Trumpi paralajmëron goditje “shumë më të fortë” ndaj Iranit, nëse Teherani hakmerret
25 minuta më parë
21:18
NACIONALE
25 minuta më parë
21:18
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se sulmet më të reja të vendit të tij ndaj Iranit janë hakmarrje për “përpjekjen e dështuar” për të vendosur mina ujore në Ngushticën e Hormuzit dhe për sulmet hakmarrëse të Iranit ndaj një baze ushtarake amerikane në Jordani.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi se, nëse Irani hakmerret kundër sulmeve të reja amerikane, “ata do të goditen përsëri në nivel shumë të më fortë dhe më të lartë, por nuk do të jetë sulmi më i madh nga të gjithë, ai është duke pritur në krahë dhe, kur të marrë fund, do të mbetet shumë pak nga Republika Islamike e Iranit”, raporton gazeta “The Guardian”.
Ndërkohë, zëdhënësi i Rojës Revolucionare të Iranit, Sardar Mohebi, tha se Shtetet e Bashkuara “do të pendohen për sulmet e reja”.
“Ndëshkim i ashpër i pret agresorët dhe Amerikan do të pendohet për sulmet e reja të saj” – shkroi ai në rrjetin X.
Në qytetin bregdetar iranian, Bandar Abbas, si dhe në ishullin Qeshm, u raportua se janë dëgjuar shpërthime të reja. Për shpërthime u raportua edhe në ishullin Lavan.
Kujtim Shala pasi doli kundër kandidatit të Kurtit e Abdixhikut për president: Fryma e Presidentit Rugova
48 minuta më parë
20:55
NACIONALE
48 minuta më parë
20:55
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala ka reaguar pasi doli kundër që Bekim Sejdiu të propozohet për president.
Shala ka postuar një fotografi në rrjetin social Facebook, ku shkroi:
“Fryma e Presidentit Rugova”.
Theksojmë, se gjashtë deputetë kandë dalur kundër marrëveshjes së Kryetarit Lumir Abdixhiku, me Kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, për Bekim Sejdiun President të Kosovës.
Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Janina Ymeri, Armend Zemaj, Arben Gashi dhe Kujtm Shala kanë dalur kundër marrëveshjes me Vetëvendosjen për President, duke mos u nënshtruar ndaj Abdixhikut e Vjosa Osmanit.
AAK: Pushteti po përgatit terrenin për zgjedhje të reja
52 minuta më parë
20:51
NACIONALE
52 minuta më parë
20:51
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka njoftuar se të martën është mbajtur mbledhja e Këshillit të Kryetarëve të Degëve, ku, sipas partisë, janë diskutuar çështje të organizimit të brendshëm dhe aktivitetit politik.
Duke iu referuar procesit për zgjedhjen e Presidentit, AAK ka deklaruar se, sipas vlerësimit të saj, synimi i pushtetit aktual është që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.
AAK ka shkruar se zhvillimet e deritanishme përputhen me qëndrimet që partia ka shprehur më herët, duke akuzuar pushtetin për fajësimin e partive të tjera dhe për përpjekje që zgjedhjet të mbahen në një datë që, sipas saj, i përshtatet partive në pushtet.
Në reagim, AAK ka kritikuar gjithashtu qeverisjen për situatën me energjinë, furnizimet nga Serbia, trajtimin e bizneseve vendore dhe gjendjen ekonomike.
Sipas AAK-së, pushteti aktual “nuk meriton të qeverisë me jetën e qytetarëve”.
“Myftiu i Millosheviqit”: Kur Hamdija Jusufspahiqi mburrej me njerëzit e tij në Prishtinë
1 orë më parë
20:01
NACIONALE
1 orë më parë
20:01
Kosova është larg lustracionit dhe ndriçimit të anëve të errëta të njerëzve që ishin në krye të institucioneve politike e fetare në kohë të ish-Jugosllavisë. Myftiu famëkeq i Beogradit, Hamdija ef. Jusufspahiq, në janar të 1999-s dha një intervistë për revistën beogradase ‘NIN’. Në vend të distancimit nga krimet e Millosheviqit, Reis-ul-Ulema i Jugosllavisë shprehu keqardhje pse regjimi nuk e kishte kërkuar ndihmën e tij në Kosovë. Jusufspahiqi – që mbante në zyrë fotografinë e Titos kurse jashtë saj miqësi me nacionalistët e egër serbë – kishte thënë se ka “miq të mëdhenj atje poshtë, te zyra në Prishtinë”. Edhe një publikim që mban siglën e Oxfordit, në autorësi të historianit kroat Vjekoslav Perica, vë re se Beogradi më 1991 e emëroi në krye të Bashkësisë Islame Jakub Selimoskin nga Kërçova i cili, pos ndjekës i vijës jugosllave, ishte dorëzan se do ta luftonte nacionalizmin shqiptar në Kosovë e Maqedoni. NACIONALE sjell një hulumtim unik mbi të pathënat e një numri myftinjsh, imamësh e teologësh në ish-Jugosllavi që u përdoren nga Beogradi për qëllime antishqiptare.
31 gusht 2026 – Pasdita e asaj xhumaje të 1 prillit 2016 mbarte diçka të heshtur njësoj si qielli i zgjyrtë pa diell.
Sapo mbaroi falja në xhaminë Bajrakli, në lagjen Dorqol të pjesës së vjetër të Beogradit, procesioni i përzishëm me qindra vetë përcjell arkivolin drejt tyrbesë së sheh Mustafasë që ndodhet jo larg nga aty.
Në krye të kortezhit prijnë imamë me sarëkat e tyre bardhë-e-kuq.
Megjithatë, ky procesion funebër duket fare ndryshe nga varrimet e tjera.
Në mesin e të pranishmëve, më shumë se gjysma edhe nga veshja duken njerëz të shtetit, prej atyre në maja e deri te ata në pozita më të ulëta.
Me një çehre ku lexohet një mërzi e shtirur rri presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, dhe afër vete ka princin e Kurorës, Aleksandar Karagjorgjeviq.
Rreshti vazhdon me dinjitarë të lartë të Kishës Ortodokse Serbe, si Arsenija i Toplicës dhe Mile Radoviqi.
Aty është edhe bashkiaku i Beogradit, Sinisha Mali e afër tij rrinë përfaqësues të Armatës serbe, turlifarë sigurimsi, ashtu sikurse edhe emra të njohur nga jeta kulturore e publike e Serbisë.
I mbuluar me një bez të gjelbër sipër, arkivoli që po bartet drejt tyrbes ka brenda atë që në të gjallë ishte Reis-ul-Ulema
shumëvjeçar në Serbi.
‘Fëmiu’ i Titos në Kajro
Po kush vallë ishte ky njeri të cilit e gjithë ‘dërzhava’ po i bënte nderimet më të larta?
Kur i mbylli sytë për të fundit herë me 78 vjet mbi supe, Hamdija Jusufspahiqi mori me vete të thëna e të pathëna si njëra nga figurat më kundërthënëse fetare në Jugosllavi.
I lindur
më 1937 në fshatin Zanesoviq, në zemër të Bosnjës, Hamdija pati fatin të bënte një jetë rehatie siç ndodhte me sërën e klerikëve të privilegjuar myslimanë në Jugosllavi.
Në pleqëri e evokonte me krenari një moment rinor kur e kishte takuar Titon në Egjipt e kur udhëheqësi socialist i kishte dhënë zemër me porositë e tij.
Me bursën e fituar për të studiuar në Fakultetin e Teologjisë Islame në Universitetin e al-Azharit në Kajro, ai u bë jugosllavi i parë që diplomoi në një nga qendrat më të mëdha universitare në botën islame.
Nga nevoja për të spikatur me shembull personal devotshmërie, myslimani jugosllav u njoh me Nabilan, një gocë esmere egjiptiane, të cilën pas diplomimit e mori me vete në Beograd.
“Jam boshnjak, jam mysliman, jam jugosllav”
Më e madhe se për gruan egjiptiane, dashuria për Jugosllavinë do ta shoqëronte gjithë jetën edhe kur ky shtet nuk ekzistonte më në faqe të dhéut.
Kur pyetej se ç’identitet kishte, atij i pëlqente ta përshkruante veten si boshnjak me prejardhje, mysliman me fe, dhe jugosllav për nga orientimi (“Ja sam po rodjenju Bosanac, po vjeri sam musliman ali sam projugoslovenski orijentisan”).
Edhe kur gjithçka jugosllave perëndoi përgjithmonë, myftiu ishte nga ata njerëz në Beograd që e mbante të pashuar nostalgjinë për shokun Tito.
Një fotos në kornizë i diktatorit jugosllav rrinte varur në murin e zyrës së tij në ‘Islamska zajednica Jugoslavije’.
Vite më vonë, ky Reis-ul-Ulema do të bëhej lëndë e parë senzacionalizmi për media serbe e kroate kur doli me pretendimin e çuditshëm se Tito paskësh vdekur si mysliman e duke lexuar Kuran (“Umro je čitajući Kuran”).
Nami i zi si “myftiu i Millosheviqit”
Ylli i tij i karrierës, si investim afatgjatë i shtetit, do të shkëlqente qysh në shtator të 1968-s kur bordi i Bashkësisë Islame e vuri në krye të këtij organizimi.
Por kur Jugosllavia po e merrte tatëpjetën e pakthyeshme, edhe në këtë bashkësi fetare do të stampohej pesha e politikës dhe ndikimi i saj gjer në gjërat më të vogla.
Në vitet ’90, në përshkrimet e mediave të huaja, Hamdija Jusufspahiqi gëzonte namin e zi si ‘myftiu i Millosheviqit’.
Po këso miqësie të ngushtë ai mbajti edhe me njerëz të tjerë të politikës serbe, si puna e Vojisllav Sheshelit apo Vuk Drashkoviqit.
Aq thellë bëri vend në rrethet politike sa më 2012 presidenti serb, Tomislav Nikoliq, do të kujtohej t’i ndante atij apostofat ‘Urdhrin e Sretenjes’, të klasit të parë.
Në motivacionin e dhënë për këtë çmim, myftiut që tash deklarohej si serb iu përmenden plot mirënjohje kontributet për përfaqësimin e Serbisë në botë, veçanërisht në vendet me shumicë myslimane.
Shumë nga dëshmitë e depozituara në verën e vitit 2003 në Tribunalin e Hagës, gjatë procesit të gjykimit të udhëheqësit namkeq serb, Sllobodan Millosheviq, apostrofuan emrin e myftiut si njeri me lidhje të gjëra në aparatin e regjimit.
Siç mësohet nga transkriptet, Millosheviqi e përdorte rastin e tij për t’i treguar Perëndimit se sa fort Jugosllavia kishte qenë e drejtë për njerëzit e feve të ndryshme.
Të pavarësohesh nga Beogradi e Sarajeva
Më 11 dhjetor 1993, Bashkësia Islame e Kosovës e pavarësoi veten nga kupola federative e ‘Islamska Zajednica’-s në Beograd e Sarajevë.
Shkëputja nga Rijaseti jugosllav u pri nga Bosnja (prill 1993), Sanxhaku (tetor 1993), Kosova (dhjetor 1993), dhe Maqedonia tek në vitin e ardhshëm.
Në mbledhjen e pavarësimit formal, njëri nga vendimet e para të ‘Meshihatit’ në Prishtinë ishte edhe shkarkimi i imamit të Beogradit, Hamdija Jusufspahiq, nga të gjitha postet.
Megjithatë, prania e Myftiut të Beogradit nuk ishte e thënë të zhdukej nga Kosova.
Një intervistë interesante në ‘NIN’
Dossier-i i myftiut të Millosheviqit, siç ishte përhapur gjithandej nami i tij, ka disa fragmente që lëshojnë hije të rënda mbi sfondin e institucioneve fetare në Kosovë e Maqedoni që vepruan me leje të shtetit jugosllav.
Kur regjimi i Millosheviqit po përgjakte Kroacinë, Bosnjën e, së mbrami, edhe Kosovën, myftiu i Beogradit nuk u dëgjua asnjëherë t’i kundërvihej shtetit jugosllav.
Në një intervistë të dhënë më 14 janar 1999 për revistën NIN
me gazetaren Marijana Milosavljeviq, Jusufspahiqi e quante ende të mundur që popujt të jetonin sipas bashkëllëkut jugosllav të njëherë-e-një-kohe.
Edhe përgjigjjet e tij ndiqnin parullat e moçme sesi shqiptarët e Kosovës i mbante për vëllezër feje, por serbët si vëllezër gjuhe e gjaku (“Meni su kosovski Albanci po vjeri braca. Ali isto tako su mi Srbi po jeziku, po krvi braca”).
“Kam njerëzit e mi në Prishtinë, te zyra ime…”
Kur regjimi i Millosheviqit po përgatitej për operacionin ‘Patkoi’, një mësymje e plotë për spastrimin etnik dhe deshqiptarizimin e Kosovës, Myftiu i Madh ishte njëri nga ata në Beograd që kritikat për luftën i kishte vetëm pse Millosheviqi nuk po e menaxhonte si duhet gjendjen.
Mu këtu, Myftiu i Madh i Beogradit do ta tregonte një hollësi interesante.
Sipas tij, shteti mund të kishte bërë më shumë sesa me polici e ushtri, madje ai vetë mund ta kishte kryer këtë punë duke shfrytëzuar lidhjet e tij me miqtë e afërt në Prishtinë.
“Dikur isha në krye të organizimeve (në origjinal: udruzenja – v.j), domethënë ulemasë, hoxhallarëve, për gjithë Serbinë. Kisha miq të ngushtë atje poshtë, dhe zyrën time në Prishtinë. Mund të kisha pasur ndikim pozitiv në forcimin e bashkimit”, tha me këtë rast myftiu (Teksti origjinal: Ja sam nekad bio predsjednik udruzenja, odnosno uleme hodza za cijelu Srbiju. Imao sam velike prijatelje dole, svoju kancelariju u Pristini. Mogao sam uticati u najpozitivnijem smislu na zajednistvo. Kad mi je istekao mandat, posvetio sam se rjesavanju problema u Beogradu).
Në bashkëbisedim e sipër kur gazetarja i kërkon një qëndrim mbi ngjarjet në Kosovë, Reis-ul-Ulema i Beogradit nuk ngurron të shfaqë besnikërinë e tij ndaj shtetit.
Ai mbante bindjen se fakti që Beogradi nuk u përball me ndonjë akt terrorist ishte meritë e tij, madje smira e të tjerëve për të ishte për shkak të patriotizmit të tij serb.
“Jam kundër terrorizmit, qoftë ai i bërë nga shteti, i organizuar nga grupet apo i kryer nga individët. Njerëzit duhet të bisedojnë me njëri-tjetrin e të respektojnë të drejtat e secilit. Jam i bindur se kam kontribuar që të siguroja se nuk do të kishte akte terroriste në Beograd gjatë luftës. Bota islamike nuk na ndihmon ne pikërisht pse ne jemi besnik ndaj Beogradit” (Teksti original: Ja sam protiv terorizma, bilo drzavnog, bilo grupnog ili pojedinacnog. Ljudi treba da razgovaraju i da postuju prava svih. Ubijedjen sam da sam doprinio da u Beogradu ne bude teroristickih akcija u vrijeme rata. Nas islamski svijet ne pomaze bas zbog toga sto smo lojalni Beogradu.)
Kush ishin këta “velike prijatelje”?
Intervista do të mbyllej këtu, por jo edhe pikëpyetjet që nxorën krye.
Në të vërtetë, publikimet e gjersotme të BIK-ut, ku skicohet historia e këtij organizimi fetar ç’prej pavarësimit të tij në vitet ‘90, pak e hiç e çikin figurën kundërthënëse të njeriut që nga Beogradi organizonte jetën fetare gjatë periudhës nën Jugosllavi.
Pyetja që ngacmohet nga intervista e Jusufspahiqit në NIN është se cilët ishin miqtë e tij të mëdhenj në Prishtinë (“velike prijatelje”), për të cilët ai mburrej para politikanëve e gazetarëve në Beograd.
Në mungesë të zbardhjes së dosjeve në Beograd, shumë zhvillime humbasin në prapaskenat burokratike të shtetit jugosllav që po shembej.
Kur në takimin e organizuar nga Rijaseti
jugosllav, më 5 shkurt 1993 në Shkup, u pranua në pranim pavarësimi i bashkësive islame, Beogradi nuk qëndroi duarkryq.
Strukturat e larta të shtetit fillimisht përdorën kartën për të ruajtur unitetin, e më pas kur kjo nuk ishte e mundur, kartën e sofistikuar që të krijonin lidhje e ndikim brenda kryesive të bashkësive të reja islame.
Imami i shtetit kundër nacionalizmit shqiptar
Historiani kroat, Vjekoslav Perica, është deri më tani një nga profesionistët që më së shumti i ka dritësuar këto momente të errëta.
Në librin e tij “Balkan Idols: Religion and Nationalism in Yugoslav States”, botim i Oxford University Press, ai vë re sesi Beogradi më 1991 e emëroi një imam nga Kërçova në postin e Reis-ul-Ulemasë.
Ai ishte Jakub Selimoski
(1946-2013), për të cilin thuhet se ishte torbesh që e fliste edhe shqipen.
Sebep lidhjeve që mbante me pushtetin në Beograd, më 9 mars 1991, ai doli i fituar në garën me imamët boshnjakë Senahid Bristriq, Mustafa Ceriq dhe Jusuf Ramiq.
Sipas historianit kroat, zgjedhja e tij si një i “moderuar” ishte kryesisht që shteti të sigurohej se Zajednica
islame do të ruante një karakter gjithëjugosllav.
Por përtej kësaj, zgjedhja e tij në këtë post ishte shtyrë përpara nga plani i Beogradit që Selimoski të pengonte nacionalizmin shqiptar në Kosovë e Maqdoni.
Sipas Pericas, “kleriku i moderuar nga Maqedonia duhej të siguronte një karakter gjithëjugosllav për Bashkësinë Islame e të dëshmonte përkushtimin e organizatës për unitetin e vendit…Të kishe një maqedon mysliman si Reis-ul-Ulema kryente punë edhe si frenues kundër nacionalizmit etnik në rritje të myslimanëve me sfond shqiptar në Maqedoninë Perëndimore dhe Kosovë”, shkruan Perica (Balkan Idols, 2002, fq.85).
Pohimet e historianit kroat do të vërtetoheshin shumë vite më vonë kur ish-kreu i Bashkësisë Islame në Maqedoni, Sulejman Rexhepi nxori në dritë kujtimet e tij.
Në librin “Memoare: Kush ma prek kombin më ka sharë fenë”, reisi që udhëhoqi për një kohë të gjatë jetën fetare në Maqedoni rrëfen gjerë e gjatë episode sesi u rekrutua nga shërbimet sekrete jugosllave.
Në një mori hollësish rrëqethëse edhe për veten, Rexhepi do t’i kushtonte pjesë të tëra edhe rivalit të tij jetësor, Jakub Selimoski.
Siç përshkruhet në këto evokime kujtesore, torbeshi nga Kërçova ruante një urrejtje të thellë kundër shqiptarëve, çka në prapakthim e ndihmoi të ngjitej lart e më lart në hierarkinë e Islamska Zajednica-s në Jugosllavi.
Kur Sarajeva luante hile me klerikë Kosove
Ndërsa historitë e gjertanishme që mbajnë siglën e BIK-ut priren të mos i shpërpushin episodet kundërthënëse, një hulumtim përtejsipëfaqësor do të nxirrte sheshazi sesi rivalitetet e brendshme klerikale në Kosovë kishin prapa edhe shtytje nga politika e madhe në Beograd e Sarajevë.
Një episod i tillë ngjau më 1984 kur nisi një garë e brendshme për të zgjedhur njeriun që do të vihej në krye të organizimit kryesor islam në Beograd.
Siç do të raportohej
edhe nga Radio Evropa e Lirë, qeveria kosovare (autoritetet krahinore në Kosovë – v.j) mori vendim që në këtë pozitë të vihej hafëzi, Muharrem Adili.
Por kreu suprem i Jugosllavisë në Sarajevë, Reis-ul-Ulema Naim Haxhiabdiqi e caktoi në vend të tij Jetish Bajramin.
Aq i madh u bë cakërrimi mes mbështetësve të njërit ose tjetrit kandidat sa kjo do të pasqyrohej edhe në shtypin e kohës.
Historia e Reis-ul-Ulemasë së Beogradit, Hamdija Jusufspahiq, dhe njerëzve të tij në Prishtinë, mund të jetë fillimi i zbardhjes së plot prapaskenave sesi edhe bashkësitë fetare u çatrafiluan nga strukturat politike dhe të sigurisë në Beograd.
Dy bijtë e Hamdija Jusufspahiqit, Mustafai dhe Muhamedi, e vazhduan misionin e Beogradit që organizimet fetare të ishin në sintoni të plotë me politikën shtetërore.
Nëse Mustafa mbërriti të bëhej edhe myfti në Armatën e Serbisë, Muhamedi në krye të IZS-së u vetëofrua vullnetarisht në luftën diplomatike të Beogradit që t’i pengonte njohjet e Kosovës së pavarur në vendet islamike.
Pasuesit e Jusufspahiqit: Mevlud Dudiqi dhe Nexhmedin Saqipi
Në gusht të këtij viti, Serbia e bëri të mundur bashkimin e dy organizatave islame të cilat prej 2007-s nuk ia njohën legalitetin dhe legjitimitetin njëra-tjetrës.
Të dy organizimet kanë nënshkruar një kartë (‘povelja’) me anë të së cilës janë pajtuar për njësimin e Islamska Zajednica që tani e tutje do ta zhvendosë selinë e vet nga Beogradi në Pazar të Ri, afër kufirit me Kosovën.
Siç ka kronikuar NACIONALE
në disa hulumtime konsekutive, kreu aktual i ‘Meshihatit’ Mevlud Dudiq është njëri nga asetet e Serbisë që përdoret për të krijuar lidhje me myslimanët në Federatën Ruse dhe gjithandej botës.
Edhe Reis-ul-Ulema i sapozgjedhur më 2023, Nexhmedin Saqipi nga Tërnoci në Bujanoc është shndërruar në një nga modelet e ‘shqiptarit të ndershëm’ të cilit Beogradi ia bën nderet më të larta.
“Rojtarët e Jugosllavisë”: informatorë, spiunë e asete nga radhët e klerikëve
Nëse në Kosovë thirrjet për lustracion mbeten si një zë i pashpresë në shkretëtirë, në Bosnjë e Kroaci janë shënuar sadokudo përparime.
Atje vazhdon të ketë zbardhje aktive të dosjeve të UDBA-s dhe rrjeteve të bashkëpunëtorëve që u mpleksën edhe në struktura të tjera inteligjente, si fjala vjen KOS (Shërbimi Jugosllav i Kundërinteligjencës) dhe VOS (Shërbimi i Inteligjencës Ushtarake).
Ajo që bie në sy është se një numër klerikësh, imamësh dhe hoxhallarësh në Bosnjë dolën se kishin qenë të rekrutuar nga shërbimet jugosllave të sigurisë.
Si publikim që u shërbye nga arkivat e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Bosnjë, “Čuvari…” përmban dosjet me emrat e 1,423bashkëpunëtorëve të UDBA-s që shërbyen si informatorë, asete apo burime operative për regjimin.
Dokumentacioni sekret bënte dallimin mes atyre që shënoheshin me “S” (shkurtesë për saradnik) për personat e regjistruar si bashkëpunëtorë dhe “OV” (operativna veza) për personat që konsideroheshin burime apo kontakte operacionale
Një nga rastet më tronditëse ishte ai i teologut boshnjak, Mustafa Ceriq, që po ashtu shërbeu si Reis-ul-Ulema në periudhën e Jugosllavisë.
Qysh në fundvitet ’80, Sigurimi kroat mësoi përmes kontakteve në Sarajevë se Ceriqi ishte i rekrutuar nga inteligjenca ushtarake jugosllave, dhe operativët e saj ia kishin dhënë pseudonimin “Vezir”.
Një tjetër rast, i zbardhur në këto dosje, ishte ai i klerikut mysliman Malik Shljivo, i cili që më 1982 nisi të jepte informacione për UDBA-n nën pseudonimin “Dugi”.
Në rrjetën e policisë së fshehtë jugosllave përfundoi edhe myftiu i Banja Lukas, Ibrahim Haliloviq, që në dosje figuronte me pseudonimin “Kashtel”.
Duke shfletuar dosjet e “Čuvari Jugoslavije”, radha me spiunë nga radhët e imamëve dhe hoxhallarëve boshnjakë del tejet e gjatë.
Një shembull që meriton të spikatet është ai i Hysein efendi Mujiqit, imam e myfti nga Tuzla, që u rekrutua nga UDBA dhe mbante pseudonimin “Veteran”.
I ofruar vullnetarisht më 1973 për të dhënë informacione ishte edhe sekretari i Medresesë ‘Gazi Husrev-beg’, Murat Haxhimeshiq, që mbante pseudnomin “Sabah”. /Nacionale/
C. Mehmeti
Muhaxheri: Mbështes fuqishëm qëndrimin e deputetëve nga dega e Pejës, morën vendimin e duhur për LDK-në
1 orë më parë
19:45
NACIONALE
1 orë më parë
19:45
Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka thënë se mbështet deputetët e LDK-së nga kjo komunë që sot dolën kundër zgjedhjes së Bekim Sejdiut për president.
Muhaxheri në një shkrim në rrjetin social Facebook ka thënë se deputetët morën vendimin e duhur për Kosovën dhe LDK-në.
“Mbështes fuqishëm qëndrimin e deputetëve të LDK-së nga dega e Pejës. Sot morën vendimin e duhur për Kosovën dhe për LDK-në.
Bindja, besimi dhe vlerat e LDK-së janë ato që duhet të mbizotërojnë gjithmonë”, ka shkruar ai.
Çitaku i kërkon Kurtit thirrjen e menjëhershme të seancës konstituive: Lojërat me shtetin dhe qytetarët nuk janë demokraci - janë abuzim
2 orë më parë
19:21
NACIONALE
2 orë më parë
19:21
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i është drejtuar kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke kërkuar që seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës të thirret pa vonesa të mëtejshme.
Ajo ka vlerësuar se funksionalizimi i Kuvendit është i domosdoshëm për rikthimin e normalitetit institucional dhe respektimin e rendit kushtetues.
“Albin, tash thirre seancën menjëherë dhe konstituoje Kuvendin. Të paktën, riktheje demokracinë dhe rendin kushtetues në vend”, ka shkruar Çitaku.
Sipas deputetes së PDK-së, vazhdimi i bllokadës institucionale dhe prolongimi i proceseve politike dëmtojnë funksionimin demokratik të shtetit.
“Pengmarrja e institucioneve, lojërat me shtetin dhe qytetarët nuk janë demokraci – janë abuzim”, ka deklaruar ajo.
Ushtria amerikane konfirmon sulme të reja hakmarrëse në Iran
2 orë më parë
19:15
NACIONALE
2 orë më parë
19:15
Ushtria amerikane ka konfirmuar se është duke kryer sulme të reja kundër caqeve në Iran.
“Sot në orën 12:00 sipas zonës kohore lindore të ShBA-së, forcat amerikane filluan që të sulmonin caqe të Rojës Revolucionare Islamike në Iran” – thuhet në një deklaratë të Komandës Qendrore.
“Sulmet vijnë pas përpjekjeve të fundit për sulme nga Roja Revolucionare kundër transportit komercial në Ngushticën e Hormuzit dhe kundër pjesëtarëve ushtarakë amerikanë të dislokuar në rajon” – thuhet më tej, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Irani hodhi raketa drejt një baze amerikane në Jordani të dielën vonë si hakmarrje për sulmet amerikane ndaj aseteve ushtarake iraniane, për të cilat ShBA-ja kishte thënë se po përgatiteshin për të lëshuar mina ujore në Ngushticën e Hormuzit.
Teherani tha se nga sulmet e forcave amerikane u vranë dy njerëz dhe u plagosën disa të tjerë.
Irani gjithashtu hodhi disa raketa e një dron në drejtim të Emirateve të Bashkuara Arabe. Nuk pati raportime për dëme.
Reagon Hykmete Bajrami: Qytetarët nuk më kanë mbështetur për t’ia zgjatur pushtetin Albin Kurtit
3 orë më parë
18:31
NACIONALE
3 orë më parë
18:31
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka reaguar pas deklarimit të Lumir Abdixhikut para mediave në lidhje me gjashtë deputetët që nuk kanë votë për Bekim Sejdiun president.
Bajrami në një shkrim në rrjetin social Facebook ka thënë se nuk e ka deleguar votën të askush, dhe besimin nga qytetarët e ka marrë që të jetë zëri i qytetarëve kundër keqqeverisjes së Albin Kurtit.
“Mbështetja që kam marrë nga qytetarët jo vetëm në zgjedhjet e fundit nuk më është dhënë për të qenë numër në Kuvend dhe as për t’ia zgjatur pushtetin Albin Kurtit. Përkundrazi, këtë besim e kam marrë se besoj fort se kam arritë të jem zëri i qytetarëve kundër keqqeverisjes së Albin Kurtit, kam punuar e jam angazhuar për interesin e vendit dhe kam mbrojtur e ruajtur Lidhjen Demokratike të Kosovës aq sa kam mundur.
Prandaj, për mua është e papranueshme që sot, në emër të zgjidhjes së krizës institucionale, të bëhemi pjesë e një marrëveshjeje që ia zgjat pushtetin e koncentruar Albin Kurtit”,
ka thënë ajo.
Bajrami ka shtuar se është kundër zgjedhjeve të reja:
“Jam kundër zgjedhjeve të reja, por shmangia e tyre nuk mund të jetë arsye që deputetët të votojnë një marrëveshje që u prezantohet si fakt i kryer.
Emrat e diskutuar për President të Republikës nuk janë konsultuar paraprakisht me deputetët e LDK-së. Nëse nevojiten votat tona, konsultimi është dashur të bëhet para marrëveshjes, jo pasi ajo është arritur dhe është bërë publike”.
Postimi i plotë:
“Kaq munda nuk mundem më tepër”, Abdixhiku flet i dorëzuar
3 orë më parë
18:26
NACIONALE
3 orë më parë
18:26
Lumir Abdixhiku Kryetar i LDK-së, ka thënë se nuk i ka votat për President të Kosovës. Ai tha se i kërkon falje popullit të Kosovës, me fjalët se: “i kërkoj falje popullit të Kosovës, kaq munda, kaq mundem, nuk mundem më tepër.”
Ai tha se nuk mundet t’i siguroj votat për President pasi gjsahtë deputet të grupit parlamentar të partisë që udhëheq vendosën që të mos e përkrahin marrëveshjen.
Refuzuan t’i nënshtrohen Kurtit, Abdixhiku paralajmëron ndëshkim për 6 deputetët e LDK-së
3 orë më parë
18:25
NACIONALE
3 orë më parë
18:25
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pasi gjashtë deputetë të kësaj partie janë deklaruar kundër mbështetjes së marrëveshjes së arritur me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për propozimin e Bekim Sejdiut për president të Kosovës.
Abdixhiku ka thënë se gjashtë deputetët kanë vendosur të mos e respektojnë vendimin e partisë dhe se, sipas tij, një qëndrim i tillë mund t’i shkaktojë vendit pasoja të rënda.
“Me keqardhje, 6 deputetë të LDK-së kanë vendosur të mos respektojnë vendimin e LDK-së. Kanë deklaruar se nuk e votojnë kandidatin e propozuar. Në këtë fazë, besoj se i bëjnë vendit dëm të pariparueshëm”, tha ai.
Abdixhiku është pyetur gjithashtu nëse gjashtë deputetët do të përballen me pasoja brenda partisë për shkak të vendimit të tyre.
“Ajo do të vijë”, është përgjigjur ai, duke mos dhënë më shumë hollësi.