Zyrtare: Zbulohen data dhe vendi i rikthimit të Anthony Joshuas në ring
Anthony Joshua do të rikthehet në ringun e boksit më 1 prill në 02 Arena në Londër, ka njoftuar promotori Eddie Hearn.
Joshua, 33 vjeç, ka shumë mundësi të përballet me amerikanin Jermaine Franklin, i cili humbi me pikë kundër Dillian Whyte nëntorin e kaluar.
Një konferencë për media do të mbahet javën e ardhshme ku do të bëhet zyrtar ky meç.
“Është një luftë vërtet e vështirë me shumë presion për t’u rikthyer sepse, nëse AJ nuk e fiton këtë luftë, atëherë do ta kemi një telash të madh”, tha Hearn.
“Besoj se do ta shihni një qëndrim të fortë nga një njeri shumë i rrezikshëm dhe shumë i motivuar për t’u bërë tri herë kampionë bote në kategorinë e rëndë”, shtoi ai.
Joshua i ka humbur dy luftërat e fundit, të dyja përballë kampionit të botës në kategorinë e rëndë Oleksandr Usyk.

Boksieri nga Watfordi është dy herë kampion i botës në kategorinë e rëndë dhe i ka 24 fitore, si dhe tri humbje.
Hearn i hodhi poshtë sugjerimet se 29-vjeçari FRanklin do të jetë një kundërshtar i lehtë për Joshuan.
Franklin ishte i pamposhtur para përballjes së humbur ndaj Whyte dhe ishte i pakënaqur me rezultatin e meçit, duke këmbëngulur se ai e kishte fituar atë luftë.
“Ka shumë kontradikta: Anthony Joshua është i mbaruar, mendërisht i humbur, por ai do ta nokautojë Jermaine Franklinin brenda tre minutave”.
Ai shtoi: “Por njerëzit e njëjtë thonë se Jermaine Franklin e mposhti Dillian Whyten por ai është kundërshtar i tmerrshëm për Anthony Joshuan”.
