Zyrtare: Napoli me Amir Rrahmanin kampion në Itali pas 33 viteve - NACIONALE

Zyrtare: Napoli me Amir Rrahmanin kampion në Itali pas 33 viteve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Napoli është zyrtarisht kampioni i Italisë për edicionin 2022/23 pavarësisht që kanë mbetur edhe pesë xhiro të pazhvilluara.

"Napolitanët" barazuan në udhëtim te Udinese me rezultat 1:1 për ta siguruar titullin e tretë në histori dhe njëkohësisht të parin pas plot 33 viteve.

Kapiteni i kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani zhvilloi një tjetër paraqitje solide duke qenë titullar i padiskutueshëm.

Udinese kaloi fillimisht në epërsi pas 13 minutave lojë, duke shënuar me anë të Lovric që u asistua nga Udogie.

Mirëpo, ishte qendërsulmuesi Victor Osimhen që arriti t'i gëzojë mijëra tifozët e pranishëm me një gol të bukur nga një top i kthyer (52').

Pas kësaj, tifozët mysafirë pushtuan stadiumin dhe ia nisën festës që e kanë pritur që sa vite.

Napoli me këtë barazim tani numëron 80 pikë në Serie A, 16 më shumë se Lazio derisa kanë mbetur edhe pesë xhiro deri në përfundimin e kampionatit.

Rol të rëndësishëm drejt këtij suksesi padyshim ka pasur Amir Rrahmani me disa paraqitje kyçe.

Kështu, kapiteni bëhet lojtari i dytë nga Kosova që shpallet kampion këtë edicion pas Donat Rrudhanit që e festoi titullin ditë më parë me Young Boysin në Superligën e Zvicrës.

Përndryshe, rrugës për titullin kampion është duke shkuar edhe Milot Rashica me Galatasarayin në Superligën e Turqisë.

Lajme të ngjashme