Zyrtari i lartë libanez e kritikon marrëveshjen me Izraelin
2 orë më parë
23:58
NACIONALE
2 orë më parë
23:58
Kryetari i Kuvendit të Libanit, Nabih Berri, aleat kyç i Hezbollahut, të hënën e kritikoi marrëveshjen mes Libanit e Izraelit, e ndërmjetësuar nga Hezbollahu, duke paralajmëruar se ajo mund të çojë në përpjekje për t’i përçarë libanezët dhe nuk do të zbatohet.
Zyrtarët izraelitë sugjeruan se marrëveshja do të lëvizë përpara ditëve në vijim, por nuk pati raportime të menjëhershme për zbatimin e ndonjë aspekti të marrëveshjes në terren.
Berri i përshkroi bisedimet mes Iranit e Shteteve të Bashkuara si mundësinë e vetme realiste për ta siguruar tërheqjen e forcave izraelite nga Libani dhe se cilado përpjekje për ta ndarë Libanin nga rruga ShBA – Iran do ta zgjatë pushtimin izraelit, raporton agjencia “Reuters”.
Izraeli ka pushtuar një pjesë të konsiderueshme të jugut të Libanit në një luftë me Hezbollahut që filloi më 2 mars, kur grupi hapi zjarr drejt Izraelit, pasi Irani u sulmua nga forcat amerikane e izraelite.
Moti të martën: Vranësira, intervale me diell dhe mundësi për reshje lokale shiu
3 orë më parë
23:15
NACIONALE
3 orë më parë
23:15
Instituti Hidrometeorologjik ka njoftuar se të martën, më 30 qershor 2026, në vend do të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell.
Sipas parashikimit, gjatë pjesës së dytë të ditës pritet shtim i vranësirave, të cilat vende-vende do të krijojnë kushte për reshje lokale shiu.
Temperaturat minimale pritet të lëvizin ndërmjet 15 dhe 18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 32 deri në 35 gradë Celsius.
Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi prej 1 deri në 10 metra në sekondë.
Sejdiu skeptik për formimin e institucioneve të reja: Mund të ketë sërish zgjedhje
4 orë më parë
21:42
NACIONALE
4 orë më parë
21:42
Analisti politik Dardan Sejdiu ka shprehur skepticizëm për mundësinë e konsolidimit të institucioneve të reja në Kosovë, pas rezultateve të fundit zgjedhore.
Sejdiu tha në "Rubikon" se situata politike mund ta çojë vendin drejt një tjetër procesi zgjedhor.
“Proceset zgjedhore s’kanë me na u nda”, u shpreh Sejdiu në Klan Kosova.
Sipas tij, Kosova mund të shkojë sërish në zgjedhje brenda një periudhe të shkurtër pas certifikimit të rezultateve.
“Kemi me përfundu edhe në një proces tjetër zgjedhor, 60 ditë pas certifikimit të rezultateve. Nuk shoh qysh dalim prej kësaj situate”, tha Sejdiu.
Shkon në mbi 1.700 numri i të vdekurve nga tërmetet
4 orë më parë
21:40
NACIONALE
4 orë më parë
21:40
Ka shkuar në 1.719 numri i njerëzve të vdekur si rezultat i tërmeteve të fuqishme që e goditën Venezuelën javën e kaluar, njoftoi kryetari i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodriguez të hënën.
Vëzhguesi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara thotë se ka 44 për qind gjasa që numri përfundimtar i të vdekurve të shkojë në 10 mijë ose më shumë, raporton televizioni CNN.
Dridhjet kanë prekur të paktën 22 mijë e 600 njerëz, përfshirë pesë mijë të lënduar, tha Rodriguezi, duke shtuar se të paktën 855 ndërtesa që janë dëmtuar e 189 janë shembur tërësisht.
Që nga e mërkura, kur ndodhën tërmetet e fuqishme, janë regjistruar 609 dridhje të tjera, përfshirë një që u ndie gjerësisht më herët të hënën, por nuk shkaktoi dëme domethënëse, shtoi zyrtari i lartë.
Eksportet e Albinit: drejtorë që nuk e kanë idenë ku janë e çfarë bëjnë
5 orë më parë
20:35
Col Mehmeti
5 orë më parë
20:35
Kur po bëhet rrum një muaj nga shpërthimi i protestave antiqeveritare në Tiranë, partia e Kurtit është apostrofuar vazhdimisht për përfshirje të tërthortë. Më tepër si pasojë e antagonizmit të thellë me kryeministrin Edi Rama, Vetëvendosja është zënë në gojë edhe si alternativë se si do të ishte ‘Shqipëria e re’ pa PS-në dhe PD-në. Megjithatë, qytetarët e andej Drinit tash e shtatë muaj mund ta kenë përjetuar nga afër sesi duket një ministër i zakonshëm i Kurtit. Si drejtor ekzekutiv i Autoritetit Portual në Durrës, kjo nyje kyçe e tregtisë detare, Aliu është po ai që ishte edhe në Kosovë. Problemet e dikasterit të tij i mëson vetëm nga gazetarët.
Col Mehmeti
29 qershor 2026 – Një minutë e pesëdhjetë sekonda nuk kanë qenë të mjaftueshëm që të merret një copë përgjigjje për një pyetje fare të thjeshtë.
Skenë që përçon ndjesi sikleti e torture është kur ish-ministri i Kurtit, Liburn Aliu, nuk e ka idenë për probleme që bien nën përgjegjësinë e tij.
Ndonëse tash e shtatë muaj drejtor ekzekutiv në Autoritetin Portual të Durrësit, ai nuk kishte asfarë përgjigjje kur gazetarja e emisionit hulumtues ‘Piranja’, Matilda Prendi, ia zuri rrugën në hyrje të institucionit.
“A mund të na i dërgoni pyetjet në email dhe unë betohem se do t'u përgjigjem të gjithave”, thotë Aliu me një grimasë buzëqeshje të shtirur përballë një problemi që vetëm tani e mëson.
Kur gazetarja Prendi sërish ngulmon se dy ndërtesa në pjesën portuale të Durrësit kanë pësuar një fundosje prej disa centimetrash, drejtori kosovar sërish kërkon që të komunikojë vetëm me ‘shkrim’.
“Unë duhet t’i kem pyetjet e sakta e që përgjigjjet të jenë të sakta më duhet ta analizoj pyetjen”, përpiqet të nxirret nga sikleti Aliu.
Çfarë po ndodh qindra metra larg zyrës së Aliut?
Ish-ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Qeverinë Kurti 2 – dhe prej dy vitesh nën hetime nga Prokuroria Speciale e Kosovës si njëri nga të dyshuarit për keqpërdorime milionëshe – ai ishte emëruar si drejtor në një nga pozicionet më të lakmuara në tregtinë detare të Shqipërisë.
Patronja e tij në këtë pozitë qe Belinda Balluku e cila, pasi u bë subjekt hetimi nga SPAK-u, nuk është më në detyrën e zëvendëskryeminstres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Muajin e kaluar u ngrit si alarm çështja e projektit
ambicioz ‘Durrës Yachts & Marina’ që prej dy vitesh po ndërton në hapësirën e portit të Durrësit.
Ky investim nga kompania e investitorit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Muhammed El Alabbar, parasheh ndërtimin e 12 mijë apartamenteve dhe dy hoteleve me 850 dhoma në limanin e Durrësit.
Sipas marrëveshjes 35-vjeçare të nënshkruar në gusht të vitit 2022, Qeveria shqiptare, më saktë Autoriteti Portual i Durrësit, do të zotërojë 33.3 për qind të dividentit të investimit.
Megjithatë, një raport topografik i Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) nxori në pah se dy pallate, njëri nëntëkatësh e tjetri njëmbëdhjetëkatësh, kanë pësuar ulje të strukturës duke u zhytur disa centimetra në tokë.
Sipas gjetjeve të inspektimit, objekti ‘02’ ka pësuar ulje për 29 centimetra, kurse objekti tjetër ‘04’ është zhytur për 18 centimetra.
Me këtë rast, ky Inspektoriat kërkoi nga kompania zbatuese e projektit zhvillimor që të ndërmerrte masa të menjëhershme për përforcimet e nevojshme teknike.
Performim midis hijeve
Por, drejtori nga Kosova, që mori lavdërime të shumëfishta nga ministrat e Ramës, nuk duket se ka as idenë më të vogël për problemin në fjalë.
Vetëm disa muaj pas emërimit në pozitën e drejtorit, më 27 janar të këtij viti, Aliu nënshkroi një tender të dyshimtë në vlerë prej 220 mijë eurosh me kompaninë ‘Illyrian Consulting Engineers’ të Olset Haxhiut.
Ky i fundit njihet për lidhjet e tij me Bashkim Ulajn i cili po hetohet nga SPAK-u për afera me tendera rrugësh e pastrim parash.
Burime pranë Portit të Durrësit, të cituara nga një medium në Tiranë, patën thënë se këtu bëhej fjalë për një flamur të kuq të korrupsionit brenda institucionit të drejtuar nga Liburn Aliu.
Fituesi i tenderit ishte caktuar me pazar në tavolinë në një procedurë të kurdisur tenderuese.
Rrugë që s’përfundojnë si ‘Rozafati’ i legjendave
I emëruar ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës më 22 mars të vitit 2021, Aliun e përcollën gjatë gjithë kohës hije të rënda të keqperformimit dhe dështimeve të njëpasnjëshme për sa i përket projekteve të premtuara infrastrukturore.
Ministri Aliu, sikur vetë kryeministri Kurti, e kishte trumpetuar me të madhe edhe fillimin e rrugës Prizren-Tetovë, për të cilën pas pak kohe u kuptua se do të mbetet projekt zor i realizueshëm edhe në vitet në vazhdim.
Kur marrëdhëniet e përkeqësuara mes Aliut dhe Kurtit mbërritën kulmin, ai në muajt e fundit si ministër nuk ngurroi t’i ‘hakmerrej’ shefit para kamerave.
Kështu, Aliu e përgënjeshtroi Kurtin për premtimet e dhëna pa mbulesë për autostradën e Gjilanit.
Ana tjetër e marrëdhënieve PS-VV
Qysh në gusht të vitit të kaluar, NACIONALE pati paralajmëruar se Aliu i kishte hyrë pazarit për të marrë një pozitë në Qeverinë e Ramës kur kjo po hynte në procesin e ristrukturimit.
Falë lidhjeve të krijuara gjatë detyrës së tij si ministër, Aliu iu rekomandua Ramës si ‘kosovari patriot’ që mund t’i kundërvihej partisë së braktisur.
Vetë Rama nuk kishte e kishte huqur rastin që ministrit të Kurtit t’ia përkëdhelte sedrën në atmosferën tejet të tendosur të dy kabineteve qeveritare.
Më 2016, Aliu ishte njëri nga dhjetëra drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje që përfituan nënshtetësi shqiptare me dekret të ish-presidentit të ndjerë, Bujar Nishani.
Derisa pajisja me pasaportën shqiptare mbetet ëndërr e parealizuar për mijëra shqiptarë si pasojë e burokracive të pakalueshme e dekurajuese, krerët e Vetëvendosjes përfituan nga ‘procedurat e përshpejtuara’.
Si njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Kurtit, madje njëri nga themeluesit e Lëvizjes Vetëvendosje, Aliut në fund të vitit 2013 i ishte besuar portofoli i Drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Prishtinës kur Vetëvendosja e mori pushtetin në kryeqytet.
Trashëgimia e tij e vetme në këtë post mbeti ajo e zyrtarit që shkonte në vendin e punës i armatosur me revole.
Si thuajse asnjë funksionar publik i mëparshëm, drejtori i Urbanizimit turrej e përfshihej edhe në sulme fizike.
Prej ditës kur kaloi një 24-orësh në stacion policor për rrahje, Aliut dalëngadalë do t’i trashej lëkura për aktakuza.
Më 26 korrik 2019, Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj tij për “pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”.
Sipas aktakuzës, më 21 mars 2018, rreth orës 13:44, Liburn Aliu në Kuvendin e Kosovës u kishte marrë kartelat e votimit rreth 40 deputetëve, duke e pamundësuar mbarëvajtjen e seancës së jashtëzakonshme.
Më 24 korrik 2020, Prokuroria Themelore ngriti aktakuzë ndaj ‘kaubojit’ me revole për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar – ai bashkë me vartësit e tij akuzoheshin se nuk e zbatuan planin zhvillimor urban në lagjen ‘Prishtina e Re’.
Ligjshkelës, ligjurryes
Por, problemet e trimit me ligjin nuk kishin mbaruar me kaq.
Më i rëndi ishte kur Prokuroria Speciale e Kosovës më 2024 mori aktvendim për zgjerimin e hetimeve për skandalin e faljes së borxheve për ambalazhuesit e ujit.
Kësisoj, sipas aktvendimit në fjalë, Liburn Aliu dyshohej se gjatë periudhës kohore 2021-24, në cilësinë e personit zyrtar, si ministër, “me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo të tjerët”, i kishte shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej miliona eurosh.
Siç ka raportuar në vijimësi NACIONALE, dorëheqja e Liburn Aliut nga Qeveria në largim e Albin Kurtit fshihte pas vete një histori të gjatë fesati me shefin e tij.
Kjo ngatërresë e kishte përcjellë Aliun ç’prej emërimit të tij në krye të ministrisë me buxhetin më të madh në Qeveri.
Herë në formë moskomunikimi e herë në formë nxitjesh të të tjerëve, antipatia e Kurtit kishte kulmuar gjatë një mbledhje të kabinetit qeveritar, në shtatorin e vitit 2024, kur Kurti i ishte drejtuar Aliut me qesëndi “Hajde, ti ministri i Asfaltit…”.
Në idiolektin politik kosovar, gjithçka e lidhur me asfaltin është antonomazi për korrupsionin e tenderët. /Nacionale/
Haziri mohon takime për koalicion me Vetëvendosjen
5 orë më parë
20:16
NACIONALE
5 orë më parë
20:16
Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka mohuar se partia e tij ka zhvilluar bisedime për një marrëveshje të mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje pas zgjedhjeve.
I pyetur për raportimet mbi një koalicion të mundshëm mes LDK-së dhe LVV-së, Haziri tha se deri më tani nuk ka pasur as kërkesë për takim dhe as nismë nga ana e LDK-së për t’i ftuar palët e tjera në diskutime.
“Më lejoni ta konfirmoj edhe një herë: as nuk kemi pasur ftesë, as nuk i kemi ofruar askujt. Parimet gjithëpërfshirëse sipas rezultatit të fundit zgjedhor e njohin të drejtën e partisë së parë dhe i njohin të drejtat tona si parti politike me peshën që e kanë dhënë qytetarët e Republikës. Takime nuk ka pasur deri tani që po flasim, sepse nuk ka pasur asnjë ftesë. Edhe ne kemi dalë me parim politik, kemi thënë që procesi politik kërkon që Kosova me vendosë normalitet dhe stabilitet institucional. Kjo është e tëra”, tha Haziri, transmenton KosovaPress.
Vdes edhe personi i gjashtë pas të shtënave në qendrën për mirëqenien e të rinjve në Gjermani
8 orë më parë
18:11
NACIONALE
8 orë më parë
18:11
Katër gra janë në mesin e gjashtë të vrarëve nga të shtënat në një qendër për mirëqenien e të rinjve në Stade, në pjesën veriore të Gjermanisë.
Katër gratë dhe një burrë ishin qëlluar me armë brenda objektit, tha policia, ndërsa një person tjetër vdiq më vonë në spital. Të gjitha viktimat ishin të rritur, raporton televizioni BBC.
Sulmuesi i dyshuar është arrestuar dhe dy persona të tjerë gjithashtu po hetohen. Motivi i mundshëm i autorit nuk ishte menjëherë i qartë.
Zyrtarët thanë se nuk kishte më rrezik për publikun pas të shtënave në perëndim të Hamburgut. Mediat gjermane raportuan se në këtë objekt qëndronin gra e fëmijë.
“Zona është izoluar dhe një prani e madhe e policisë është në skenë” – thuhet në një deklaratë të autoriteteve të rendit.
Një zëdhënës i policisë më vonë tha se ka edhe persona të lënduar, pa dhënë hollësi të mëtejme.
Qyteti Stade, pjesë e Saksonisë së Ulët, ndodhet rreth 30 kilometra në perëndim të Hamburgut dhe ka popullsi prej rreth 50 mijë banorësh.
Pasi u prenë drunjtë në Gjilan nga Alban Hyseni, Fitore Pacolli ndalon prerjen dhe zhvendosjen pa lejen e Ministrisë
8 orë më parë
17:34
NACIONALE
8 orë më parë
17:34
Ministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka njoftuar se ka marrë një vendim që forcon mbrojtjen e drunjve urbanë dhe hapësirave të gjelbra në të gjithë Kosovën, vetëm pak ditë pasi prerja e një numri të madh drunjsh në Gjilan shkaktoi reagime të shumta në opinion.
Sipas Pacollit, me vendimin e ri ndalohet prerja, krasitja ekstreme dhe zhvendosja e drunjve pa pëlqimin paraprak të Ministrisë. Gjithashtu, komunat obligohen të bëjnë inventarizimin e plotë të drunjve urbanë dhe të zbatojnë standarde të qarta për mbrojtjen e tyre.
Ministrja bëri të ditur se çdo projekt që prek hapësirat e gjelbra do t'i nënshtrohet procedurave të vlerësimit mjedisor, ndërsa për çdo dru të larguar do të zbatohet parimi "1 me 3", që nënkupton mbjelljen dhe mirëmbajtjen e tre drunjve të rinj.
Vendimi vjen në një kohë kur në Gjilan pati kritika pas prerjes së dhjetëra drunjve në kuadër të një projekti komunal të udhëhequr nga kryetari Alban Hyseni, i cili, njësoj si ministrja Pacolli, vjen nga Lëvizja Vetëvendosje. Prerja e drunjve nxiti debat publik mes përkrahësve të projektit dhe ambientalistëve, të cilët kërkuan mbrojtje më të madhe të hapësirave të gjelbra.
Vrasja në Ferizaj, Prokuroria: E dyshuara A.R. godet për vdekje F.H. pas përleshjes fizike, kërkohet paraburgim i saj
9 orë më parë
16:37
NACIONALE
9 orë më parë
16:37
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj A.R., e cila dyshohet se ka privuar nga jeta F.H. gjatë një përleshjeje fizike që ndodhi mbrëmjen e 28 qershorit në rrugën "Sejdi Sejdiu" në Ferizaj.
Sipas Prokurorisë, e dyshuara dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje ka kryer veprën penale të vrasjes. Ndërkohë, personi tjetër i ndaluar në lidhje me rastin, M.B., është liruar me vendim të prokurorit, pasi janë sqaruar rrethanat e përfshirjes së tij.
Prokuroria njofton gjithashtu se lëndime trupore ka pësuar edhe e dyshuara A.R., të cilat dyshohet se i janë shkaktuar nga viktima para ngjarjes. Ajo ka marrë trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
PSRK dhe Akademia e Drejtësisë thellojnë bashkëpunimin për trajnimet profesionale
10 orë më parë
15:34
NACIONALE
10 orë më parë
15:34
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, ka zhvilluar një takim me drejtorin e Akademisë së Drejtësisë, Enver Fejzullahu, dhe stafin drejtues të Departamentit të Programeve të Trajnimit.
Gjatë takimit, palët diskutuan për koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e trajnimeve profesionale. Sipas njoftimit, synimi i këtij bashkëpunimi është avancimi i kapaciteteve profesionale dhe rritja e efikasitetit në sistemin e drejtësisë në Kosovë.