Apeli lë në fuqi dënimin për Kobrën dhe tre të tjerët, ul dënimin për të pestin - NACIONALE

Apeli lë në fuqi dënimin për Kobrën dhe tre të tjerët, ul dënimin për të pestin

1 muaj më parë

nga Eriola Cacaj

Gjykata e Apelit ka ndryshuar pjesërisht vendimin në rastin e shumëpërfolur për vrasjen në lokalin “Cobra City”, duke ia ulur dënimin njërit prej të akuzuarve, ndërsa ka lënë në fuqi pjesën tjetër të aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në seancën e mbajtur në Apel, i akuzuari kryesor, Dibran Hoxha-Kobra, i cili ishte dënuar me 24 vite burgim nga shkalla e parë, kishte paraqitur disa kërkesa para kolegjit të Apelit, por të njëjtat janë refuzuar.

Ndërkaq, Apeli ka ndryshuar vetëm vendimin për të akuzuarin Roland Susuri. Nga 7 vite burgim, ai është dënuar përfundimisht me 5 vite burg për veprën penale të manipulimit me prova.

Gjykata e Apelit ka refuzuar shumicën e ankesave të mbrojtjes, duke vlerësuar se procesi gjyqësor është zhvilluar në mënyrë të ligjshme dhe se aktgjykimi i shkallës së parë përmban arsye të qarta dhe të bazuara në prova.

Apeli gjithashtu i ka lënë të pandryshuara dënimet edhe për të akuzuarit Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli.

Pesë të akuzuarit ishin përballur me gjykimin për vrasjen e një shtetasi të Shqipërisë, ngjarje kjo që kishte ndodhur më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren.

Lajme të ngjashme