“Nashta edhe armë ka pas, se atë ditë janë rreh”: Në gjykimin për vrasjen e Lekë Bulliqit dëshmon vëllai i tij - NACIONALE

“Nashta edhe armë ka pas, se atë ditë janë rreh”: Në gjykimin për vrasjen e Lekë Bulliqit dëshmon vëllai i tij

1 muaj më parë

nga Eriola Cacaj

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca ndaj Eduard Ibrahimit, i cili akuzohet për vrasjen e Lekë Bulliqit.

Në këtë seancë dëshminë e tij e ka dhënë, vëllai i viktimës Lum Bulliqi, i cili ka thënë se qëndron prapa deklaratave të dhënë më parë.

Gjithashtu Lumi ka thënë se vëllai i tij, mund të jetë ndjerë i kërcënuar në ditën kritike, pasi që sipas tij ka pasur përleshje shumë hershme me të akuzuarin.

Në seancë ka munguar dëshmitari Genc Shabani, për të cilin ishte lëshuar edhe urdhërarrest, mirëpo që i njëjti tashmë gjendet në shtetin e Zvicër.

Për këtë gjykata mori aktvendim, pasi që u pajtua edhe prokuroia e rastit dhe avokati i të akuzuarit, që të lexohen dëshmi e Shabanit të dhëna më parë.

Kujtojmë se, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 7 qershor 2022 kishte dënuar Eduard Ibrahimin me 22 vite burgim, si dhe E.M, me 2 vite burgim, P.I me 3 vite burgim dhe 1 mijë euro gjobë, kurse L.B me 2 vite e 6 muaj burgim, lidhur me vrasjen e të miturit Lekë Bulliqi.

Ndërsa, Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar vendimin e shkallës së parë më 21 nëntor të vitit 2022.

E, Gjykata Supreme më 25 maj 2023 e ka kthyer në rigjykim këtë çështje me arsyetimin se gjykata e shkallës së parë nuk kishte arsyetuar asnjërën prej provave të administruara, por vetëm e kishte mohuar mbrojtjen e nevojshme me arsyetimin se nuk ishte shtënë nga arma, edhe pse ekspertiza mjeko-ligjore e thotë të kundërtën dhe se vendimi ndaj Ibrahimit ishte jo i drejtë, pasi dënimi ishte i lartë duke pasur parasysh moshën e tij 19-vjeçare në kohën e kryerjes së veprës penale.

Sipas aktakuzës së ngritur më 18 nëntor 2020, Eduard Ibrahimi akuzohet se më 12 mars 2020, rreth orës 15:00, në Prishtinë, e ka privuar nga jeta të miturin L.B., dhe me atë rast me dashje ka vënë në rrezik jetën e të dëmtuarve R.G. dhe B.S.

Lajme të ngjashme