Historia, Kina, Pavarësia – diplomati nga Taivani te Intervista e Buzhalës - NACIONALE

Historia, Kina, Pavarësia – diplomati nga Taivani te Intervista e Buzhalës

1 vit më parë

nga NACIONALE

23 milionë banorë. 13 mijë e 976 metra katrorë sipërfaqe. Taivani është republikë gjysmëpresidenciale dhe që ngërthen në vete një histori tejet interesante.

Një nga shtetet që e njohu Pavarësinë e Kosovës qysh në ditët e para. Megjithatë, për t'u njohur më shumë me vendin aziatik, historinë, problemet dhe situatën politike atje, sonte te Intervista e Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale është i ftuar Shih-chung Liu.

Liu është përfaqësues politik i Taivanit në Budapest të Hungarisë dhe diplomat i vendlindjes së tij për Kosovën, Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinën.

Së bashku me autorin Buzhala ata shtjelluan shumë çështje, me në theks të veçantë vizitat e tij në vendin tonë, për të cilat thotë se janë të adhurueshme.

Ai vlerëson peisazhin, ndërsa shton se Kosova e Taivani kanë një të përbashkët tjetër: miqësinë e njerëzve.

"Bukuria nuk vjen vetëm nga pamja ose nga peizazhi, por gjithashtu edhe nga njerëzit dhe ne shpesh kemi thënë se gjërat më të bukura nga një vend janë zemrat e njerëzve. Prandaj kam kuptuar se Tajvani dhe Kosova ndajnë një gjë të ngjashme, që është: njerëzit shpesh janë shumë të mirë, shumë miqësorë, por, në anën tjetër, janë gjithashtu shumë të vendosur dhe e kanë të menduarin e vet dhe duan ta bëjnë të ardhmen e tyre më të mirë, prandaj shoh se ka goxha hapësirë për njerëzit nga të dyja vendet që të paktën ta njohin më shumë njëri-tjetrin".

Më pas, ai doli te pjesa e raporteve mes dy vendeve. Këtu tregoi pse shteti prej nga vjen ka qenë aq shumë i interesuar për Pavarësinë e Kosovës.

Gjithashtu, Liu rikujtoi faktin se viteve të fundit, të dy shtetet janë angazhuar në diplomacinë ndërkombëtare, ani pse siç e thotë ai, Kosova këtu është më me fat, pasi gëzon më shumë njohje.

"Po, menjëherë. Pse? Pavarësisht nga largësia e madhe mes Tajvanit e Kosovës, pse ishte Tajvani aq i interesuar për pavarësinë e Kosovës? Sepse Tajvani, në mënyrë të ngjashme si Kosova, ka qenë duke punuar fort për t’u përpjekur për njohje ndërkombëtare. Tajvani dhe Kosova kanë punuar shumë në disa dekada të fundit në përpjekje për ta zgjeruar hapësirën tonë ndërkombëtare, por në këtë aspekt, Kosova është pak më me fat se Tajvani, sepse më shumë shtete e njohin Kosovën se Tajvanin".

Në pjesën e fundit ndërkaq, ai komentoi edhe çështjen nëse një ditë, Taivani do të pranonte të bashkohej me Kinën.

"Kjo është në duart e popullit të Tajvanit, njëzet e tre milionë njerëzve të Tajvanit që të vendosin se në çfarë mënyre do ta ndërtojë Tajvani marrëdhënien e tij me Republikën Popullore të Kinës, duke supozuar se Republika Popullore e Kinës është bërë vend demokratik si Tajvani".

Lajme të ngjashme