Çka është çartë Trumpi që po do ta marrë edhe Grenlandën? - NACIONALE

Çka është çartë Trumpi që po do ta marrë edhe Grenlandën?

4 javë më parë

nga Berat Buzhala

Në hartë, këtë ishull e kemi parë gjithmonë si një masë të madhe akulli, për të cilën thuhej se, nëse shkrihet, rritet niveli i detit.

Kaq është perceptuar rëndësia e saj strategjike.

Sikur të ishte më e vlefshme, nuk do t’i kishte takuar Danimarkës.

Pse tani, papritur, Amerika po ushtron presion ndaj Danimarkës së vogël?

Grenlanda ka një status autonom brenda Mbretërisë së Danimarkës. Atje jetojnë rreth 50 mijë banorë, kryesisht popullsi autoktone.

Mund të duket paksa qesharake, por sot Franca, Britania dhe Gjermania kanë dërguar trupa në Grenlandë, zyrtarisht për ushtrime ushtarake, por nënteksti është i qartë: një mesazh për Shtetet e Bashkuara se nuk lejohet ta marrë.

Shpresojmë që Amerika të mos tentojë ta marrë me forcë, sepse nuk do të mund të ndalohej.

Ndërkohë, rreth 80 për qind e amerikanëve, sipas një sondazhi të zhvilluar dje, janë shprehur kundër pushtimit ushtarak të Grenlandës nga SHBA.

55 për qind kanë deklaruar se nuk pajtohen as me blerjen e saj.

E vetmja gjë që e nxit ose e frenon Trumpin janë sondazhet.

Të gjithë pajtohen se, nëse Amerika do ta pushtonte Grenlandën me ushtri, NATO do të shpërbëhej.

Të gjitha zhvillimet e vitit të fundit, përfshirë edhe këtë çështje të Grenlandës, po duken si pjesë e një rikonfigurimi global.

Pra, a është Grenlanda aq e rëndësishme për Amerikën, sa të sakrifikohet aleanca euroatlantike?

Gjithçka varet nga këndvështrimi i hartës.

Fajin pse ne e shohim ndryshe raportin e Grenlandës me Amerikën dhe Rusinë nuk e keni ju, as unë.

Fajin e ka Gerardus Mercator, kartografi i shekullit XVI, i cili krijoi projeksionin më të famshëm të hartës – atë që e kemi parë për dekada në shkolla dhe atlase.

Planeti ynë është sferik.

Problemi është se një sferë nuk mund të paraqitet në një fletë të sheshtë pa shtrembëruar diçka.

Mercatori e “shtriu” botën në letër, sepse për detarët e asaj kohe kjo ishte më praktike: drejtimet dhe këndet ruheshin, dhe lundrimi bëhej më i lehtë, edhe pse harta devijonte nga realiteti.

Harta e Mercatorit sa më afër poleve, aq më shumë e zmadhon sipërfaqen e territoreve.

Prandaj Rusia duket gjigante, ndërsa Grenlanda duket pothuajse sa Australia. Të dyja janë të mëdha, por jo aq sa paraqiten.

Për shembull, në hartë Rusia duket më e madhe se e gjithë Afrika, ndërsa në realitet Afrika është rreth dy herë më e madhe.

Por edhe më e rëndësishme: kjo hartë shtrembëron distancat.

Ne jemi mësuar ta shohim botën “përballë”, si në mur.

Nuk jemi mësuar ta shohim “nga lart”, nga Poli i Veriut.

Pikërisht aty kuptohet pse Arktiku dhe Grenlanda nuk janë thjesht akull, por korridori më i shkurtër i planetit mes Amerikës dhe Rusisë.

Në glob, rruga më e shkurtër mes dy pikave nuk shfaqet drejt në hartën e Mercatorit, por si një hark (great circle), që shpesh kalon mbi Arktik.

Këtë e vërejnë më së miri ata që fluturojnë nga Evropa në Amerikë: fluturimet kalojnë mbi Grenlandë dhe duken si devijim, por në fakt janë rruga më e shkurtër.

Për këtë arsye, rruga polare ka qenë historikisht korridori kryesor i afrimit strategjik mes dy superfuqive.

Edhe për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë prani ushtarake në Grenlandë.

Baza amerikane Pituffik ndodhet pikërisht aty ku kalon rruga më e shkurtër mes Amerikës dhe Rusisë.

Kjo bazë ndodhet pothuajse në mes të distancës mes Nju Jorkut dhe Moskës.

Ekspertët ushtarakë theksojnë se, në rast se Rusia do të sulmonte papritur Amerikën me raketa balistike, rruga më e shkurtër do të ishte përmes Grenlandës.

Po ashtu, mënyra më e mirë për të ndërprerë një raketë balistike është në mesin e trajektores së saj, në pikën më të lartë – pikërisht mbi Grenlandë.

Të gjitha këto mund të duken si arsyetime teorike, por marrin kuptim me zhvillimet e fundit.

Për shkak të ndryshimeve klimatike, akulli në Arktik ka filluar të shkrihet me ritme të shpejta.

Me shkrirjen e akullit po hapen rrugë të reja detare në veri, sidomos lidhjet mes Azisë dhe Amerikës.

Studime shkencore tregojnë se, për disa linja Evropë–Azi, rruga arktike mund të jetë ndjeshëm më e shkurtër se Kanali i Suezit, me kursime kohe dhe distance që shpesh arrijnë 30–40 për qind, varësisht nga portet.

Çfarë do të thotë kjo për Suez-in?

Sot, ai është një arterie globale: rreth 10 për qind e tregtisë detare botërore kalon aty.

Por në momentin që sezoni i lundrimit në veri zgjatet dhe infrastruktura fillon të ndërtohet, Suezi nuk zhduket, por humb monopolin. Bota fiton një rrugë alternative, që shmang një pikë të vetme bllokimi.

Edhe vetëm ekzistenca e këtij opsioni ndryshon politikat e sigurisë, sigurimet, çmimet dhe presionet gjeopolitike.

E gjithë kjo nuk po ndodh sepse “njerëzit janë çmendur pas akullit”, por sepse akulli realisht po zvogëlohet.

Dhe këtu hyn elementi i tretë që e plotëson trekëndëshin: pasuritë nën tokë.

Grenlanda ka rezerva të mëdha mineralesh, veçanërisht të lëndëve të para kritike. Vetë Bashkimi Evropian thekson se në Grenlandë gjenden 25 nga 34 lëndët e para kritike të listës së tij.

Sot, nxjerrja e tyre është e vështirë për shkak të klimës së ashpër, terrenit të largët, mungesës së infrastrukturës, kostos së lartë dhe dilemave mjedisore e politike.

Por me ndryshimet klimatike dhe tërheqjen e akullit, qasja bëhet më e mundshme – jo e lehtë, por më e realizueshme. Kjo shpjegon pse superfuqitë e shohin Grenlandën si investim afatgjatë.

Prandaj, kriza SHBA–Danimarkë nuk është thjesht një kapriço politike.

Është përplasje rreth një realiteti të ri global.

Kur globin e sheh “nga lart”, Grenlanda nuk është më skaj i botës, por nyje e sigurisë, nyje e rrugëve detare të së ardhmes dhe magazinë e materialeve që ushqejnë ekonominë e teknologjisë

Lajme të ngjashme