“Emani, Mërgimi…”: Kush janë pesë deputetët që e mbrojtën “familjen” më shumti më 2023? - NACIONALE

“Emani, Mërgimi…”: Kush janë pesë deputetët që e mbrojtën “familjen” më shumti më 2023?

3 muaj më parë

nga Anita Nikaj

Vitin 2023 mund ta përshkruajmë edhe si vit që rrezikoi shenjtërinë e familjes. Policia publikonte përditë raporte të “dhunës në familje”. Aktivistet feministe akuzonin “burrat”, kryefamiljarët, si dhunues e vrasës e kështu me radhë. Komuniteti LGBTIQ kërkonte të drejtën për t’u martuar e për të bashkëjetuar.

Kosova i ka 300 mijë familje sipas censusit të fundit të popullësisë. Këto 300 mijë familje të ‘shenjta’ kishin nevojë për mbrojtës. Dhe mbrojtja iu erdhi nga hiç më pak e as më shumë se disa deputetë të Kuvendit të Kosovës. Deputetë seriozë. Familjarë. Të të gjitha partive ngapak. Që interesin e familjes e vinin kurdoherë mbi atë të shtetit.

Po i numërojmë një nga një:

1. Eman Rrahmani

Mendohet se deputet Emani është njeriu kryesor i rezistencës kundër Kodit Civil në të cilin ndodhen bashkëjetesat mes personave të seksit të njëjtë, bashkëjetesa që definitivisht e përfundimisht do ta bënin familjen tradicionale - ku ka burrë e grua, ku ka nënë e babë, ku ka dajak kur ka nevojë, ku dreka e darka s’vonohet, etj etj. – të humbte privilegjin e ekskluzivitetit.

Qe cila është çështja: nëse Emani me shokët dhe shoqet e tij në Vetëvendosje do ta kalonin Kodin Civil, atëherë do të lejoheshin bashkëjetesat mes personave të seksit të njëjtë. Do të kishim familje mes dy çikave a dy djemve. Kjo do të bënte që familjet me burrë e grua, nënë e babë, të ishin të sulmuara vetëvetiu. Për momentin ne nuk e dimë qysh do të sulmoheshin, por këtë gjë e di Emani më mirë se kushdo tjetër. Dhe ai i doli zot e e mbrojti.

Qe fjalitë më frymëzuese të tij:

“Fëmijëve nuk duhet t’ua ndalojmë të kenë babë, nuk besoj që duhet të bëjmë këso lloj krahasime ku e stimulojmë një proces të kundërt të natyrës dhe të asaj që e ka krijuar Zoti.” - thoshte ai.

Pra, jo veç mbrojtës i babës. Por, edhe mbrojtës i natyrës. E i Zotit.

2. Mërgim Lushtaku

Një tjetër deputet që s’e lëshon “familjen” prej goje është edhe Mërgim Lushtaku i PDK-së. Edhe deputet Mërgimi – që ‘trashëgoi’ postin e deputetit nga babai i tij, Samiu – i doli kundër Kodit Civil dhe kundër fertilizimit të asistuar mjekësor. S’i bënte as për parti, as për BE e Amerikë, as për asgjë.

Donte thjesht dhe vetëm të shtyhej përpara “shenjtëria” e familjes. “Familja, prona, shteti” apo jo? Pra, familja e para.

3. Gramos Agusholli

Nipi i nipit të një bejleri të famshëm pejan nuk mund të mos ishte mbrojtës i madh i familjes. Fundja, ishte nip nipi. Edhe Gramosi i doli kundër partisë për të mbrojtur vlerat autoktone shqiptaro-islame. Ai ra në spikamë të publikut kur “zbuloi” skenarin e errët të puthjes mes dy vajzave në shesh. Gramosi me intelektin e tij të ndritur e kuptoi se buxheti i Kosovës i kishte ndarë

10 mijë euro për një fotografi për ta normalizuar “seksualitetin e dikujt”. Ai shprehej se kjo ishte “dhunë psikologjike mbi ne dhe fëmijët tonë”. Nuk e dimë a e kishte lajmëruar rastin në polici. Por, ishte rast i rëndë. Qe këqyreni foton. Qysh mund të puthen dy çika kështu në shesh?

4. Visar Korenica

S’mund të linim pa përmendur edhe Korenicën. Edhe këtë vit, deputeti nga Rahoveci shkëlqeu në mbrojtje të “vlerave familjare”. Kur pyetej për qëndrimin e tij për Kodin Civil, Korenica përgjigjej: “e ka ditë Kurti kush është Visar Korenica.”

Po pra, të gjithë e dimë kush është Visar Korenica. S’po themi asgjë tjetër më shumë për të.

5. Burim Meta

I pesti është Burim Meta. Ish-Karameta. Deputeti i Vetëvendosjes nga Lista Guxo, për ta mbrojtur nderin dhe krenarinë dhe shenjtërinë e familjes së tij në veçanti dhe familjes shqiptare në përgjithësi, bëri një gjest të madh simbolik.

Ai i hoqi nga mbiemri i tij katër shkronja. Karameta u bë thjesht dhe vetëm Meta. Kjo sepse ato katër shkronja të para nuk ishin gjë e hijshme për dikë që e mbronte familjen. S’ishte mbiemër familjar. Kaq. S’po themi diçka tjetër.

Lajme të ngjashme