Zymberi: FFK-ja ua mohoi pjesëmarrjen disa delegatëve në Kuvendin e Jashtëzakonshëm - NACIONALE

Zymberi: FFK-ja ua mohoi pjesëmarrjen disa delegatëve në Kuvendin e Jashtëzakonshëm

3 vjet më parë

nga Vivianit Gërguri

Delegati i FFK-së dhe përfaqësuesi i Dritës, Valon Zymberi, ka dalë kundër draft-statutit të Federatës së Futbollit të Kosovës, duke thënë se ka shumë shkelje dhe parregullsi. Ai gjithashtu potencoi faktin se FFK-ja ua ka mohuar pjesëmarrjen disa delegatëve në Kuvend të Jashtëzakonshëm, duke veçuar përfaqësuesin e Lidhjes Rajonale të Futbollit në Gjilan, Malazog Hoxhën.

Zymberi tha se ishte lajm i mirë kur morën ftesën për miratim të statutit të ri, por nuk e kupton se si ky Kuvend nuk u thirr në kohën e duhur dhe nuk janë lejuar askush nga përfaqësuesit e klubeve për të dhënë propozimet e tyre.

"Ditën kur kemi marrë ftesën për miratimin e Statutit të ri, ishte një lajm i mirë, sepse na konvenonte ne si klube. Por një gjë nuk kam mundur ta kuptojë, se pse një kuvend i tillë nuk është thirrur në kohën e duhur dhe nuk është lejuar të japim vlerësimet tona dhe propozime tona. Në vend se të thirren të gjithë delegatët në mënyrë që të votohet, nuk është dashur t’i mohohet ftesa delegatëve, siç është rasti me Malazog Hoxhën, delegat nga rajoni i Gjilanit, që iu ka mohuar e drejta e pjesëmarrjes."

Tutje, përfaqësuesi i Dritës ka bërë thirrje te klubet që të bëhen bashkë dhe në harmonizim të bëjnë diçka mirë për futbollin, sepse nuk mund të presin nga FFK-ja, pasi sipas tij nuk ka vullnet për të bërë diçka të mirë.

"Këto janë disa nga shkeljet që kanë ndodhur. Ky draft status përpos qe ka shkelje dhe parregullsi, ne duhet të bëjmë një zgjidhje dhe ne së bashku pa ndihmë të federatës duhet ta bëjmë një gjë të tillë, sepse nuk është në vullnetin e tyre të bëjnë diçka në të mirë të klubeve."

Zymberi tha se moslicencimi i FFK-së nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport është në të mirë të futbollit, pasi ata dëshirojnë rregullsi dhe ligj, gjë që nuk po e ofron organi më i lartë i futbollit në vend.

"Klubet e vuajnë më së shumti këtë moslicencim, që me të drejtë Ministria nuk po e lejon, sepse ata dëshirojnë rregullsi dhe të ketë ligj. Ne jemi të prirë që së pari ta respektojmë shtetin e pastaj rregulloret e brendshme të kësaj federate."

Lajme të ngjashme