“Kurti është përfaqësues i malazezëve në Kosovë, të cilët po asimilohen” - NACIONALE

“Kurti është përfaqësues i malazezëve në Kosovë, të cilët po asimilohen”

4 vjet më parë

nga Festim Gërguri

Malazezët e Kosovës po ndihen të rrezikuar nga asimilimi, e gishti fajësues po drejtohet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kush e rrëzoi Abazoviqin, e kush nga politikanët kosovarë ishte më i afërt me Malazezët e Kosovës, janë vetëm disa nga çështjet të cilat u shtjelluan gjatë një interviste me Slobodan Vujiçiq – Kryetari i Shoqatës së Malazezëve në Kosovë.

“Ne kemi pritur nga kryeministri Albin Kurti kur ka ardhur në pushtet, se do të ketë mirëkuptim për Bashkësinë Malazeze, për shkak të arsyes së thjeshtë: sepse ai vjen nga Mali i Zi dhe në njëfarë mënyre është përfaqësues i diasporës Malazeze në Kosovë. Fatkeqësisht ai nuk ka pasur mirëkuptim dhe nuk ka për asgjë që ka të bëjë me malazezët. Bash në mandatin e tij, përfundimisht është ndërpre Strategjia për Integrim dhe Afirmim të Bashkësisë Malazeze, e bash në mandatin e tij është mbyllur Qendra për Zhvillimin e Malazezëve të Kosovës, e që prej tij absolutisht s’e kemi pritur. Ne nuk kemi pritur nga dikush si ai që vjen nga Mali i Zi, të bëjë diçka për ne mbi ligjin dhe kushtetutën. Por t’i shfrytëzojë mundësitë ligjore dhe mbi ato mundësi të na e mundësojë të kthehemi në jetë dhe të japim kontribut në shoqërinë kosovare qoftë në ekonomi apo sektorë të tjerë”.

“Ne si Shoqatë e Malazezëve të Kosovës i kemi përshëndetur e përkrahur deputetët të cilët e kanë rrëzuar Qeverinë e Dritan Abazoviqit. Ne vlerësojmë se ai ka provuar ta keqpërdorë Marrëveshjen Themelore (të Kishës Ortodokse Serbe) dhe në atë mënyrë ta mbrojë veten nga rrëzimi. Nuk vlerësoj se ai është rrëzuar vetëm për shkak të Marrëveshjes Themelore, por vlerësoj se ai ka punuar kundër interesave të Malit të Zi dhe rrugës euro-atlantike të Malit të Zi. Abazoviqi ka mbrojtur interesat e një shteti e veçanërisht interesat e Aleksandër Vuçiqit. Ai gjithashtu ka qenë për “Ballkanin e Hapur” gjë që nuk është interes i Malit të Zi, në këtë kuptim ka tradhtuar votuesit e tij, popullin në zgjedhjet e 30 gushtit të vitit 2020 dhe ka mashtruar e tradhtuar të gjithë atyre të cilëve ua ka shtrënguar duart, përfshirë popullin e thjeshtë dhe miqtë të cilët i kanë besuar, në mesin e tyre fatkeqësisht, jam edhe unë. Konsiderojmë se nuk është i denjë për të qenë kryeministër i shtetit të Malit të Zi”.

“Me aq sa di unë, edhe në Kuvendin e Kosovës demarkacioni është konfirmuar dhe kjo është punë e kryer. Ekziston një mundësi minimale për korrigjim nëse formohet një komision i ri. Më duket se me nenin 7 të Marrëveshjes së Demarkacionit, ekziston mundësia e ndonjë korrigjimi eventual. Por, unë mendoj se ajo që presin disa liderë shqiptarë; të fitojnë poenë politike dhe vota, apeloj te shqiptarët të mos bien nën ndikimin e asaj politike dhe të vazhdojnë të kenë marrëdhënie të mira me Malin e Zi... sepse në thelb, demarkacioni është marrëveshja dhe nuk mund të pësojë ndryshime të mëdha”.

“Së pari, çështja e Bashkësisë Malazeze është ngritur nga unë – më saktësisht, Shoqata e Malazezëve më 2008. Në vitin 2011, kemi hyrë në ligjin për Mbrojtjen e Pakicave dhe Përfaqësuesve të Tyre, ndërsa në vitin 2016, presidenti Thaçi këtë e ka ngritur në një nivel pak më të lartë. Në vitin 2016, qeveria në krye me z. Isa Mustafa, ka shfuqizuar Strategjinë për Integrim dhe Afirmimin e Bashkësisë Malazeze. Në vitin 2019, kemi hapur Qendrën për Zhvillimin e Malazezëve të Kosovës. Megjithatë, fatkeqësisht sot, në vitin 2022 nuk ekziston Qendra për Zhvillimin e Malazezëve të Kosovës, pra është mbyllur. Kurti ka kundërshtuar strategjinë, në të gjitha institucionet e Kosovës janë të punësuar 5-7 malazezë, kështu që në njëfarë mënyre, me ndihmën e institucioneve të Kosovës, ata që duan asimilimin e malazezëve, po e arrijnë Pra gjendja jonë mund të them s’ka qenë kurrë më keq”.

Lajme të ngjashme