Zyrtari i FFK-së thotë se u sulmua nga presidenti Ademi për shkak të një takimi me një zyrtar të pezulluar nga ai - NACIONALE

Zyrtari i FFK-së thotë se u sulmua nga presidenti Ademi për shkak të një takimi me një zyrtar të pezulluar nga ai

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Zyrtari i Federatës së Futbollit të Kosovës Artan Govori ka thënë se u sulmua nga presidenti i FFK-së Agim Ademi për shkak të një takimi me një zyrtar të pezulluar të federatës.

Ademi e ka mohuar sulmin ndaj Govorit në zyrat e federatës të mërkurën, megjithëse policia e konfirmoi sulmin gjatë ditës.

Në një reagim në llogarinë e vet në Facebook, Govori - i cili është drejtor për marrëdhënie me jashtë në FFK – e akuzoi Ademin se ka porositur njerëz për ta spiunuar dhe se ishte fotografuar nga ta duke e takuar Bajram Zeqirin, një tjetër zyrtar të pezulluar nga Ademi.

Ai pretendon se Ademi e sulmoi për shkak të atij takimi dhe asaj fotografie.

“Sulmi që ndodhi sot ndaj meje...arsye është kjo fotografi të cilën ma kanë bërë persona të angazhuar “të paguar” (nga Agim Ademi),fotografi të cilën Agim Ademi ma dërgon një ditë më parë (ditën e martë me datë 15.03.2022). Personi i cili shihet në këtë foto së bashku me mua është një ish punëtor i FFK-së Bajram Zeqiri (i cili poashtu është i suspenduar nga Agim Ademi), me të cilin pata nje takim rasti në qytet”, shkroi Govori në Facebook.

Ndërkohë, portali Paparaci ka raportuar të mërkurën vonë se Ademi është arrestuar nga policia për sulmin ndaj Govorit.

Sulmi i Ademit ndaj Govorit besohet të ketë ndodhur vetëm pak kohë pasi Gramoz Vokrri kishte shkuar në federatë për t'i dorëzuar nënshkrimet e delegatëve në garën për president.

Gramozi, i biri i legjendës së futbollit shqiptar dhe ish-presidentit të FFK-së Fadil Vokrri, e ka zyrtarizuar sot kandidaturën për president të federatës së futbollit duke i dorëzuar nënshkrimet e nevojshme të delegatëve për këtë.

Kjo nuk është hera e parë që Ademi - i cili është në kërkim të një mandati të dytë katërvjeçar në krye të FFK-së - që i sulmon zyrtarët e federatës.

Ai e ka një histori sulmesh ndaj zyrtarëve të institucionit që e udhëheq që prej vitit 2018. Më 2019, ai e kishte sulmuar mjekun e kombëtares, Mehmet Maxhuni, në Parkun e Gërmisë në kryeqytet.

Ishte raportuar po ashtu për dy sulme të tij ndaj sekretarit të përgjithshëm të FFK-së, Erol Salihu, të cilin e kishte shkarkuar nga posti më vonë në vitin 2021.

Vetëm katër muaj më parë, Ademi ishte ankuar në polici për një sulm ndaj tij në Parkun e Gërmisë.

Sulmi i fundit i Ademit vjen në një kohë rrëmuje në shtëpinë e futbollit të Kosovës në prag të zgjedhjeve presidenciale. Sulmet e tij ndaj zyrtarëve të federatës nuk janë telashi i vetëm me ligjin që ai do të përballet.

Ai është në rigjykim për veprën penale detyrim në tentativë dhe nën hetime për dyshimet se e ka kurdisur një ndeshje të Kombëtares U21 të Kosovës.

Lajme të ngjashme