Nuk ka rrymë në QKUK as në Pallatin e Drejtësisë: Qe çka thotë KEDS-i
Ditëve të fundit, reduktimet me energji elektrike janë shpeshtuar në vendin tonë.
Së fundmi, dy institucionet kryesore – Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës, si edhe Pallati i Drejtësisë në Hajvali të Prishtinës, janë përballur me këtë problem.
Nga QKUK-ja, dy ditë më parë njoftuan për këtë çështje, duke thënë se bëhet fjalë për një problem jashtë hapësirave të këtij institucioni.
Ani pse ky njoftim është dhënë para dy ditësh, burimet e Gazetës Nacionale bëjnë të ditur se problemet me energjinë elektrike kanë vazhduar edhe më pas.
Me të njëjtin problem është përballur edhe Pallati i Drejtësisë në Hajvali të Prishtinës, saktësisht Gjykata Themelore në objektin D.
Gazeta Nacionale ishte e pranishme pikërisht në momentin kur ndodhi ndalja e energjisë elektrike.
Ne kemi kontaktuar KEDS-in, të cilët e kanë konfirmuar se ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike.
Ata thanë se, sa i përket QKUK-së, KEDS ka siguruar dy linja furnizimi alternative, në mënyrë që, në rast të ndonjë situate të papritur, furnizimi të mund të vazhdojë pa ndërprerje përmes linjës rezervë.
Sipas tyre, janë në fazën përfundimtare të ndërtimit të daljes së tretë alternative, e cila pritet të jetë funksionale së shpejti.
Ndërsa, sa i përket ndërprerjeve të shënuara ditët e fundit, nga KEDS kanë thënë se ato kanë qenë pasojë e ndërhyrjeve në nivel më të lartë të tensionit brenda nënstacionit Prishtina 7.
Sipas tyre, ky nënstacion është nën menaxhim të operatorit të transmetimit KOSTT.
Nga KEDS-i nuk kanë dhënë ndonjë detaj për ndërprerjen e rrymës në Gjykatën Themelore të Prishtinës.