45 vite burg për secilin veç e veç – Prokuroria nis fjalën përfundimtare në rastin e ish-krerëve të UÇK
180 vite burg propozon Prokuroria e Hagës për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sot, në Dhomat e Specializuara në Hagë, kanë nisur fjalët përfundimtare në rastin ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Procesi, i cili filloi në nëntor të vitit 2020 me arrestimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, vazhdoi me fazën e gjykimit në prill të vitit 2023.
Pra, tri vite proces gjyqësor, gati gjashtë vjet paraburgim dhe, më në fund, ky rast po shkon drejt përfundimit.
Prokuroria e Hagës ka kërkuar dënim prej 45 vitesh burg për secilin nga ish-krerët e UÇK-së. Kjo u tha gjatë seancës së fjalëve përfundimtare nga kryeprokurorja Kimberly West.
West përmendi gjithashtu dëshmitarët e mbrojtjes që u dëgjuan në Gjykatën Speciale, duke aluduar se dëshmitarët ndërkombëtarë, si Wesley Clark dhe James Rubin, nuk kishin informacione për UÇK-në.
Kryeprokurorja foli për një grup të organizuar në Kosovë, i cili, sipas saj, ka synuar frikësimin e dëshmitarëve.
Pas kësaj pjese, pati reagime në Kosovë.
Gruaja e Rexhep Selimit, deputetja e VV-së, Shqipe Selimi, përmes një postimi në Facebook, tha: “E shenjtë është UÇK-ja! E shenjtë është liria për të cilën luftuam dhe u derdh gjak. Historia jonë nuk rishkruhet. Drejtësi për çlirimtarët!”
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shkruar: “Qëndrojmë gjithmonë në të drejtën e luftës sonë për liri.”
Ndërsa kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, mes tjerash, tha se vendimi përfundimtar do të jetë edhe prova e “ndërgjegjes ndërkombëtare ndaj së vërtetës”.
Më 17 shkurt, nga ora 14:00, platforma “Liria ka emër” ka bërë thirrje për pjesëmarrje në marshin “Drejtësi, jo politikë”, pikërisht në Ditën e Pavarësisë së Kosovës.
Organizatorët e “Liria ka emër” kanë theksuar se ky marsh është një domosdoshmëri për të mbrojtur dinjitetin e luftës çlirimtare dhe të vërtetën historike të Kosovës.
Këtë thirrje sot e ka shpërndarë edhe Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi.