“Në Komunë figurojke veç 50, unë kam pagu 100 euro” – Dyshime për mashtrim në çerdhe, dorëhiqet drejtoresha, nisin hetimet
Ka më shumë se dy vite që dyshohet se zyrtarët e kësaj çerdheje keqpërdorin emrat e fëmijëve për të vjedhur. Për këtë periudhë, ua morën pagesën e plotë prindërve, ndonëse Komuna e Prishtinës, për fëmijët e regjistruar në institucione parashkollore private, ofron mbështetje financiare duke ua mbuluar një pjesë të pagesës.
Sipas prindërve, 93 fëmijë ishin në listën që kishte shkuar në Komunën e Prishtinës për subvencionime, por pavarësisht kësaj, kishte emra të fëmijëve që figuronin në listë për subvencionim, por që prindërit nuk ishin në dijeni dhe vazhdonin të bënin pagesën e plotë.
Për gazetën Nacionale ka folur edhe ish-drejtoresha e kësaj çerdheje, e cila tha se ishte ajo e para që kishte vërejtur këto dyshime dhe se tashmë ka dhënë dorëheqje.
Përveç kësaj, burimet e Nacionales kanë bërë të ditur se ka pasur edhe keqpërdorime të tjera, ku njëra ndër to kishte qenë fatura e internetit, e cila ishte paguar 170 euro vetëm për një muaj. Po ashtu, ishin gjetur edhe fatura ku figurohej se kjo çerdhe kishte blerë telefona.