Zyrtare: Amorim emërohet trajner i Manchester Unitedit
Ruben Amorim do të jetë trajneri i ardhshëm i Manchester Unitedit dhe kjo tashmë është zyrtarizuar.
Djajtë e kuq kanë paguar 11 milionë euro te Sporting, në mënyrë që trajneri mund të fillojë punën menjëherë.
Kontrata e tij me Manchester Unitedin do të fillojë më 11 nëntor dhe zgjatë deri në vitin 2027, me opsionin për të vazhduar edhe një sezon.
Kujtojmë se gjigantët e Premierligës e shkarkuan Erik ten Hagun pas rezultateve jo të mira përgjatë këtij sezoni, teksa e fituan ndeshjen e parë pa të me rezultat të thellë ndaj Leicester City në kupën Carabao.
Ruud van Nistelrooy do të vazhdojë të mbetet në krye të skuadrës si trajner i përkohshëm, deri kur frenat në dorë më 11 nëntor t’i marrë Ruben Amorim.
Manchester Unitedi gjendet në vendin e 14-të pas nëntë xhirove të para, me tri fitore, dy barazime e katër humbje dhe do të kërkojnë shpëtimin e sezonit, duke synuar një vend që dërgon në Ligë të Kampionëve.
Ndeshja e radhës për Djajtë e Kuq është më 3 nëntor (e diele), kur do të përballen me Chelsean në Old Trafford.
Ndeshja e parë për Amorim në krye të Man Unitedit do të jetë pas pushimit ndërkombëtar, saktësisht më 24 nëntor, kur takohen me Ipswich Town.