Intervistë | Hisen Berisha: Kurti po rrëshqet drejt tradhtisë, rrezik për tensione në veri - NACIONALE

Intervistë | Hisen Berisha: Kurti po rrëshqet drejt tradhtisë, rrezik për tensione në veri

1 vit më parë

nga Besian Beha

Hisen Berisha, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës njëherësh anëtar i Komisionit për Siguri, ka drejtuar akuza të rënda për kryeministrin e vendit, Albin Kurti.

Berisha në një intervistë për gazetën Nacionale, ka thënë se kryeministri Kurti po rrëshqet drejt tradhtisë. Sipas tij, kjo pasi Kurti mund ta pranojë një Asociacion në kundërshtim me Kushtetutën, dhe planin franko-gjerman që sipas Berishës cenon rendin kushtetutes të Kosovës.

Deputeti i PDK-së ka paralajmëruar se nëse nuk respektohet thirrja ndërkombëtare që të shtyhet afati për targa, mund të ketë edhe tensione.

Kurti, tradhetia, veriu:

“Derisa kemi ardhur në këtë situatë ku atje mund të krijohet njëfarë njësie administrative që do t’i mbrojë serbët lokalë. Ka dalur nga Kushtetuta dhe nuk e ka pranuar një Asociacion që ka qenë vetëm një OJQ.Tash për shembull, nëse nuk e pranon shtyrjen e afateve për targa, krijohet tension në veri, dalin barrikada, ka tension apo konflikt, dhe ndërhyn KFOR-i, dhe në emër të këtij presioni ky e pranon marrëveshjen franko-gjermane. Në çdo kushtetutë të botës, ndoshta nuk e them saktë formulimin, çdo nënshkrim i çfarëdo marrëveshje dokumenti që cenon integritetin e sovranitetin e vendit është tradhti ndaj shtetit. Një marrëveshje e tillë, jo që e bën Republika Srpska, po krijohet autoritet i tillë që kur t’i do me shtri pushtet, ajo të pengon”, ka thënë Berisha në një intervistë për gazetën Nacionale.

Berisha tregoi pse nuk po e përkrahë propozimin franko-gjerman. “Vjen propozimi franko-gjerman me modelin e dy Gjermanive, bile ky propozim është ndikim në rendin kushtetues të Kosovës. Atje krijohet një njësi administrative territoriale, mund të ketë ingerenca që Kushtetuta jonë nuk e ndalë të ketë autonomi të tillë”, deklaroi ai.

Anëtari i Komisionit për Siguri tregoi skenaret, nëse Kurti nuk pranon të shtyhet afati për target siç po kërkohet, për 10 muaj.

“Ti thu se përfilli kërkesën për kohë shtesë për targat, çka do me bo me datë 31, duhet me dalë me zbatu vendimin tënd. Me forcë. Dhe nëse del me forcë, a ta merr menja që mundesh me u përballë me këtë. Duhet me matë veten mirë. Kosova sa herë ka koordinu, ka ecë përpara, kur fillon me tregu pak autoritet… e dijmë si e kemi bërë luftën”, deklaroi Hisen Berisha.

“Nga një Asociacion në frymën e Kushtetutës, e që partnerët tanë na sygjerojnë zbatojeni me kohë, kemi ardhur në situatë kur kemi refuzuar ta implementojmë sipas Kushtetutës, me i vu para aktit të kryer Beogradin”, tha ai.

Berisha tha se nuk do ta votonte mocionin për rrëzimin e Kurtit, pasi atij duhet t’i jepet koha për qeverisje.

“Ky e ka shumicën në Kuvend, mund ta rrëzojë veten sepse nuk e rrëzon askush. Sic e kanë rrëzuar qeveritë e kaluara. Por si do ta bëj këtë, unë e dhashë një supozim për veriun, ajo është tradhëti pikë. Tradhëti për Kosovën dhe gjakun që është derdhur. Shkelje e parimeve të unitetit territorial. Edhe nëse refuzohet gjithcka, do ta bëj në emër të patriotizmit, dyjat është keq. Por mospranimi si patriotizëm është mashtrim”, theksoi Hisen Berisha.

Strategjia e Sigurisë, e kopjuar nga Serbia

Hisen Berisha deklaroi se Strategjia e Sigurisë që u miratua në Kuvendin e Kosovës, është kopjuar nga Serbia.

Madje, ai tha, se po ta lexonte Kurti, asnjëherë nuk do ta pranonte një dokument të tillë.

“Kemi analizuar strategjinë tonë, ne sot këtë draft në komperacion me strategji të tjera. Ajo që tha z.Quni është shumë e afërt me një strategji që s’dua t’ia përmendi emrin. Është e ngjashme me Serbinë. Është tmerr e patolerueshme që në tavolinat e punës me u gjet si model. Ashtu si i kemi studiuar shumë shtete të tjera, ashtu siç i kemi studiuar ato, mund ta studiojmë edhe të Serbisë, por kjo nuk tolerohet, nuk lejohet. Grupi që ka punuar, sepse qeveria nuk merret me strategji. Jam i bindur që kryeministri nuk e ka lexu fare, po ta kish vërejt kish thanë bëjeni për së dyti mos bëni lojëra”, deklaroi Hisen Berisha.

Ai foli edhe për shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

“Shërbimi i detyrueshëm ushtarak është lindor, që ka dështuar. Jugosllavia, Rusia etj. Ushtarët e shërbimit obligativ, po dështojnë, ushtari është ushtar nuk ka faj ai për urdhëra të budallëm. E shihni në çfarë gjendje përfundojnë. Mua thirrëm kam bërë peshë, por si ta veshi cizmet unfiormën prap jam luftëtar. Nuk është koha një, e dyta nuk e përballon Kosova financiarisht”, përfundoi Hisen Berisha.

Lajme të ngjashme