Zyrtare: Qëndrim Zyba e bën hapin e madh në karrierë, huazohet nga Ballkani te Legia e Varshavës
Kampioni i Kosovës, Ballkani, ka njoftuar se ylli i mesfushës Qëndrim Zyba, është huazuar në kampionatin polak te gjigandi Legia e Varshavës deri në fund të sezonit, ku këta të fundit kanë opsionin për ta blerë të gjithë kartonin e tij pastaj.
Transferimi i Zybes po shkonte drejt dështimit siç u raportua sot fillimisht gjatë ditës me gazetarin Krzysztof Marciniak që tha se ishte një situatë e komplikuar dhe se një takim kyç do të zhvillohej në orët e ardhshme.
Duket se pikërisht ky takim ka vendosur për të ardhmen e mesfushorit të Kombëtares së Kosovës, i cili kaloi testet mjekësore me sukses dje.
Legia e Varshavës po anonte që fillimisht mesfushori të vinte në formë huazimi e pastaj në fund ta blinin, por Marciniak ndër të tjera në një përgjigje ndaj një tifozi kishte thënë se si shkak i vonesës ishte një çështje shëndetësore, me fansat që sugjeruan se ishte thjesht një justifikim i drejtorit sportiv të klubit.
Qëndrim Zyba tashmë futbollisti më i ri i Legia Varshavës, po bënte një sezon mjaftë të mirë me Ballkanin, ku në 28 paraqitje ka shënuar katër gola dhe ka bërë një asistim, përgjatë 2 mijë e 303 minutave në fushë.
Zyba fal paraqitjeve fantastike te kampioni në fuqi, mori ftesën edhe te Kombëtarja e Kosovës, fillimisht në tetor të vitit 2022 dhe deri më tani ka katër paraqitje për Dardanët.
Ballkani në faqën e saj zyrtare ka njoftuar se ylli i skuadrës do ta vazhdojë karrierën në Legia, ku do të jetë i huazuar deri në fund të sezonit dhe pastaj në bazë të paraqitjeve, gjigandi polak ka të drejtën e blerjës të gjithë kartonit.