Fundi i Debatit: Aktivistet feministe mblidhen për t'i dhënë fund debatit për të drejtat e grave
Duke e pasur parasysh se njëra ndër temat aktuale në Kosovë tash e sa kohë është feminizmi, ‘’Fundi i Debatit’’, emission me autor Visar Arifajn, vendosi të ftonte për diskutim disa prej aktivisteve më në zë që avokojnë për të drejtat e grave. Çka u fol aty?
Tema e parë që autori dëshiron ta shtrojë është ajo e “privilegjeve” të burrave, të cilat ndodhen nën sulm nga këto aktiviste.
Çka thanë aktivistet? “Privilegjet e burrave, janë privilegje të vjedhuna, ato duhet të fitohen me meritokraci,” – ishte një prej mendimeve të shprehura.
“Ne nuk luftojmë me e marrë privilegjin me dhunë, ne luftojmë me e marrë privilegjin në mënyrë të barabartë,” – u shpreh një tjetër.
Pse sulmoheni kaq shumë online? – ishte një pyetje tjetër që u shtrua nga autori Visar Arifaj.
Nuk pajtohen të gjitha se këto sulme janë specifikisht ndaj tyre, apo specifikisht ndaj grave aktiviste duke potencuar se abuzimi online bëhej ndaj të gjithëve.
Nëse është kështu, pse atëherë disa ‘mbroheshin’ duke thënë se ishin për të drejta të barabarta por nuk e etiketonin veten si “feministë”? Këtu, diskutimi nis e bëhet edhe më i nxehtë dhe mospajtimet mes aktivisteve të ftuara bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Sidomos ajo mes Teuta Rrustës, aktivistes së PSD-së, dhe Besa Ismajlit, aktivistes nga PDK duhen dëgjuar me vëmendje.
Mes tjerash, aty nis natyrshëm një diskutim edhe për pavarësinë ekonomike të grave. A ishte ky problemi madhor, ose elefanti në dhomë?
Në mënyrë sarkastike, Arifaj pyet: “Pse jeni tekë, dhe çka jeni tu lakmu në punë?”
“Pa pavarësi ekonomike, nuk arrin me e mposhtë familjen shtypëse. Pavarësia ekonomike është shumë e rëndësishme për fuqizimin e gruas,” – argumenton njëra prej tyre.
“Na nuk jemi tu lakmu, pasionet duhet me i investu në realizimin tonë si njeri,” – është një mendim tjetër.
Vlera e grave në bazë të numrit të fëmijëve që i lindë, në bazë të gjinisë së fëmijëve, në bazë të dëshirës nëse dëshiron të ketë fëmijë apo jo, etj., pra çështje të bazuara në familje, hapen si temë diskutimi gjatë minutave të fundit të diskutimit.