Detaje nga vdekja tragjike e një personi që ra në bunar në Lybeniq të Pejës - NACIONALE

Detaje nga vdekja tragjike e një personi që ra në bunar në Lybeniq të Pejës

10 muaj më parë

nga Eriola Cacaj

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje rreth orës 14:30 në Lybeniq të Pejës, ku një person mbi 30-vjeçar ka rënë në një bunar gjatë kohës që po punonte së bashku me disa persona të tjerë për hapjen dhe pastrimin e tij.

Trupi i pajetë i viktimës u nxor pas 8 orësh, në një operacion ku morën pjesë Policia e Kosovës, emergjenca, Forca e Sigurisë së Kosovës, zjarrfikësit, si edhe Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, pas disa orësh përpjekjesh, trupi i pajetë u nxor dhe, me vendim të prokurorit, u dërgua në IML për obduksion.

Ndërkohë, nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor është bërë e ditur se nxjerrja e trupit të viktimës u realizua përmes organizimit teknik të këtij shërbimi. Po ashtu, ata bënë të ditur se ishin njoftuar për rastin nga Policia e Kosovës.

Sipas njoftimeve zyrtare, viktima kishte rënë në bunar gjatë punimeve për pastrimin e tij. Për shkak të thellësisë së bunarit, pranisë së gazrave dhe mungesës së oksigjenit, operacioni kërkoi koordinim të ngushtë ndërmjet të gjitha institucioneve përgjegjëse.

Nxjerrja e trupit të viktimës u realizua përmes bashkëpunimit teknik të Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës dhe kompanisë së Kërkim-Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Lajme të ngjashme