Zyrtare: FFK-ja s’e lejon Gramoz Vokrrin të garojë për president, Agim Ademi kandidati i vetëm - NACIONALE

Zyrtare: FFK-ja s’e lejon Gramoz Vokrrin të garojë për president, Agim Ademi kandidati i vetëm

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Federata e Futbollit e Kosovës, FFK, ka njoftuar se Gramoz Vokrrit ia ka hedhur poshtë kandidaturën për president të shtëpisë së futbollit të Kosovës dhe se ia ka pranuar presidentit të tanishëm Agim Ademi, duke e bërë tejet jo dramatik procesin zgjedhor dhe duke rrezikuar ta njollosë atë.

Kjo nënkupton se Agim Ademi do ta ketë plotësisht të hapur rrugën për t’u rizgjedhur president për një mandat të dytë katërvjeçar, duke qenë se nuk do të ketë asnjë kundërshtar.

Gramozi - djali i legjendës së futbollit shqiptar dhe ish-presidentit të FFK-së Fadil Vokrri – i kishte dorëzuar 16 nënshkrimet javën e kaluar në zyrën e federatës duke e zyrtarizuar garimin për shef të futbollit vendor.

Por komisioni i FFK-së për verifikimin e kandidaturave dhe nënshkrimeve të kandidatëve për president, ka vendosur të mos ia pranojë të gjitha 16 nënshkrimet Vokrrit, duke u thirrur në, siç thotë, disa shkelje.

Një kandidati i nevojiten 15 nënshkrime të delegatëve të FFK-së për të pasur të drejtë të garojë për president të shtëpisë së futbollit.

Komisioni i FFK-së thotë se ka gjetur nënshkrimet që Vokrri i kishte siguruar nga FC Prishtina, FC Ulpiana dhe FC Kika janë të kontestueshme, duke mos i pranuar ato.

Procesi zgjedhor për president të FFK-së është njollosur tashmë për shkak të dyshimeve serioze se federata e ka shkelur Statutin e vet duke i thirrur ato në afat të shkurtër kohor dhe rreth tre muaj pa i përfunduar mandati i tanishëm.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës (MKRS) ka gjetur se Federata e Futbollit e Kosovës e ka shkelur Statutin e vet dhe ligjin për sport duke i shpallur zgjedhjet për kryetar të federatës për datën 6 prill.

Më 2 mars, FFK-ja i shpalli zgjedhjet e reja për 6 prill, duke iu dhënë kandidatëve të mundshëm jo më shumë se një muaj kohë për t’i përgatitet programet e tyre. Ndaj FFK-së pati kritika dhe akuza se me këtë ajo e ka shkelur Nenin 39 të Statutit të federatës, i cili thekson se kuvendi zgjedhor për emërimin e presidentit të FFK-së duhet të thirret dy muaj më herët.

Edhe Vokrri ka hedhur dyshime sot gjatë ditës se procesi është duke u manipuluar.

I pyetur nga Gazeta Nacionale para se FFK-ja ta publikonte vendimin për certifikimin e kandidatëve, ai kishte thënë: “Po shihet një tendencë për ta manipuluar procesin (e zgjedhjeve). Thuhet është bërë një komision për certifikimin e nënshkrimeve, por pse duhet të ekzistojë ai komision”.

Lajme të ngjashme