- NACIONALE

Nderimet ndaj Mlladiqit | Kandiq: Turp i tmerrshëm i Serbisë, Vuçiq s'është tërhequr nga e kaluara e tij radikale

NACIONALE

Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, ka kritikuar ashpër nderimet shtetërore ndaj Ratko Mlladiqit, i dënuar për gjenocid dhe krime lufte, duke e cilësuar këtë zhvillim si dëshmi të vazhdimësisë së politikës nacionaliste në Serbi.

Në një intervistë për “Info Magazine” në Klan Kosova, Kandiq tha se mbulimi i arkivolit të Mlladiqit me flamurin serb dhe përfshirja e shtetit në ceremonitë pas kthimit të trupit të tij në Beograd dërgojnë një mesazh të rëndë politik dhe shoqëror.

Sipas saj, Aleksandar Vuçiq me këtë qasje ka treguar se “nuk ka bërë asnjë tërheqje nga e kaluara e tij radikale”, ndërsa paralajmëroi pasoja më të gjera për vetë shoqërinë serbe.

“Serbia nuk do të jetë e njëjta pas kësaj ngjarjeje, pra pas këtij degradimi moral, politik e civilizues”, deklaroi Kandiq.

Ajo tha se nderimet ndaj Mlladiqit prekin drejtpërdrejt edhe raportet e Serbisë me vendet fqinje dhe me viktimat e krimeve për të cilat ai u dënua.

Rama: Nënë Tereza, simbol i dashurisë, paqes dhe shërbimit ndaj njerëzimit

NACIONALE

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shënuar Ditën e Nënë Terezës me një mesazh kushtuar jetës dhe trashëgimisë së humanistes shqiptare.

Në një reagim në Facebook, Rama e ka cilësuar Nënë Terezën si një nga figurat më të fuqishme shqiptare që mishëron dashurinë, paqen dhe përkushtimin ndaj njerëzve.

Ai bëri të ditur se përkujtimi u zhvillua në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, duke vënë në pah ndikimin që ajo pati në mbarë botën përmes veprës së saj humanitare.

"Në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, përkujtuam jetën dhe veprën e saj të jashtëzakonshme, përmes së cilës preku ndërgjegjen e mbarë botës dhe u dha zë, shpresë e dinjitet atyre që ishin harruar. Trashëgimia e saj na kujton se madhështia e vërtetë qëndron në mirësi, përkushtim dhe dashuri ndaj tjetrit", ka shkruar ai.

Kurti, Haxhiu e Gërvalla heshtin për aktakuzën e Prokurorisë Speciale për krimet në lagjen Jashari

NACIONALE

Të premten, Prokuroria Speciale ka bërë një punë të madhe, e cila është “duartrokitur” edhe nga Kryeprokurori i Shtetit, pasi ka ngritur aktakuzë ndaj 35 të pandehurve, në mesin e tyre edhe Milorad Ulemek, i njohur me pseudonimin “Legija”, lidhur me vrasjen e civilëve shqiptarë në lagjen Jasharaj në Prekaz të Skenderajt. Por, ajo që është për t’u habitur, është se nuk ka pasur asnjë reagim nga krerët e shtetit, tash në detyrë, Albulena Haxhiu dhe Albin Kurti.

Aktakuza prej 140 faqesh, e dorëzuar nga Prokuroria Speciale me në krye Blerim Isufajn dhe prokurorin e rastit, Valdet Gashi, lidhet me vrasjen e civilëve shqiptarë në lagjen Jasharaj në Prekaz të Skenderajt.

Për këtë punë, Prokuroria Speciale u vlerësua edhe nga Kryeprokurori i Shtetit, si dhe nga drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj.

Por, habitshëm, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, nuk po e thotë asnjë fjalë për një aktakuzë kaq të rëndësishme.

Gjithashtu, kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deri më tani nuk e ka thënë asnjë fjalë për aktakuzën ndaj 35 të pandehurve për vrasjen e civilëve në lagjen Jasharaj të Prekazit, edhe pse ai vazhdimisht ka theksuar vonesën e drejtësisë ndaj urdhërdhënësve dhe ekzekutorëve të kësaj masakre, duke thënë se “drejtësia është vonuar sepse nuk ka filluar akoma”.

Më ndryshe s’ka vepruar as u.d. e presidentit, Albulena Haxhiu, e cila nuk ka bërë asnjë reagim ndaj ngritjes së aktakuzës së parë lidhur me masakrën ndaj civilëve të lagjes Jasharaj në Prekaz.

Ndryshe, ngritja e aktakuzës së parë zyrtare nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 4 shtator 2026, konsiderohet një kthesë historike në rrugën drejt drejtësisë për krimet e luftës.

Duhet thënë se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, për herë të parë, zbardh zyrtarisht në rrugë ligjore prapaskenat, urdhrat dhe strukturën e saktë komanduese të shtetit serb që çoi në masakrimin e civilëve në lagjen e Jasharajve në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars 1998.

Sipas detajeve të bëra publike nga prokurori i rastit, Valdet Gashi, dhe kryeprokurori Blerim Isufaj, dosja dëshmon këto pika rrëqethëse dhe kyçe lidhur me krimet ndaj civilëve.

Vrasja e qëllimshme e 26 civilëve: Hetimet e mbështetura nga dëshmi personale dhe prova materiale konfirmojnë vrasjen e 26 personave civilë. Prokuroria sqaroi se ky numër specifik përfshin ekskluzivisht fëmijë, gra dhe të moshuar të pambrojtur.

Viktima më e re – vetëm 5 vjeç: Aktakuza dokumenton me saktësi moshën e viktimave, ku ndër më të prekurit ishin fëmijët, duke specifikuar se viktima më e re e ekzekutuar ishte një fëmijë pesë vjeçare.

Marrja e pengjeve dhe tortura: Përveç vrasjeve, dokumenti ligjor vërteton se forcat speciale serbe kanë marrë peng civilë brenda shtëpive të tyre në lagjen e Jasharajve. Këta banorë të pafajshëm u nënshtruan formash të ndryshme të keqtrajtimit fizik dhe psikologjik

Sulm i paramenduar me arsenal të rëndë: Kryeprokurori Isufaj deklaroi se ngjarjet nuk ishin një incident spontan, por u kryen "me paramendim" dhe "përgatitje të plotë paraprake". Janë identifikuar pozicionet e sakta të forcave serbe, planet e rrethimit dhe arsenali ushtarak i rëndë i përdorur mbi infrastrukturën civile

Roli i Milorad Ulemek "Legija": Dosja e ngarkon drejtpërdrejt komandantin famëkeq të Njësisë së Operacioneve Speciale (JSO), "Legija", si udhëheqësin e njësisë në terren që mori përsipër sulmin e drejtpërdrejtë dhe asgjësimin brenda shtëpisë së familjes së Shaban Jasharit.

Faza e vëzhgimit: Provat tregojnë se lagjja e Jasharajve kishte qenë nën vëzhgim të rreptë e të pandërprerë nga strukturat serbe që nga janari i vitit 1998, duke dëshmuar qëllimin e pastër shtetëror për eliminim.

ShBA godet tre cisterna iraniane pas sulmit të IRGC ndaj anijeve amerikane

NACIONALE

Forcat amerikane kanë goditur të shtunën tre cisterna iraniane të naftës, pasi Garda Revolucionare Islamike e Iranit lëshoi raketa balistike ndaj dy anijeve të Marinës së Shteteve të Bashkuara, njoftoi Komanda Qendrore Amerikane.

Sipas CENTCOM-it, një nga cisternat u godit pranë brigjeve të ishullit Kharg, zonë strategjike që ndodhet pranë qendrës kryesore të eksportit të naftës së Iranit.

Komanda Qendrore e ShBA-së tha se sulmet amerikane u ndërmorën si përgjigje ndaj lëshimit të raketave balistike nga IRGC-ja në drejtim të dy anijeve të Marinës amerikane.

“Mesazhi për IRGC-në duhet të jetë i qartë: nëse qëlloni ndaj dy prej anijeve tona, ne do t’ju imponojmë një kosto edhe më të lartë ekonomike – duke nxjerrë jashtë funksionit tre prej anijeve tuaja”, deklaroi admirali Brad Cooper, kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së.

Agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Tasnim, e cituar nga Reuters, raportoi më herët se katër raketa amerikane kishin goditur një cisternë në zonën e ankorimit pranë ishullit Kharg.

CENTCOM njoftoi gjithashtu se asnjë pjesëtar i personelit amerikan nuk ishte lënduar gjatë sulmit iranian.

Burim Ramadani: Deputetët e VV-së s'kanë të drejtë as të flasin, e as të mendojnë vet-të lutemi për lirinë e tyre

NACIONALE

Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, gjatë fjalës së tij sot në Kuvendin e Kosovës, ka reaguar lidhur me situatën dhe qëndrimet e deputetëve të Vetëvendosjes.

Ramadani ka deklaruar se deputetët e Vetëvendosjes nuk kanë liri të mendojnë, të shprehen apo të veprojnë, duke ironizuar situatën brenda kësaj partie.

“Duhet të lutemi për lirinë e deputetëve të Vetëvendosjes! Ata nuk kanë të drejtë as të mendojnë, as të shprehen dhe nuk kanë guxim as të veprojnë!”, ka thënë Ramadani.

Rama godet Serbinë për Mlladiqin: S’mund të bësh funeral shtetëror për një kasap

NACIONALE

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj vendimit për përcjelljen me homazhe shtetërore të Ratko Mlladiqit, të dënuarit për krime lufte dhe të cilit Rama iu referua si “kasapi i Ballkanit”.

Duke folur për marrëdhënien e Serbisë me Bashkimin Evropian, Rama tha se raste të tilla janë arsyeja pse Serbia duhet të mbahet në tryezën evropiane dhe t’i kërkohet llogari për qëndrimet dhe veprimet e saj.

“S’mund të bësh funeral shtetëror për një kasap”, deklaroi Rama, duke argumentuar se izolimi i Serbisë nuk është zgjidhja e duhur.

Ai e përshkroi Serbinë si një “lloj kafshe shumë interesante dhe të çuditshme në xhunglën e Ballkanit Perëndimor”, duke vënë në pikëpyetje nëse është më mirë që Beogradi të jetë pjesë e tryezës evropiane apo të lihet në një situatë ku ndërthuren ndikimet e Evropës, Kinës, SHBA-së dhe Rusisë.

“Kjo është qasja ime dhe duhet të ndodhë tani”, përfundoi Rama.

Vapa zbutet të dielën në Kosovë, rikthehet gradualisht nga e marta

NACIONALE

Nga e diela, 6 shtator, në veri të Kosovës pritet të depërtojnë masa më të freskëta ajrore me origjinë kontinentale, duke sjellë zbutje të vapës.

Të dielën, freskimi do të ndihet fillimisht në veri të Kosovës, ndërsa në pjesët qendrore dhe jugore temperaturat do të mbeten më të larta. Në Shqipëri dhe në pjesë të Maqedonisë së Veriut, vapa do të vazhdojë me intensitet më të lartë.

Të hënën, 7 shtator, temperaturat në Kosovë do të jenë më të përballueshme, veçanërisht në veri. Në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, temperaturat e larta do të vazhdojnë, raporton meteoballkan.

Të martën, 8 shtator, temperaturat në Kosovë pritet të nisin të rriten sërish, ndërsa të mërkurën dhe të enjten, 9 dhe 10 shtator, ngrohtësia do të jetë më e theksuar. Në Prishtinë, temperaturat pritet të ngjiten deri rreth 30–32 gradë Celsius gjatë këtyre ditëve.

Pra, freskimi në Kosovë do të jetë i shkurtër dhe do të zgjasë kryesisht gjatë të dielës dhe të hënës, para se temperaturat të nisin të rriten sërish nga e marta.

Ndërkohë, në Shqipëri vapa pritet të mbetet më intensive gjatë ditëve në vijim.

Të shtëna me armë në një lokal në Prishtinë, plagoset një person

NACIONALE

Një person është plagosur nga të shtënat me armë zjarri në një lokal në rrugën “Lidhja e Pejës” në Prishtinë.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka bërë të ditur se rasti është raportuar rreth orës 04:00 të së shtunës.

“Sot, rreth orës 04:00, kemi marrë informatën për një person të plagosur me armë zjarri në një lokal në rrugën ‘Lidhja e Pejës’ në Prishtinë”, ka deklaruar Ahmeti.

KPK-ja nuk ia miratoi raportin dhe e sulmoi me pyetje, Isufaj u "përgjigjet" me aktakuzën për krimet në Prekaz: Prokurorinë Speciale e vlërësoi edhe Kryeprokurori i Shtetit

NACIONALE

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, gjatë prezantimit të raportit vjetor të punës për vitin 2025 para anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), jo vetëm që u kritikua për mospunë, por edhe u përball me pyetje tendencioze dhe, në disa raste absurde. Ai u bë madje përgjegjës për rrjedhjen e informacioneve në media nga kjo prokurori. Në fund, KPK nuk e miratoi as raportin vjetor të punës të Prokurorisë Speciale.

Anëtarët e KPK-së, përfshirë edhe kryesuesin, shkuan aq larg me sulmet “ad hominem” ndaj kryeprokurorit Isufaj, sa në një moment kryesuesi Arian Gashi pretendoi se institucioni që ai udhëheq po bën shumë “filma” e pak punë.

Gashi tha se për rastet që janë në hetim duhet të njoftohet publiku, por “pa bërë filma”.

Po m’u njoftu gjithsesi, por pa bërë filma”, u shpreh Gashi.

Ndërsa Isufaj iu përgjigj se publiku njoftohet për rastet me interes.

Kryeprokurori Isufaj tha gjithashtu se gjatë vitit 2025 janë shënuar rezultate në trajtimin e rasteve, duke përmendur aktakuza ndaj ministrave, ish-ministrave, drejtorëve dhe udhëheqësve të bordeve.

Por e gjithë kjo sulje ndaj Isufajt, që dukej qartë se ishte e orkestruar, ndërsa pyetjet dhe akuzat ngjanin më shumë me një hetuesi sesa me një raportim pune, iu ranë “në ujë”. Vetëm dy ditë më vonë, Prokuroria Speciale ua demantoi të gjitha pretendimet dhe akuzat për mospunë.

Të premten, Prokuroria Speciale, me në krye Blerim Isufajn dhe prokurorin e rastit, Valdet Gashi, ka dorëzuar aktakuzën ndaj 35 të pandehurve, në mesin e tyre edhe Milorad Ulemek, i njohur me pseudonimin “Legija”, lidhur me vrasjen e civilëve shqiptarë në lagjen Jasharaj në Prekaz të Skenderajt.

Kjo aktakuzë u konsiderua historike dhe me rëndësi të veçantë për institucionet e drejtësisë dhe opinionin publik, si dhe rezultat i një pune të kujdesshme dhe profesionale, të bazuar në prova dhe në përputhje me kompetencat dhe përgjegjësitë ligjore.

Se po bëhet një punë e pashoqe, u konfirmua edhe nga Kryeprokurori i Shtetit, i cili e përshëndeti dhe vlerësoi lart angazhimin e kësaj prokurorie lidhur me aktakuzën ndaj 35 personave për krime lufte të kryera në lagjen e Jasharëve, në fshatin Prekaz të Komunës së Skenderajt.

Kryeprokurori i Shtetit vlerëson angazhimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policisë së Kosovës dhe të gjitha institucioneve të tjera zbatuese të ligjit, të cilat kanë qenë të angazhuara në të gjitha fazat e procedurës penale, që nga hetimi e deri te ngritja e aktakuzës ndaj 35 personave për krime lufte, të kryera në lagjen e Jasharëve në fshatin Prekaz të Komunës së Skenderajt”, u tha në një reagim të Kryeprokurorit të Shtetit.

Lavdata dhe vlerësime për punën e kësaj prokurorie pati edhe nga drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj.

Një BRAVO e madhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës! Më në fund aktakuzë lidhur me masakrën ndaj familjes Jashari në Prekaz. Tash shteti duhet me punu natë e ditë me i arrestu dhe sjellë para drejtësisë secilin të akuzuar. Familja Jashari dhe Prekazi janë krenaria e shqiptarizë”, shkroi Miftaraj.

Duhet theksuar se pushteti i Albin Kurtit vazhdimisht e ka atakuar kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufajn.

Kurti e ka cilësuar Isufajn si “emrin e përveçëm” të shumicës së problemeve në sistemin prokurorial, duke insistuar publikisht se ai nuk guxon dhe nuk duhet të bëhet Kryeprokuror i Shtetit.

Musliu-Shoshi: “Kushtetuta e Kurtit” po funksionon në Kosovë, PDK-ja paralajmëron kundërshtim

NACIONALE

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka kritikuar qeverisjen e Albin Kurtit, duke e cilësuar situatën aktuale institucionale si “fatkeqësi”.

Ajo ka deklaruar se, sipas saj, “Kushtetuta e Albin Kurtit sot po funksionon në shtetin e Kosovës”.

“Një fatkeqësi institucionale që duhet dhe do ta ndalojmë”, ka thënë Musliu-Shoshi.

Deklarata e saj vjen në kuadër të kritikave të opozitës ndaj mënyrës së funksionimit të institucioneve dhe qeverisjes aktuale në vend.