Zyrtare: Tyson Fury kundër Dereck Chisoras për titullin e botës në stadiumin e Tottenhamit - NACIONALE

Zyrtare: Tyson Fury kundër Dereck Chisoras për titullin e botës në stadiumin e Tottenhamit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Tyson Fury do të luftojë kundër Dereck Chisoras për titullin e botës në kategorinë e rëndë në WBC, në atë që do të jetë përballja e tretë mes tyre, më 3 dhjetor në stadiumin e Tottenhamit në Londër.

Kjo luftë do të zhvillohet pasi bisedimet për supërluftën britanike mes Furyt dhe Anthony Joshuas dështuan.

“Kurdo që Tyson Fury lufton, është një ngjarje e madhe, dhe pres që ai përsëri të bëjë shfaqje spektakolare për tifozët”, tha promotori i Furyt Bob Arum.

Ai shtoi: “Jemi në bisedime se çfarë do të bëjmë në të ardhmen për Tysonin, por në radhë të parë është beteja kundër një luftëtari jashtëzakonisht të fortë Derek Chisora”.

Fury është përballur me Chisoran dy herë në të kaluarën, duke e mundur atë me pikë në luftën për titullin britanik më 2011 dhe duke e nokautuar Chisoran për titullin e kampionit evropian më 2014.

Më 2015, Fury e rrëzoi nga froni Wladimir Klitschkon dhe u bë kampion i botës në kategorinë e rëndë.

Fury është i pamposhtur në 32 luftërat e tij deri tani, derisa 38-vjeçari Chisora po i afrohet përfundimit të karrierës dhe i ka tri disfata në katër luftërat e fundit.

Chisora i dha fund një ecurie të keqe prej tri humbjeve radhazi duke e mundur Kubrat Pulevin në korrik të këtij viti, derisa për Furyn kjo do të jetë lufta e parë që prej prillit, kur e mundi Dillian Whyte në stadiumin Wembley.

Forma e Chisoras në vitet e fundit ka qenë shumë e luhatshme. Ai i bëri ballë Oleksandr Usykut 12 runde në përballjen e vitit 2020 dhe i humbi dy përballjet e radhës kundër Joseph Parket pastaj. Por në korrik ai e siguroi fitoren e parë që prej vitit 2019 kur e mundi me pikë Kubrat Pulevin në Londër.

Për Furyn, i cili dëshiron të luftojë për titujt WBO, WBA dhe IBF që i mban Usyku dhe të bëhet kampion i padiskutueshëm i botës, lufta me Chisoran do t’i mjaftojë për ta mbajtur veten në formë para vitit 2023 kur synon përballjen me ukrainasin.

Lajme të ngjashme