Misteri 6-vjeçar i vdekjes së Astrit Deharit, edhe Vetëvendosje pa përgjigje
Sot janë bërë 6 vjet nga vdekja e aktivistit të LV-së, Astrit Deharit. Për 6 vjet, janë ndërruar disa qeveri, rrjedhimisht disa ministra të drejtësisë, kot. Gjithçka rreth vdekjes së trishtë të 5 nëntorit 2016, mbetet ende mister.
Deri me tani janë kryer hetime, intervista, arrestime, raporte, ekspertiza për të zbardhur vdekjen e ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje.
Familja e Astrit Deharit që nga fillimi i hetimeve për këtë rast nuk u kishte besuar gjetjeve të autoriteteve kosovare. Për ta, djali i tyre, është vrarë.
Ata kërkuan ekspertizë ndërkombëtare.
Në ekspertizën e vitit 2019, të përpiluar nga mjekët ligjorë në Llozanë të Zvicrës, nuk përjashtohej asnjëri opsion, as vetëvrasja e as vrasja.
Gati 3 vjet pas ekspertizës së parë, ekspertët zviceran, në tetor të vitit 2021, zbarkuan në qelinë ku kishte vdekur Astrit Dehari.
Në raportin e tyre thuhej: “analizat e ADN-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin Astrit Dehari në momente të afërta me vdekjen, nuk kanë treguar profil të ADN-së, përveç të Astrit Deharit”.
Edhe pas këtij raporti, familja Dehari kishte kërkuar përjashtimin e prokurorit Afrim Shefkiu nga ky rast.
Dita e vdekjes
Në mbrëmjen e 5 nëntorit të vitit 2016, u raportua për vdekjen e një personi brenda Qendrës së Paraburgimit në Prizren.
Pak minuta më vonë, u raportua se brenda qelisë së tij ishte gjetur i vdekur ish-aktivisti i LV-së, Astrit Dehari.
26-vjeçari po qëndronte aty nën dyshimet se ka qenë një nga gjashtë personat që mori pjesë në sulmin e gushtit të po atij viti me granatahedhës në Kuvendin e Kosovës.

Çfarë bëri partia e tij pas vdekjes së aktivistit?
Ishte bërë shumë zhurmë se kur LV të vinte në pushtet do të merrej me zbardhjen e rastit.
Pas vdekjes së tij, Vetëvendosje kishte mbajtur shumë protesta.
Nga Vetëvendosje, i ndjeri quhet dëshmor. Tash e 6 vjet, për nder të tij mbahet edhe një turnir i futbollit.
Për rreth 2 vjet në pushtet, Vetëvendosje ende s’ka arritur të zbardhë të vërtetën për rastin e Astrit Deharit.
“Diçka që s’më le rehat, diçka që… edhe gjumin s’e bëj rehat, është rasti Dehari. Është është rasti më i rëndë në Kosovën e pasluftës”.
Kështu tha në një intervistë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në fund të muajit shtator të këtij viti.
Ministria e Drejtësisë ka pezulluar nga puna Kryeinspektoin e Inspektoriatit të Shërbimit Korrektues, Ylber Topallin, për shkak të pretendimeve të shkeljeve të rënda procedurale që janë të ndërlidhura me rastin e Astrit Deharit.
Më pas u pezulluan edhe dy zyrtarë të tjerë, për shkelje të rëndë lidhur me veprimet, mosveprimet në rastin e njëjtë.
Vdekja e Astrit Deharit në Prizren, ishte regjistruar nga Prokuroria Themlore në Prizren si vdekje e dyshimtë.
Astrit Dehari kishte vdekur në ditën e 68-të të qëndrimit të tij në paraburgim në Prizren.
Kurti e quan patriot shembullor, Vetëvendosje thotë se Dehari u vra
Kryeministri i vendit, Albin Kurti së bashku me familjarët e të ndjerit, dërguan lule, te varri i tij.
Kurti, edhe pse prej vdekjes së Astrit Deharit, ka qenë shumë i ashpër me pushtetin e atëhershëm, e nuk ngurronte ta quante vrasje, atë që ndodhi në qendrën e paraburgimit në Prizren, në vizitën që i bëri sot varrit të aktivistit, nuk e tha asnjë fjalë në këtë kontekst.
Ndoshta, sepse nën petkun e kryeministrit, ose për kushedi çfarë arsye, Kurti nuk u ndal te mënyra se si vdiq Astrit Dehari, veqse për të tha se ka qenë patriot shembullor, e se Lëvizjen Vetëvendosje e kishte në zemër.
“Janë mbushur 6 vjet, pa aktivistin, studentin, patriotin shëmbullor, Astrit Dehari. Lëvizja Vetëvendosje e ka në zemër, ashtu siq Astriti, Lëvizjen Vetëvendosje e kishte gjithmonë në zemër”. Ka thënë kryeministri Kurti.

Në anën tjetër në shkrimin e tyre, në faqen zyrtare të Vetëvendosjes në Facebook, ata vazhdojnë ta quajnë vrasje, vdekjen e tij.
“6 vjet pa shokun tonë më të dashur, aktivistin, studentin, patriotin shembullor Astrit Dehari
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, ministra dhe shumë deputetë e aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, si dhe familjarë, sot kanë bërë homazhe duke vendosur lule të freskëta te varri i Astrit Deharit i cili u vra 6 vjet më parë në burgun e Prizrenit ku po mbahej në paraburgim pa aktakuzë, pa gjykim, pa dënim, dhe pa u marrë në pyetje për 68 ditë.”
Haxhiu i bën thirrje Prokurorisë: Zbulojeni, shoqëria t’a kuptoj të vertetën
Në 6 vjetorin e vdekjes tronditëse, të Deharit, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka renditur, veprimet që ajo i ka ndërmarrë prej kur është e para e drejtësisë në Kosovë, duke thënë se tash duhet një aktivizim i Prokurorisë.
"Rrethanat e vrasjes së Astritit mbesin padrejtësisht enigmë, për shkak të mos veprimit të Prokurorisë. Janë të domosdoshme veprimet për zbardhjen sa më të shpejtë të rrethanave të vrasjes së Astritit, hetim i gjithanshëm që shoqërohet me efikasitet dhe rezultate që shfaqin të vërtetën, në bazë të provave dhe fakteve të pakonstestueshme të cilat janë në duart e organeve të ndjekjes. Neglizhenca e Prokurorisë po e vonon drejtësinë. Brenda kompetencave të përcaktuara ligjore, si Ministri e Drejtësisë kemi kërkuar inspektim për rrethanat e rastit Dehari, me ç'rast pas gjetjeve të Raportit kanë rezultuar me pezullim personat: Ylber Topalli (ish-Kryeinspektor i ShKK-së); Destan Zogaj (ish-u.d. Drejtor i Qendrës së Paraburgimit në Prizren) dhe Burim Buleshkaj (ish-u.d. Drejtor për Siguri, Operativë dhe Transport të të Burgosurve në ShKK). Për më tepër, shkeljet e rënda e të shumta procedurale i kemi dërguar te Prokurori i lëndës, por nuk kemi asnjë informacion për epilogun e tyre, në kuptim të ndihmës për ecurinë e rastit. Rasti Dehari nuk mund të zbardhet me pasivitet prokurorial", ka shkruar Haxhiu në profilin e saj në "Facebook".

Tutje, ministrja, i ka quajtur manipulime sistematike, ato që ndodhën në orët e para, kur vdiq Astrit Dehari.
“Zbulimi i saktë i çdo prove, përveç që vë drejtësinë për Astritin, dëshmon botërisht për fitoren e drejtësisë ndaj manipulimeve sistemike që rrodhën që në orët e para pas vdekjes së tij. Prokuroria duhet t'i vë në lëvizje të gjitha mekanizmat dhe instrumentet ligjore për ta përshpejtuar zgjidhjen e plotë të ngjarjes, me nxjerrjen e të gjithë përgjegjësve para drejtësisë. Shoqëria duhet ta kuptojë të vërtetën e plotë për Astritin.”, ka shkruar ajo.
Janë akuzuar njerëz, si në njërin tabor, ashtu edhe në tjetrin, janë kryer hetime e ekspertiza, por misteri i vdekjes së Astrit Deharit, është ende këtu.
Zbardhja e rastit Dehari, mbase do t’i jipte përgjigjje, shumë pikëpyetjeve, që janë ngritur që nga nëntori i 2016-ës, e për të cilën, institucionet e drejtësisë, janë të thirrura ta bëjnë.


