Zyrtare: Nuk vazhdon përballja mes Rumanisë dhe Kombëtares së Kosovës, pritet vendimi i UEFA-s
Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar një nga ndeshjet më të mira në kohët e fundit sot ndaj Rumanisë, ndonëse ndeshja nuk përfundoi në tërësi.
Përkundër që u zhvilluan 90 minuta lojë, ndeshja në Arena Nationala është ndërprerë zyrtarisht dhe nuk do të vazhdojë më, pasi lojtarët e Kombëtares së Kosovës nuk kanë pranuar të kthehen në fushë.
Ky vendim i yjeve dardanë erdhi pas thirrjeve nacionaliste të tifozëve rumun.
Kapiteni Amir Rrahmani nuk pranoi assesi të kthehet në fushë, duke marrë vendimin, ndonëse kjo mund të ketë pasoja.
UEFA pritet ta vendos ndeshjen me rezultat zyrtar 3:0 për Rumaninë, gjë që kjo do të apelohet nga Kombëtarja e Kosovës në instancat tjera, për të ndjekur drejtësinë.
Kujtojmë se veprime të njëjta kishin bërë tifozët e Rumanisë edhe në vitin 2023, gjatë ciklit kualifikues evropian, që çoi në dënim nga UEFA, me mbyllje të një pjesë të stadiumit, por tani pas këtij veprimi, dënimi pritet të jetë shumë më i rëndë.
Raporti i ndeshjes
Dardanët e dominuan tërësisht kundërshtarin, duke pasur shumë raste shënimi, madje edhe e kontrolluan posedimin e topit, por që nuk treguan efikasitet në finalizim të rasteve.
Pjesa e parë i takoi skuadrës së Franco Fodës, ku krijuan shumë, ndër të tjera katër goditje në drejtim të portës.
Muharrem Jashari, Edon Zhegrova e Vedat Muriqi patën shanset e tyre, që u ndalën nga portieri në disponim i Rumanisë.
Në anën tjetër vendasit patën vetëm një rast të mirë, kur Stanciu goditi shtyllën në fund të pjesës së parë.
Dominimi i Kombëtares së Kosovës vazhdoi edhe në 45 minutat e pjesës së dytë.
10 raste, nga të cilat tri goditje në portë, ku sërish shpëtimtar ishte portieri Nita.
Rumania dështoi të gjuante goditje në portë për 90 minuta, për herë të parë për një kohë të gjatë.
Tensione në Arena Nationale u shfaqën në përfundim të ndeshjes dhe Kombëtarja e Kosovës kërkoi tërheqjen nga fusha pas thirrjeve të vazhdueshme nacionaliste.
Kjo edhe ndodhi, skuadra u drejtua në dhomat e zhveshjes, pasi nuk ishin kushtet për t'u zhvilluar ndeshja.
Kombëtarja e Kosovës vazhdon të mbetet në vendin e dytë, deri në qartësimin e situatës nga UEFA.