Zyrtare: Anthony Joshua i pranon të gjitha kushtet për meçin me Tyson Furyn
Ekipi i Anthony Joshuas ka konfirmuar se i ka pranuar të gjitha kushtet e ekipit të Tyson Furyt për luftën e shumëpritur britanike në kategorinë e rëndë më 3 dhjetor.
Ekipi i Joshuas, 258 Management and Matchroom, njoftoi në rrjetet sociale se komunikimi ishte ndërprerë për shkak të vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II dhe se është në pritjeje të një përgjigjeje.
Promotori i Furyt, Frank Warren, u përgjigj thjesht: “Kontratën do ta keni shumë shpejt”.

Së fundmi, Fury e sfidoi Joshuan për luftën e shumëpritur britanike dhe ia ofroi dy herë kampionit botëror 40% të të hyrave nga meçi, pasi i dështoi përballja e mundshme me Oleksandr Usykun për një luftë për kampionin e padiskutueshëm të botës.
Fury, i cili është i pamposhtur në karrierën e tij profesionale, do ta mbrojë titullin në WBC kundër Joshuas, i cili ka tri disfata.
34-vjeçari i kishte caktuar dy data, 26 nëntorin në Wembley dhe 3 dhjetorin në Cardiff si datat e mundshme të luftës me Joshuan.
Gypsy King e shënoi rikthimin në atdhe me një fitore me nokaut në rundin e gjashtë kundër Dillian Whyte në prill në Londër dhe pastaj njoftoi dy herë pensionimin nga boksi, para se ta njoftonte WBC-në muajin e kaluar se dëshiron të kthehet në ring për ta mbrojtur titullin.

Joshua, i cili pësoi disfatë me vendim të ndarë të gjyqtarëve kundër Usykut në rimeçin e muajit të kaluar, u fut në renditjen e WBC-së këtë javë si i gjashti.
Fury nuk e kishte pranuar kërkesën e Joshuas që meçi të zhvillohej më 17 dhjetor, një natë para finales së Ligës së Kampionëve.
Joshua dhe Fury kishin qenë shumë afër përballjes në ring në vitin 2021, por marrëveshja e tyre dështoi pasi Fury u urdhërua nga një gjykatë amerikane të luftojë me Deontay Wilderin për herë të tretë, të cilën amerikani e humbi duke pësuar nokaut shkatërrues në rundin e 11-të.
