Gjithçka që ndodhi në veri: Me simbole dhe këngë nacionaliste serbët protestojnë duke e luajtur viktimën
Sheshi “Car Llazar” po ushtonte nga kënga nacionaliste “Vesellski se Serbski Rode”, derisa serbët me flamuj në dorë po mblidheshin në protestë.
Organizimi filloi me këndimin e himnit të Serbisë, ndërkohë krerët e Listës Serbe po bëheshin gati të mbanin fjalim, ndër ta edhe Igor Simiq që po puthte flamurin serb.
Nga bina nuk zbritën asnjëherë kori i të rinjve serb me veshje religjioze.
Turma po mbante pankarta që pasqyronin viktimën. “UN ndihmë”, “Të gjithë jemi me Nenad Gjuriq”, “Sot Gjuriq, nesër çdo serb në Kosovë”.
Sigurisht, pos krerëve të Listës Serbe, fjalim mbajti edhe ylli i protestës, Nenad Gjuriq, që u suspendua nga pozita e Drejtorit të Policisë në Veri.
Gjuriq u përkul para protestuesve, për ta elektrizuar më pas masën me fjalimin e tij.
“Një herë vdes njeriu, e trupi jeton përgjithmonë...”, “Duam që vendin tonë të mbjellim lule dhe t’i ndajmë me të gjithë botën duke shpërndarë aromën e paqes dhe dashurisë...”, “Dua t’i kujtoj fjalët e Patriarkut Pavle që besoj do t’i kuptoni kur ai tha ‘para se të më gjykoni mua dhe jetën time, mbathi këpucët e mia dhe ec rrugës sime, kalo rrugët dhe kodrat” – tha Gjuriq.
Ndërsa i pari i Listës Serbe, Goran Rakiq ua kujtoi serbëve pse dhanë dorëheqje.
“Me dorëheqjet tona mbrojmë Marrëveshjen e Brukselit dhe ligjin. Kërkojmë Asociacionin e Komunave Serbe”.
Çdo fjalim përmbyllej duke përmendur presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Në protestë pati edhe fëmijë të vegjël që valëvisnin flamuj serbë.
Fundi i protestës erdhi me thirrjet “Serbia, Serbia, Serbia...”.
Derisa turma shpërndahej qetë-qetë, serbët nxitonin të fotografoheshin me Nenad Gjuriqin, ndërkohë që në sfond dëgjohej kënga nacionaliste “Vesellski se Serbski Rode”.
E pankartat viktimizuese u hodhën në rrugë.
Derisa masa shpërndahej, serbët vallëzonin me flamurin etnik, madje edhe e puthnin atë, sikur Simiq më parë.
Aksioni protestues përfundoi me vazhdimin e dorëheqjeve të policëve serbë.