Zyrtare: Bernardo Silva rinovon me Man Cityn
Manchester City ka konfirmuar se mesfushori Bernardo Silva ka rinovuar kontratën për tre vite.
Portugezi ishte në vëmendjen e mediave pasi raportohej se donte largimin nga “Etihad” me Barcelonën dhe PSG-në si destinacione të mundshme.
Sidoqoftë, Silva në fund zgjodhi të rinovojë me Man Cityn edhe për tre vitet në vijim.
“Bernardo Silva ka nënshkruar një kontratë të re me Manchester Cityn, që e mban në klub deri në verën e vitit 2026”, shkruhet në komunikatë.
2️⃣0️⃣2️⃣6️⃣ 🙌
— Manchester City (@ManCity) August 23, 2023
Tejet i lumtur me rinovimin u shpreh Silva që deklaroi se është i etur për suksese tjera.
“Kam pasur gjashtë vite të pabesueshme te Man City dhe jam i kënaqur me kohën time këtu”.
“Ta fitojmë tripletën ishte shumë e veçantë dhe ishte emocionuese të jesh pjesë e kësaj skuadre që ka uri dhe pasion”.
“Suksesi të bën të duash më shumë dhe klubi ma jep mundësinë të vazhdoj me fitore. E dua trajnerin, bashkëlojtarët dhe tifozët dhe shpresoj që të ndajmë edhe disa kujtime në vitet në vijim”.
Silva deri më tani ka bërë 308 paraqitje duke fituar pesë Premierliga, 2 FA Cup, 4 Kupa të Ligës, 2 Superkupa të Anglisë dhe Ligën e Kampionëve.