Gjithçka që ndodhi të shtunën brenda pak orësh. Kush i mori 50 milionë $ për ta spiunuar Maduron?
Amerikën e dua për tri arsye:
- 1. Na ka shpëtuar nga Serbia;
- 2. Na ruan nga Serbia
Dhe e treta: si është e mundur që edhe aksionet më të komplikuara, si ai i djeshmi në Venezuelë, arrijnë t’i realizojnë duke u dukur si prodhim i Hollivudit?
Vetëm pak muzikë videove dhe mund t’i shfaqësh në kinema.
Që nga muaji gusht e deri dje, agjencitë amerikane nuk e kanë trajtuar Nicolás Maduro-n si president të një shteti, por si objekt dhe si “objektiv”.
Një aparat i tërë është kujdesur t’ia njohë Maduros hapat, zakonet dhe oraret:
çfarë ha, çfarë vesh, ku fle dhe sa fle, ku shkon.
Sipas deklarimeve publike të gjeneralit Dan Caine, ata e kanë ditur edhe se cilat kafshë i mban dhe ku i mban.
Përgatitja e aksionit dhe realizimi i tij tingëllon si roman spiunazhi, por kur lexon shkrimet e mediave kredibile botërore, e kupton se arrestimi i Maduros nuk ka qenë impuls i një presidenti kaotik, siç portretizohet shpesh Trumpi.
Arrestimi i Maduros ka qenë projekt i menduar nga të gjithë mekanizmat e shtetit.
Kjo video e imja është ndërtuar në bazë të shkrimeve të New York Times, BBC, The Guardian dhe Axios.
Aksioni për kapjen e Maduros ka qenë i përgatitur në tri fronte: inteligjencë në terren, teknologji në ajër dhe presion politik në Uashington.
Në gusht, pasi aksioni u aprovua nga Trumpi, një ekip i vogël i CIA-s u fut në Venezuelë pa mbulesë diplomatike, pasi ambasada amerikane ishte e mbyllur.
Qëllimi i veprimeve të CIA-s në terren ishte mësimi i “pattern of life” – rutina e saktë e Maduros.
Ndërkohë, një zyrtar i lartë i Venezuelës, njeri i afërt i Maduros, dyshohet se është rekrutuar nga CIA.
Amerika kishte premtuar 50 milionë dollarë për këdo që jepte informacione për kapjen e Maduros.
Me gjasë, dikush u tundua.
Pasi morën informacionet për shtëpinë e Maduros, forcat speciale amerikane ndërtuan një shtëpi identike në Kentaki, ku zhvilluan stërvitjet:
dyert, korridoret, dhomat, çeliku, “safe room”-i.
Stërvitje në sekonda.
Madje, testuan edhe hapjen e një dhome me derë çeliku, e cila ndodhej ngjitur me dhomën e gjumit të Maduros, në rast se ai do të arrinte të futej aty.
Trumpi tha se edhe nëse do të hynte aty dhe do ta mbyllte derën, nuk do t’i bënte punë.
Në ushtrime, forcat speciale e hapën atë derë për 47 sekonda.
Megjithatë, shumë njerëz mendojnë se ky aksion ishte një teke e Trumpit. Në të vërtetë, që nga gushti në këtë proces janë përfshirë fuqishëm:
Marco Rubio, me prejardhje latine;
Stephen Miller, truri ideologjik i Trumpit;
Pete Hegseth nga Departamenti i Mbrojtjes;
dhe drejtori i CIA-s, John Ratcliffe.
Deri vonë, Trumpi dhe ekipi i tij kanë punuar në dy fronte:
Plani A – Maduro të largohej vullnetarisht në një shtet tjetër.
Trumpi ka folur disa herë me Maduron, madje edhe javën e kaluar, duke i kërkuar të dorëzohej.
I ka propozuar edhe arratisjen në Turqi, por Maduro nuk ka pranuar.
Kur negociatat përfunduan, në tavolinë mbeti vetëm plani për të cilin forcat amerikane ishin stërvitur që nga muaji gusht.
Pastaj erdhi ajo natë.
Urdhri final, sipas kronologjisë, erdhi të premten në orën 22:46 ET, me një frazë të thjeshtë nga Trumpi:
“Good luck and godspeed.”
Ky ishte momenti kur filloi operacioni, i cili ngriti në qiell 150 mjete ajrore nga 20 baza.
Helikopterë me forca nxjerrëse, trupa speciale dhe agjentë të FBI-së fluturonin ulët mbi Karaibe, rreth 30 metra mbi ujë, ndërsa nga lart mbroheshin nga dronë, avionë luftarakë dhe bombardues.
Skenari ishte pak a shumë si ai në Iran disa muaj më parë: shkatërrimi i mbrojtjes ajrore të Venezuelës përpara se helikopterët të preknin tokën.
Një element tjetër befasues i aksionit ishte errësira. Me një sulm kibernetik, Amerika arriti t’ia ndërpriste plotësisht energjinë elektrike Karakasit.
Në momentin kur helikopterët po hynin në “zonën e goditjes”, ata u qëlluan.
Gjenerali Caine thotë se një helikopter u godit, por mbeti i fluturueshëm.
Sipas orës lokale të Bregut Lindor të SHBA-së, trupat amerikane prekën tokën në Venezuelë në orën 01:01.
Ky ishte momenti kur operacioni nuk ishte më plan në letër, por situatë reale ku dhjetëra trupa amerikane kishin kokën në gijotinë.
Çdo dështim nuk do t’i kushtonte vetëm ushtarëve, por edhe Trumpit, veçanërisht duke ditur se ai kishte vendosur ta mbante aksionin sekret nga Kongresi.
Për ata që kanë parë dokumentarin për kapjen e Osama bin Ladenit në Pakistan, dihet se edhe aksionet më të organizuara mund të dështojnë kur realiteti përplaset me planin.
Siç ka thënë Mike Tyson: të gjitha ushtrimet dhe taktikat e boksit përfundojnë kur merr goditjen e parë në mjekër.
Trupat që u futën për nxjerrjen e Maduros u mbështetën nga inteligjenca njerëzore në terren dhe nga ajri.
Për ta bërë operacionin edhe më të tensionuar, ata e dinin se po ndiqej drejtpërdrejt nga Donald Trumpi dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Trumpi tha se e gjithë ngjarja i ishte dukur si film.
Ai tregoi se Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, tentuan të futeshin në dhomën e blinduar, por u kapën nga forcat speciale para se ta mbyllnin derën.
Në atë moment, objektivi ishte në pranga.
Pastaj erdhi pjesa më e rrezikshme: dalja.
Sipas gjeneralit Caine, në këtë moment erdhën helikopterët për eksfiltrim, ndërsa avionët dhe dronët ofruan mbulim ajror dhe zjarr shtypës. Ai tha se pati shumë të shtëna gjatë kësaj faze.
Trumpi konfirmoi se disa amerikanë u plagosën, por nuk pati të vrarë nga ana e tyre.
Për viktimat venezueliane, shifrat janë të paqarta, por përmenden rreth 50 të vrarë.
Në orën 03:29, forcat amerikane e kishin lënë tokën e Venezuelës dhe kishin dalë mbi det. Saktësisht 2 orë e 28 minuta.
Në orën 04:21, Trumpi e njoftoi botën në Truth Social.
Më pas, Shtëpia e Bardhë publikoi një imazh: Maduro me sy të lidhur, në bordin e USS Iwo Jima.
Ky operacion nuk ishte thjesht arrestimi i një kryetari shteti në një vend të huaj.
Trumpi dhe Amerika këtu demonstruan dominancë dhe superioritet.
Ajo që ndodhi ishte një dekurajim i madh për autokratët dhe sovranistët.
Dhe në fund: çfarëdo mendimi që mund të keni për Trumpin, Maduro është një milion herë më keq.
Pastaj lind pyetja: a ishte kjo shkelje e parimeve të Kombeve të Bashkuara?
Në rregull. Do të thotë që vetëm Rusia paska të drejtë t’i shkelë ato parime.
Amerika realizoi një kryevepër në sytë e gjithë botës.
Misioni ushtarak duket se ishte i stërvitur deri në perfeksion.
Pyetja është: a ishte po aq i stërvitur edhe plani politik për “të nesërmen”?