Zyrtare: Manchester United konfirmon transferimin e Lisandro Martinezit
Manchester United ka kompletuar transferimin e mbrojtësit të krahut, Lisandro Martinez nga Ajax.
"Djajtë e Kuq" pas një sërë negociatash me gjigantin holandez, arritën ta bindin për ta lejuar argjentinasin të largohet, i cili do të nënshkruajë kontratë për pesë vitet e ardhshme.
Përmes një komunikate zyrtare, 20 herë kampioni i Anglisë njoftoi me nënshkrimin e Martinez.
"Manchester United është i lumtur të njoftojë se klubi ka arritur marrëveshje me Ajaxin për transferimin e mbrojtësit argjentinas Lisandro Martinez, që ka mbetur subjekt i testeve mjekësore, kushteve të lojtarëve që po finalizohen dhe kërkesave për vizë në Mbretërinë e Bashkuar", shkroi klubi anglez.
An agreement has been reached for the transfer of Lisandro Martinez 🔴🇦🇷#MUFC || @LisandrMartinez
— Manchester United (@ManUtd) July 17, 2022
Martinez kushtoi 55 milionë euro plus bonuset, si e fitoi garën Man Unitedi para Arsenalit?
Edhe pse tani është zyrtare, Manchester United nuk ishte klubi i parë i interesuar për shërbimet e Martinezit.
E tëra nisi javë më parë, kur rivali Arsenal bëri ofertën e parë në vlerën e 25 milionë eurove për mbrojtësin, e cila u hodh menjëherë poshtë nga klubi holandez.
Duke parë që rivali është në garë, trajneri Erik ten Hag i cili kishte bashkëpunuar që sa vite me lojtarin, donte ta sjellte menjëherë në "Old Trafford", andaj bëri kërkesë të veçantë në klub, kështu se paku raportuan mediat britanike.
"Djajtë e Kuq" bën një ofertë rreth 40 milionë euro plus bonuset, që sërish u refuzua në Ajax. Por, pastaj me kërkesën e lojtarit që ta shesin në Premierligë, gjiganti holandez nisi sërish negociatat dhe arritën marrëveshje në vlerën e 55 milionë eurove, plus bonuset (thuhet se do të jenë 10 milionë euro).
Martinez - transferimi i tretë në "epokën Ten Hag"
Martinez është vetëm futbollisti i tretë që i është bashkuar Man Unitedit, që kur ia besuan stolin trajnerit Erik ten Hag.
Tekniku holandez fillimisht kompletoi nënshkrimin e mbrojtësit Tyrell Malacia nga PSV, pastaj mori mesfushorin Christian Eriksen si agjent i lirë, derisa tani zyrtarizuan edhe marrëveshjen me 24-vjeçarin.
Sidoqoftë, këto nuk do të jenë transferimet e vetme, pasi siç raportohet Man United ka marrëveshje të plotë edhe me Barcelonën për shërbimet e mesfushorit Frenkie de Jong për 65 milionë euro plus 20 milionë euro bonuse.
Mirëpo, me gjendjen aktuale marrëveshja ka ngecur, pasi holandezi ende nuk ka dhënë “dritën e gjelbër” për kalimin në Angli. Ai thuhet se vazhdon të ëndërrojë qëndrimin te Barcelona, prandaj është duke hezituar t’i bashkohet Unitedit edhe pse Ten Hag është duke bërë çmos për ta bindur.