Zvicra e Granit Xhakës e fillon mbarë Evropianin, shënon fitore ndaj Hungarisë - NACIONALE

Zvicra e Granit Xhakës e fillon mbarë Evropianin, shënon fitore ndaj Hungarisë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kombëtarja e Zvicrës ka shënuar fitore me rezultat 3:1 në ndeshjen e parë të saj në EURO 2024, duke triumfuar ndaj Hungarisë, në një ndeshje ku shkëlqeu lojtari i Bolognës, Aebischer.

Skuadra e udhëhequr nga Murat Yakin e filloi shumë mirë, duke dominuar 45 minutat e para, duke pasur kontrollin e topit dhe rastet më të mira për gol.

Goli i epërsisë erdhi shumë herët. Zhvillohej minuta e 12-të kur Aebischer asistoi në mënyrë fantastike për Kwadwo Duah, i cili me lehtësi shënoi për 1:0, me golin që u pranua pas rishikimit të aksionit në VAR.

Zviceranët deri në përfundim të pjesës së parë shënuan edhe një herë. Freuler asistoi te Michel Aebischer, me këtë të fundit që lëshoi një goditje teknike nga distanca, për të shënuar gol të bukur për 2:0.

Pjesa e dytë e takimit ishte paska më e balancuar, me Hungarinë që mori disi kontrollin e ndeshjes, në kërkim për të shënuar gol.

Këtë edhe e arritën, pasi në minutën e 66-të, ylli i Liverpoolit Szoboszlai asistoi shumë mirë në zonë, me sulmuesin Varga që e mposhti Sommerin lehtësisht me kokë për 2:1.

Kaq ishte nga Hungaria nga kjo ndeshje, pasi ata deri në përfundim të takimit pësuan edhe një gol.

Ishte Breel Embolo që në minutat shtesë shënoi për rezultatin përfundimtar 3:1, pas një gabimi në vijën mbrojtëse të Hungarisë.

Me këtë fitore, Zvicra rënditet në vendin e dytë në Grupin A, pas përfundimit të xhiros së parë në këtë grup. Gjermania është e para pas fitores së thellë ndaj Skocisë, me këta të fundit që gjenden në vendin e fundit.

Granit Xhaka luajti tërë kohën në këtë ndeshje, ndërsa minuta nuk pati edhe për Xherdan Shaqirin e Ardon Jasharin, që qëndruan në bankën rezervë.

Lajme të ngjashme