"Do ta shkarkoj për dy sekonda", paralajmërimi i Trump e Grenell për Smith që ngriti aktakuzën për Thaçin
Jack Smithi ishte prokurori që e ngriti aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët ndodhen në Dhomat e Specializuara të Hagës.
I njëjti prokuror e ndoqi penalisht edhe tashmë fituesin e zgjedhjeve presidenciale në ShBA, Donald Trump. Ai po e ndiqte Trumpin në lidhje me zgjedhjet e vitit 2020. Trumpi, pak para se t’i fitonte zgjedhjet, kishte një paralajmërim për prokurorin.
Në një intervistë, Trumpi u pyet nëse do ta falte veten apo nëse do të shkarkonte Smithin. Ai tha: “Është kaq e lehtë, do ta pushoja brenda dy sekondave.”
Trumpi gjithashtu vuri në dukje se “ne morëm imunitet në Gjykatën e Lartë”, referencë ndaj vendimit të shumicës konservatore të gjykatës këtë verë, kur u vendos se presidentët janë imunë nga ndjekja penale për akte zyrtare.
Kjo e ndërlikoi çështjen e ndërhyrjes së Smithit në zgjedhje kundër ish-presidentit dhe luajti një rol që ajo të mos shkonte në gjyq para zgjedhjeve të 5 nëntorit.
Çështja e prokurorit të posaçëm, Jack Smith, kundër Donald Trumpit për komplot të dyshuar për t’i përmbysur zgjedhjet e 2020-ës u vonua me muaj të tërë, pasi Gjykata Supreme e trajtoi pretendimin e Trumpit për imunitet.
Grenelli: “Radha juaj, Hashim Thaçi”
Ish-emisari për Ballkanin, Richard Grenell, i cili nga të gjitha mediat në ShBA po përflitet se do të jetë pjesë e rëndësishme e kabinetit të Trumpit, kishte reaguar pasi ky i fundit e kishte fituar betejën me prokurorin Jack Smith.
Gjykata në Amerikë vlerësoi se emërimi i Smithit kishte qenë antikushtetues. Grenelli kishte thënë se radha është e Hashim Thaçit, duke aluduar në lirimin e tij.
“Rasti i Jack Smithit kundër Trumpit po shembet. Radha është te ti, Hashim Thaçi ”, kishte shkruar Grenelli në “X”.
Grenelli është një prej këshilltarëve më të afër të Trumpit për politikë të jashtme. Në Kosovë njihet mirë për shkak të punës së tij gjatë mandatit të parë të Administratës Trump.
Kur Trumpi u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, në shtator, Grenelli ishte i pranishëm në takimin privat, transmeton gazeta “Nacionale”.
Gjatë mandatit të parë katërvjeçar të Trumpit president, Grenelli shërbeu si ushtrues detyre i drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, ambasador i ShBA-së në Gjermani dhe emisar në dialogun Kosovë - Serbi.