Ylli i ri i Dortmundit, Haller, diagnostikohet me tumor
Qendërsulmuesi Sebastian Haller është detyruar të largohet nga kampi i Borussia Dortmund, pasi u diagnostikua me tumor në testikuj gjatë ekzaminimeve mjekësore.
Haller që së fundmi kompletoi kalimin te gjiganti gjerman si zëvendësues i Erling Haaland, ka zbuluar këtë sëmundje gjatë testeve mjekësore.
Borussia Dortmund përmes një komunikate zyrtare dha lajmin e dhimbshëm, duke treguar edhe arsyen e largimit.
"Sulmuesi i Borussia Dortmundit Sebastien Haller u detyrua të largohet nga kampi i BVB në Bad Ragaz, Zvicër shkaku i sëmundjes dhe tani është rikthyer sërish në Dortmund".
"Gjatë ekzaminimeve intensive mjekësore, gjatë ditës më në fund u zbulua një tumor në testikuj. Gjatë ditëve në vijim do të kryhen ekzaminime të mëtejshme në një qendër të specializuar mjekësore", shkroi klubi në komunikatë.
Sebastien #Haller hat das #BVB-Trainingslager in Bad Ragaz krankheitsbedingt verlassen müssen und ist bereits zurück nach Dortmund gereist. Bei Untersuchungen wurde ein Hodentumor entdeckt.
— Borussia Dortmund (@BVB) July 18, 2022
Gute Besserung, @HallerSeb! 🙏🙏
Weitere Infos: https://t.co/XPaNATxgDI pic.twitter.com/v6hA6MeGLV
Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe drejtori i klubit gjerman, Sebasitan Kehl që deklaroi se kanë mbetur të shokuar, derisa i uruan shërim sa më të shpejtë.
"Ky lajm sot erdhi si një tronditje për Sebastien Haller dhe për të gjithë ne. E gjithë familja BVB i uron Sebastien një shërim të plotë sa më shpejt të jetë e mundur dhe që ne të mund ta përqafojmë përsëri së shpejti. Ne do të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për të siguruar që ai të marrë trajtimin më të mirë të mundshëm", nënvizoi ai për faqen zyrtare të klubit.
Në fund, Dortmund kërkoi që të respektohet privatësia e lojtarit dhe të mos bëhen pyetje të tjera.
"Borussia Dortmund kërkon që të respektohet privatësia e lojtarit dhe familjes së tij dhe të mos bëhen pyetje. Sapo të kemi informacione të mëtejshme, do t'ju informojmë në konsultim me lojtarin", përfundoi klubi në komunikatë.
Në fillimin e muajit, Dortmund e zyrtarizoi Haller
Pas largimit të Erling Haaland te Manchester City, Borussia Dortmund në fillimin e muajit, më saktësisht më 7 korrik e kompletoi transferimin e sulmuesit Sebastian Haller nga Ajax.
Sulmuesi i Bregut të Fildishtë nënshkroi për katër vite, derisa Bundesliga nuk ishte i panjohur për të pasi në të kaluarën ishte pjesë e Eintracht Frankfurt mes viteve 2017 dhe 2019.
Edicionin e kaluar me Ajaxin, Haller ishte i jashtëzakonshëm duke shënuar 34 gola dhe dhuruar nëntë asistime në 42 paraqitje, derisa e përfundoi edicionin edhe si golashënuesi më i mirë në fazën grupore për Ligën e Kampionëve.