Naim Murseli para Gjykatës për vrasjen e Liridonës, dëshmon eksperti mjeko-ligjor
Ka vazhduar edhe sot seanca gjyqësore ndaj tre të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt.
Nën masa të rrepta sigurie, në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë sjellë Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava.
Në seancën e së hënës, para trupit gjykues, dëshminë e ka dhënë Naim Uka, ekspert i mjekësisë ligjore.
Uka, i cili ka realizuar ekspertizën e së ndjerës Liridona Ademaj, deklaroi se plumbi me të cilin ajo është goditur ka qenë i shkrepur nga një distancë prej 2 deri në 5 centimetra.
Ai gjithashtu bëri të ditur se copëza të predhës kishin rënë në pjesën e kokës.
Në dëshminë e tij, Uka shtoi se e ndjera Liridona kishte pasur edhe një shenjë mavijosjeje në krahun e majtë.