ankesave nga vetë Ministria tregon se problemet me transportin nuk kanë qenë raste të izoluara. E derisa institucionet pretendojnë se kontrata po zbatohet sipas kushteve dhe autobusët i nënshtrohen kontrolleve të vazhdueshme, pamjet e siguruara nga Gazeta Nacionale tregojnë një realitet krejt tjetër.

Në lidhje me këtë rast, Gazeta Nacionale ka kërkuar përgjigje edhe nga kompania Arditi Tours, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Lajme të ngjashme