Zyrtare: Sevilla shkarkon trajnerin
Sevilla nuk ka pritur as një orë pas humbjes 1:4 ndaj Borussia Dortmundit, duke shkarkuar trajnerin spanjoll Julen Lopetegui.
Pas humbjes së sotme, skuadra andaluzjane bëri një hap drejt dështimit për t'u kualifikuar në 1/8-at e finales të Ligës së Kampionëve.
Pikërisht një disfatë ndaj Borussia Dortmundit ishte e rëndë, meqë ekipi gjerman llogaritej si rivali kryesor për vendin e dytë.
Kësisoj, drejtuesit e klubit kanë marrë vendimin e parevokueshëm për pushimin nga detyra e trajnerit të Julen Lopeteguit.
ℹ️ Julen Lopetegui deja de ser entrenador del Sevilla FC.#WeareSevilla
— Sevilla Fútbol Club (@SevillaFC) October 5, 2022
Pas tre sezoneve te Sevilla, të shoqëruara me ulje dhe ngritje, Lopetegui nuk arriti që ta bënte një nisje të përsosur të këtij sezoni. Skuadra çaloi shumë me theks të veçantë në La Liga, ku ndodhet në vendin e 17-të me vetëm 5 pikë pas shtatë xhirove të zhvilluara.

Ai do të mbahet në mend për trofeun e fundit që ia solli klubit, atë të Ligës së Evropës, duke mposhtur në finale Interin në vitin 2020, me rezultat 3:2.

Sezoni i shkuar mund të vlerësohet që ishte pozitiv, pasi skuadra ia doli që të kualifikohej në Ligën e Kampionëve, që është edhe synimi kryesor për një klub si Sevilla.
Në pritje të Sampaolit...
Trajneri argjentinas, Jorge Sampaoli, do të jetë pasardhësi i Lopeteguit. Ai së fundi ishte trajner i Marseillet, para të gjente një marrëveshje mirëkuptimi me klubin francez në korrik të këtij viti për të shkëputur kontratën.
Nënshkrimi i një kontrate me Sevillan për të do të përbënte një rikthim në shtëpinë e vjetër, marrë parasysh se ishte trajner i klubit spanjoll në edicionin futbollistik 2016/2017.

Ai kishte pasur një sezon diskret në stolin e skuadrës, duke zënë vendin e katërt në kampionat. Në finalen e Superkupës kishte humbur ndaj Real Madridit 3:2 dhe në Kupën e Mbretit ishte eliminuar po ashtu nga klubi mbretëror, me rezultat 3:0 në ndeshjen e parë dhe 3:3 në atë të kthimit.
Kësisoj, ai nuk vazhdonte më kontratën me Sevillan dhe pushohej nga puna, për ta vazhduar një kaptinë të re, gjegjësisht në Santos.
Pas shumë përvojave në skuadra të ndryshme dhe në vetë Kombëtaren e Argjentinës, ku në shumë raste ka lënë për të dëshiruar puna e tij – tashmë është bindur për një rikthim te Sevilla.
Gjatë afatit të fundit kalimtar, Sevilla pagoi 28 milionë euro për blerjen e lojtarëve të rinj. Nianzou nga Bayern ishte blerja më e shtrenjtë në vlerë prej 16 milionë euro, i pasuar nga Marcao për 12 milionë euro.
Ekipit iu bashkuan edhe lojtarë të tjerë, pa harruar Adnan Januzajn, i cili ishte lojtar i lirë dhe në ditën e fundit të transferimeve nënshkroi me Sevillan.
Megjithatë, vlen të cekët që nga klubi janë larguar lojtarë të rëndësishëm, si Kounde në drejtim të Barcelonës për 50 milionë euro, Carlos në drejtim të Aston Villas për 31 milionë euro dhe Campos që u transferua në formë huazimi me të drejtë blerje nga Ajax për 4 milionë euro si çmim fillestar.
Lista vazhdon edhe me largimet tjera, si Luuk de Jong në PSV për 3 milionë euro, Pozo te UD Almeria për 3 milionë euro, Augustinsson te Aston Villa në huazim në vlerë prej 500 mijë eurove, e të tjerë.


